VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Peshëngritësi Ervis Tabaku shpallet Nënkampion Bote
E Shtunë, 06.20.2009, 06:03pm (GMT1)


 

 

Ervis Tabaku është shpallur nënkampion bote për të rinj, në peshën 85 kg. Në kryeqytetin rumun, Bukuresht, 19-vjeçari ishte peshëngritësi i tretë kuqezi (nga katër pjesëmarrës) qe ka hipur në pedanë.
Një paraqitje e shkëlqyer e Tabakut, që është venitur vetëm nga kampioni i ri i botës, polaku Adrian Zielinski. Tabaku ka luftuar deri në fund, madje duke tentuar të fitojë edhe vendin e parë, por është detyruar të kënaqet vetëm me medaljen e argjendit.
Problemi kryesor në garimin e tij ka ardhur në stilin e shkëputjes, ku humbi dy provat e para. Fillimisht ai kishte kërkuar 155 kg, por duke parë rezultatet e kundërshtarëve ka tentuar peshën në 160 kg, pa arritur ta realizojë ngritjen. Në provën e dytë, Tabaku e ka rritur peshën e shtangës në 166 kg, por sërish ka dështuar.
Prova e tretë dhe vendimtare, me të njejtën peshë ishte e suksesshme dhe i ka siguruar vendin e dytë pas polakut Adrian Zielinski, qe ka ngritur 169 kg.
Në stilin e shtytjes, peshëngritësi shqiptar vendosi të ngrinte peshën në shtangë deri në 202 kg, duke tentuar medaljen e artë. Kjo pasi polaku Zielinski e mbylli garën me 199 kg në këtë stil dhe 368 në dygaresh.
Me 202 kg Tabaku do ta barazonte këtë peshë dhe shpallej kampion bote falë peshës më të lehtë trupore. Gjithsesi, ai dështoi në tentativën finale, duke e mbyllur garën në shtytje në vendin e tretë me 166 kg. Ndërkohë, në dygarësh, kuqeziu mori medaljen e argjendtë, duke u renditur i dyti me 362 kg të ngritura në total.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.