VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VORBULLA GJITHPËRFSHIRËSE E ABSURDIT
Opinion nga AHMET SHQARRI

E Shtunë, 03.29.2014, 11:26am (GMT1)



Në përgjithësi jeta është e mbushur edhe me paradokse, por ajo që ngjet tek ne, në të gjitha rastet e mjediset, nuk është normale. Në një vend që gëlon nga problematika e gjërave, duket ironike kur disa vazhdojnë t'i rikthehen me ngulm të kaluarës, madje edhe me nota të shumta romantike, ndërsa të tjerë, po nga bota e letrave dhe e medias, (sikur në botë të mos ekzistonte më Kadareja i madh e i shndritshëm si askush!), zdërhallen nëpër ceremoni të ndryshme fantazmagorike, në prani kryeministrash, ambasadorësh e personash të tjerë të çfarëdollojshëm e të pleksur keqas me gjithfarë konjukturash politike, vetëm e vetëm që t'u bëjnë jehonë ca krijimtarive të tyre që kurrë s'i pamë e s'i ndjemë ndonjëherë të arrira. Në këtë vorbull kotësish e llamburitjesh artificiale ditëlindjesh dhe mbushje stadiumesh, (sikur të ndodhte njëherë në një qind vjet dhe jo si të ishte diçka e zakonshme!), edhe sporti gjendet në zgafellen e tij, i zhytur dhe përlyer fund e krye në kazanin që zien dhe djeg, pothuajse, çdo vlerë të këtij vendi.

Duke dashur të bëhen "protagonistë" skupesh e sensacionesh, si në rastin e javës së shkuar kur për ndeshjen Partizani-Tirana, më shumë se për nivelin e saj të dobët, u luajt me shifra e rekorde spektatorësh, disa prej asaj vorbullës përzhitëse që kërkon t'i llokoçisë të gjithë e t'i bëjë pis, mesa duket harrojnë se historia e këtij futbolli nuk nis nga koha kur atë e drejtojnë bosët e tij të sotëm. Përkundrazi, janë ata që me politikat e tyre dështake kanë bërë që stadiumet të kthehen në ca streha të braktisura, të cilat, nëse mbushen ndonjëherë, siç ndodhi javën e kaluar në "Qemal Stafa", kjo më tepër tingëllon si një sfidë e së kaluarës tradicionale që spektatorët e të dy ekipeve përkatëse ua bëjnë snobëve dhe realitetit të tanishëm. Prej katër vitesh e ca, qëkurse Partizani bashkë me simpatizantët e tij anembanë Shqipërisë ishin sikterrisur kushedi se ku(!), futbolli ynë mbeti thuajse pa spektatorë, për t'u quajtur si "vlerë" e këtyre ditëve pikërisht kur tribunat u mbushën, megjithëse ajo që u pa atje, nëpërmjet skenave të urrejtjes, racizmit dhe sharjeve në kor, ngjante sikur të ishte e një kohe primitive!

E fshehur pas një fasade të zbukuruar me xhingla-mingla, në fakt e gjithë jeta sportive shqiptare është një ndryshk i gjallë. Shihni se si në institucionet përkatëse, që nga Drejtoria e Sporteve në Ministri, Komitet Olimpik dhe nëpër të gjitha federatat, disa prej të cilave dykokëshe(!?), nuk gjen thuajse asnjë emër të shquar sportisti që të drejtojë aktualisht, por në shumicën e tyre ende vegjetojnë prej kohësh disa anonimato-partiakë, nga të cilët ndryshimi që presim duket krejtësisht i pamundur. Aq më tepër se këta lloj drejtuesish gjejnë mbështetës sa herë ju duhet për të kaluar lumin e tyre të turbullt.

Në vazhdën e spekulimeve të shumta, kur edhe dështimet paraqiten si sukses, disa media, shqetësimeve të ngritura ndonjëherë prej shoqërive civile apo forumeve të ndryshme, siç ndodhi në rastin e mosprishjes dhe të ruajtjes së të ashtuquajturës "Piramidë", ndonjë çështjeje tjetër, si ajo e ruajtjes dhe mosprishjes së stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", nuk i kanë bërë të njëjtën jehonë, përkundrazi, duke i shërbyer drejtuesve e klaneve të interesuar për qëllimet e tyre fitimprurëse, e kanë lënë atë kinse në harresë, edhe pse për nga tradita e funksioni aktual është mjaft i rëndësishëm për vendin, ç'ka po shihet më së miri, javë pas jave, me ndeshjet e zhvilluara atje, paçka se "tritolistët" sy zgurdulluar vazhdojnë ta kenë në duar fitilin e ndezjes dhe shkatërrimit të tij.

Po në këtë vorbull mashtrimesh dhe demagogjish futen e përzihen edhe shumë fakte e detaje të tjera që në pamje të parë duken si "arritje", por që nuk bëjnë gjë tjetër veçse i japin një pamje më karikatureske të gjithë mjedisit tonë sportiv. Vetëm për faktin se janë të huaj, reklamohen si vitrina më e mirë për në Shqipëri shumë lojtarë e trajnerë të rëndomtë që po kërkojnë të na i shesin si malli më i mirë në treg. Besoj se keni parë të shkruhet e të flitet për ata, që shkulen prej të gjitha anëve të botës, për t'u përplasur nëpër ekipet tona të ndryshme, deri tek kategoritë inferiore e ato për femra, kur dihet mirëfilli se në këtë truall nuk po ka njeri që të dalë zot për të paguar as futbollistët e Superligës! Nuk e di nëse, një rënie e papritur e ndonjë ylli të shquar sportiv në tokën tonë, si Platini apo Kasparov, do të mund të ndriçonte disi dhe t'u jepte pak shpresë skutave të errëta të kësaj vorbulle shqiptare që zien?...
AHMET SHQARRI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.