VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NADAL - FEDERER KA ENDE PËR TË DHËNË

E Martë, 10.29.2013, 07:52am (GMT1)




Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, është i bindur që ndeshjet e paharrueshme të tij me Federerin nuk kanë përfunduar ende.

Ndonëse zvicerani fitoi vetëm një turne të rëndësishëm gjatë 2013-s dhe nuk e ka të sigurt pjesëmarrjen në Masterin e fundvitit, ku kualifikohen vetë tetë tenistët më të mirë të renditjes botërore, për Nadalin ai ka ende për të dhënë në nivelet më të larta.

"Jam i sigurt që Federeri nuk ka mbaruar. Ai do të jetë gati dhe shumë luftarak në 2014-n. Jam i sigurt që do të rikthehet të luajë në nivelet më të larta", tha numri një i botës për rivalin e tij, transmeton TCH.

Me 17 tituj Grand Slam të fituar, Federer është tenisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave dhe Rafa është i vetmi lojtar në aktivitet që ka mundur të ketë një bilanc pozitiv përballjes me zviceranin, me 21 fitore ndaj 10 humbjeve.

"Klasi i tij është ende atje. Në Bazel bëri një paraqitje të mirë, ku u mund vetëm në gjysmëfinale nga Del Potro. Nuk kam asnjë dyshim që Roger do të rikthehet të jetë njeriu për t'u mundur vitin e ardhshëm për të gjithë ne", deklaroi Nadal.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.