VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Lorik Cana pranë kalimit tek gjermanët e Hamburgut
E Premte, 06.19.2009, 12:17pm (GMT1)


 

 

Mefushori i Kombëtares shqiptare të futbollit si dhe kapiteni i skuadrës franceze të Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana është fare pranë kalimit tek skuadra gjermane e Hamburgut.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta gjermane "Hamburger Morgen Post", e cila shkruante për Lorik Canën, se "do të vijë në Gjermani".

Sipas saj, Agim Cana, babai i futbollistit të Kombëtares shqiptare, ka qenë në Hamburg ku është takuar me shefin sportiv Dietmar Beiersdorfer për t'i dhënë detajet e fundit këtij kalimi. Takimi u zhvillua në hotel "Bahrenfelder" dhe informacionet e filtruara prej atje, flasin për një akord midis dy palëve.

Sipas mediave gjermane, propozimi fillestar i Hamburgut shkon në 8 milionë euro, ndërkohë që "Hamburger Morgen Post" zbulon se klubi gjerman i Hamburgut është në fazë të avancuar në lidhje me negociatat.

Gjithsesi bisedimet nuk janë përfunduar me skuadrën franceze Olimpik Marsejë, e cila nuk kërkon të privohet kollaj nga kapiteni i saj, që gjithnjë e më shumë ka marrë këtë vit oferta nga skuadra angleze dhe gjermane.

Tashmë nuk mbetet gjë tjetër që të bindet Olimpiku i Marsejës për të lëshuar mesfushorin rikuperues. Kontrata e Canës skadon në vitin 2012, por vlera e kartonit ndërkombëtar shqiptar sipas drejtuesve të Marsejës, nuk është tashmë 8 milionë euro, por 10 milionë euro.

Një shumë në dukje e madhe, por interesimi i Hamburgut duket mjaft i fortë për të investuar në blerjen e Lorik Canës. Megjithatë, gjithçka mbetet për t'u parë, pasi Cana kërkohet dhe nga anglezët e Arsenalit, Liverpulit dhe Evertonit. (Balkanweb)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.