VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FEDERATA GJERMANE E FUTBOLLIT NDËRTON NJË KAMP PËR KOMBËTAREN GJERMANE NË BRAZIL

E Premte, 12.13.2013, 04:45pm (GMT1)



Në historinë e Federatës Gjermane të Futbollit kjo është hera e parë që ndërtohet nga e para një kamp për futbollistët.

Në Santo André në shtetin federal Bahia do të ndërtohet sipas informacioneve të gazetës "Bild" qendra ku do të qëndrojë kombëtarja gjermane që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil. Kampi gjerman do të përbëhet nga 13 shtëpi, ku do të strehohet ekipi kombëtar dhe grupi i shoqëruesve. Një nga portat e kantierit të ndërtimit është rrethuar tashmë me shirita me ngjyrat e flamurit kombëtar gjerman dhe tre yjet që simbolizojnë fitoret e Kampionatit Botëror nga ekipi gjerman, shkruan gazeta. Edhe emri është gjetur: Camp Bahia.

Projekti i ndërtimit do të zbatohet nga një kompani gjermane nga Mynihu e cila jep edhe mbështetje financiare për këtë qendër. Po ashtu për ndërtimin e kampit gjerman kontribuojnë edhe "sponsorët e Federatës Gjermane të Futbollit, DFB, p.sh. Mercedesi," tha Siegfried Michler, menaxher i hotelit. Vetëm një kilometër nga kompleksi do të ngrihet një fushë futbollit, qendra e shtypit dhe objekte të tjera të nevojshme.

Lidhje trafiku optimale

Sa i përket vendndodhjes gjeografike, DFB-ja nuk ka lënë me sa duket asgjë në dorë të fatit. 15 kilometra larg nga kompleksi dhe 30 kilometra nga Porto Seguro gjendet një fushë aviacioni, dhe në këtë mënyrë ekipi kombëtar mund të shkojë fare lehtë në stadiumet ku do të zhvillohet ndeshjet e grupeve, pra në Salvador, Fortaleza dhe Recife. Distanca për në Rio de Zhanero, ku do të zhvillohet më 13 korrik finalja, është 1100 km.

Sipas gazetës "Bild" vendi ku do të ngrihet kampi gjerman gjendet vetëm 200 metra larg nga kompleksit turistik Mabu Costa Brasilis Resort. Megjithatë DFB mendonte se ky ishte shumë i madh dhe jo mjaft luksoz. Edhe hotelet e tjera thuhet se nuk ishin të përshtatshme dhe "prandaj, për herë të parë në historinë e Federatës Gjermane të Futbollit po ndërtohet nga e para një kamp për futbollistët". (dw)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.