VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FILLOJNË SOT KONKURRIMET NË SOÇI

E Premte, 02.07.2014, 11:26am (GMT1)


Olimpiket e Soçit fillojnë sot zyrtarish me ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore. Por konkurrimet filluan që dje me dy sporte të reja në programin e Lojërave. Një prej këtyre aktiviteteve ishte konkurrimi i ekipeve të patinazhit artistik.

Gjimnastët mund të fitojnë medalje për konkurrime individuale dhe si ekip gjatë Lojërave Olimpike verore dhe tani edhe patinazhi artistik do të gjykohet si aktivitet individual dhe në ekip.
 
10 vende konkurrojnë për medaljet si ekip patinazhi. Ato u kualifikuan për konkurrim në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik dhe gjatë kampionateve kryesore të Unionit të Patinazhit si dhe aktivitete të tjera.

Secili ekip përbëhet nga një patinator, një patinatore, një çift patinazhi artistik dhe një çift vallëzimi në akull. Konkurrimi zgjat tri ditë. Secili konkurrent paraqet një program të shkurtër me elementët e kërkuar, në bazë të të cilit konkurrentët eliminohen dhe pesë më të suksesshmit konkurrojnë në aktivitetin e patinazhit të lirë.

Pas çdo konkurrimi çdo patinator, apo çift konkurrent mund të sigurojë deri në 10 pikë për vendin e tij. Vendi që grumbullon një total më të madh pikësh merr medaljen e artë.

Dje u zhvillua dita e parë e konkurrimit në Pallatin e Ajsbergut në fshatin olimpik të Soçit. Konkurrimi  i patinatorëve meshkuj hapi programin e mbrëmshëm. I pari doli në akull Yevgeny Plyushchenko, mes duartrokitjeve të forta të bashkëkombasve rusë. Plushchenko, fitues i medaljes së artë në Torino në 2006 dhe medaljes së argjendtë në Salt Lake City në 2002 dhe Vankuver 2010, shprehu gëzimin e tij pas konkurrimit:

"Jam shumë i lumtur me konkurrimin e sotëm. Këto janë Lojërat e katërta Olimpike ku marr pjesë, pas 12 ndërhyrjesh kirurgjikate. Nuk ka rëndësi si del rezultati në fund, unë e konsideroj veten fitues".

Pikët që siguroi mbrëmë Plyushchenko ishin të mjaftueshme për t'I siguruar Rusisë vendin e dytë për momentin. Japonezi Yuzuru Hanyu u konsiderua si konkurrenti më i fortë duke marrë 10 pikë për vendin e tij dhe Patrick Chan i Kanadasë mori 8 pikë.

Dje konkurruan edhe çiftet. Rusët Tatiana Volosozhar dhe Maxim Trankov dolën në krye, pasuar nga Kanadaja dhe Kina.

Kombinuar me pikët e siguruara nga konkurrimi individual i patinatorëve, Rusia, Kanadaja dhe Kina renditen në krye për momentin.
 
Konkurrimi i ekipeve të patinazhit artistik rifillon të shtunën kur paraqesin programet e tyre patinatoret dhe çiftet e vallëzimit në akull.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.