VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ATLETIKO E MADRIDIT SHPALLET KAMPION I SPANJËS

E Shtunë, 05.17.2014, 07:44pm (GMT1)



SPANJE-Mbaron ankthi në La Liga. Atletiko e Madridit shpallet kampion i Spanjës, duke barazuar 1-1 në sfidën e fundit kundër Barcelonës në "Camp Nou".

Edhe pse kanë pësuar gol në pjesën e parë nga Aleksis Sançez, djemtë e trajnerit Diego Simeone nuk janë dorëzuar. Me të filluar pjesa e dytë, Godin ka shënuar me kokë për miqtë, duke vënë në barazpeshë gjithçka. Një rezultat të tillë Atletiko e ka mbrojtur deri në fund të ndeshjes, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të Barcelonës.

Një sezon për t'u mbajtur mend gjatë për Atletikon e Madridit, që ka udhëhequr për pjesën më të madhe të sezonit dhe pavarësisht ndonjë gabimi të vogël gjatë rrugës, ka ditur që në fund ta mbyllë kampionatin me 90 pikë, 3 më shumë se Barcelona dhe Reali i Madridit, duke lënë me gisht në gojë gjigantët e Spanjës dhe të Europës.

Ishte ky titulli i 10-të në kampionatin spanjoll për Atletikon e Madridit. Por nuk mbaron këtu për formacionin e Diego Simeones, pasi më 24 maj do të diskutojë edhe finalen e Ligës së Kampioneve kundër Realit të Madridit, një supersfidë ku kësaj radhe nuk janë dy rezultate në lojë për trofeun, por vetëm një, që është fitorja.

Me këtë entuziazëm dhe me këtë formë që po përjeton ky grup, nuk është çudi që Atletiko e Madridit të rrëmbejë edhe Champions League, duke e mbyllur këtë sezon në mënyrë fantastike.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.