VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Valentino Rosi ka prekur cakun e legjendës
E Djelë, 06.28.2009, 08:35am (GMT1)

 

 

 

Voal-online - Valentino Rossi ka prekur cakun e legjendës, cilësi dhe synim që e ka nxitur dhe shoqëruar karrierën e tij të hatashme. Ka fituar në Assen, ka bërë ngjitje në klasifikimin el Motomondiales, por mbi të gjitha ka arritur suksesin numër 100 në karrierë duke shpartalluar murin e tri shifrave, çka deri tani ia kishte arritur vetëm një mit i motoçiklizmit, Giacomo Agostini.

Kampioni i kampionëve është në lartësinë 123, Rossi është ende larg. Por gjithsesi ka hyrë në legjendë. E si gjithnjë nuk ka nguruar ta kremtojë në mënyrën e tij këtë sukses. Në xhiron e nderit, Rossi është ndalur në bordin e pistës dhe me ndihmën e adhuruesve të fan club-it të tij ka shpalosur një shirit të gjatë 25 metra në të cilin janë vendosur të gjitha fotot që pasqyrojnë çdo sukses, nga i parti tek 99. Një shkëndijë e mendjes së gjeniut të komunikimit nga ato të Rossi-t.

Gara e Motogp, e cila duhej të ishte e vështirë për Doktorin, siç e ka pranuar vetë gjatë provave, është shfaqur si një marsh triumfal drejt historisë. Janë dashur pak kthesa për të lënë prapa një herë e mirë Stoner (Ducati) e Pedrosa (Honda) të cilët i ishin qepur nga afër. Ndërsa Rossi bënte garën e tij, shoku i skuadrës, spanjolli Jorge Lorenzo kërkonte të fitonte rolin e liderit të garës. Mjerisht spanjolli nuk ka arritur të bëjë shumë. Rossi i është përgjigjur guximit të shokut të ekipit duke shpejtuar xhirot dhe duke vënë mes vetes dhe spanjollit një zonë sigurie, e cila në fund të garës do të ishte mbi 5,3 sekonda.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.