VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JA PLANI I JOAKIM LËVIT PËR KAMPION TË BOTËS

E Premte, 05.23.2014, 02:19pm (GMT1)



GJERMANI - E frymëzuar nga kampionët dhe heronjtë e 1990-ës, kombëtarja gjermane do të startojë sot fazën përgatitore për Botërorin 2014 në Brazil. Të gjithë lojtarët e grumbulluar do të stërviten deri më 31 maj në Tirolin Jugor, ku do të marrin leksionet e nevojshme sportive dhe psikologjike për të kryer me sukses misionin e Kupës së Botës. Në fakt, Gjermania ka shumë punë për të bërë! Trajneri Joakim Lëv duhet të integrojë idetë e tij, të marrë vendimet e duhura dhe t'i analizojë me detaj rivalët. Para startit të përgatitjeve, gazeta prestigjioze "Bild" ka zbardhur disa detaje mbi planin e misionit "kampion bote" të Gjermanisë dhe u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve kyçe:
Java e parë në Tirolin e Jugut Lëv në ditët e para do u mësojë filozofinë e tij dhe do i përgatisë nga ana taktike, sidomos në mbrojtje. Në ndeshjet e fundit, "pancerat" kanë pësuar shumë gola. Në fokus qëndron edhe mënyra e mbylljes së një aksioni në kundërsulm. Do u japin përgjigje pyetjeve: Si do të reagojnë pas fitores së topit apo humbjes së tij.
Të dëmtuarit në formë Një pikëpyetje e madhe është edhe për të dëmtuarit. Nojer, Lahm, Shvajni, Khedira dhe Klose do të bëjnë stërvitje individuale dhe do kenë në gatishmëri një staf mjekësor, asistentë, trajnerë "fitness"-i. Në ditët e para do të ketë shumë biseda kokë më kokë me trajnerin, analiza në video dhe si të nxitin frymën e grupit. Për këtë Lëvit i duhet të mbajë afër numrin 1 të portës dhe kapitenin.
Pa fëmijë dhe pa "Wags"-a Nuk ka vizita të familjarëve, fëmijëve, të afërmeve apo grave të futbollistëve në kampin stërvitor. Kjo është një shenjë tjetër e fokusit në fushën e lojës dhe Botërorit. Gjithashtu është planifikuar që "Wags"-at të jenë në Brazil, por në fazën me eliminim direkt. Por, në këtë moment, ato nuk duhet të banojnë në kampin e kombëtares, por jashtë saj.
U-20 si Gana, Portugalia dhe SHBA-ja Analiza taktike e kundërshtarëve nuk mjafton vetëm në teori. Joakim Lëv ka ide të qarta për lojën e rivalëve në grup. Por, lojën e Ganës, Portugalisë dhe SHBA-së do e bëjë në praktikë ekipi i moshave U-20 të kombëtares, të cilët do përballen me 11- shen e Lëvit në ndeshje 20-90- minutëshe. Teksa kombëtarja A do të niset të mërkurën, U- 20 e drejtuar nga Frank Vormut do i bashkohet të enjten. Lëv i referohet një ndeshjeje boksi, ku duhen mësuar dobësitë e kundërshtarit. Ai do u japë përgjigje pyetjeve: Si luhet ndaj Ganës kur ajo mbrohet? Si duhet kapitulluar kundërsulmi nga krahët i portugezëve? Praktika me U-20 do jetë çelësi i suksesit.
Lahm, në mbrojtje apo mesfushë? Lëv planifikon një skemë me dopio-gjashtën, Khedira-Shvajnshtaiger dhe Lahmin si mbrojtës i djathtë. Në rast se dy mesfushorët nuk do të jenë në gjendje të mirë fizike, atëherë Lahm është alternativë në mesfushë. Ndërsa hierarkia e portës është vulosur: Nojer, Vajdenfeler, Ciler.
Vaksinat, temperaturat Lojtarët janë këshilluar me e-mail të marrin masat për vaksinim ndaj virusit të mushkonjës Tiger. Por, është dërguar si këshillë dhe jo si detyrim. Ndërsa për kushtet në kampusin në Brazil lojtarët janë informuar me letër dhe verbalisht nga menaxheri Birhof. Të gjithë e dinë se çfarë i pret në Brazil.

Lëv: Duam të fitojmë kupën, por s'jam profet ta parashikoj
Erdhi momenti i së vërtetës! Gjermania është prekur nga ethet e Botërorit në Brazil dhe sot do të nisë fazën përgatitore. Përgjegjësia kryesore bie mbi stafin drejtues, konkretisht mbi trajnerin Joakim Lëv. Teksa e gjithë Gjermania, 80 milionë gjermanë duan Kupën e Botës, strategu gjerman Joakim Lëv është i destinuar t'ua plotësojë dëshirën. Gjatë një interviste për sajtin e federatës gjermane, Lëv nxjerr në pah emocionet, përgatitjet dhe situatën në kombëtare. "Mezi po e presim këtë Botëror. Si asistent dhe trajner do të jetë evenimenti i 4-t ndërkombëtar, por ky Botëror në Brazil do të jetë më i bukuri. Nuk besoj se ka gjë më të bukur sesa një eveniment futbolli në vendin ku adhurohet ky sport. Sigurisht, edhe Botërori 2006 në shtëpi ishte emocional, por presioni ishte tejet i lartë, sidomos pas humbjes së miqësores në mars në Itali", nënvizon Lëv, duke nxjerrë në pah ambiciet për Botërorin: "Jam optimist. Lojtarët që do të vijnë në Brazil duhet të jenë në superformë si nga ana fizike dhe futbollistike. Ne do marrim të gjitha masat në Tirol. Të fitosh Kupën e Botës duhet të jesh 100 për qind i përgatitur në çdo aspekt. Konkurrenca do të jetë e lartë, sidomos rivaliteti me amerikano- jugorët. Unë nuk jam profet të garantoj fitoren e kupës. Nuk është kjo detyra ime. Nëse do të premtoja kupën, kjo nuk do të thotë që kemi siguri maksimale për ta fituar atë. Motoja jonë është: duam të shpallemi kampionë bote, por nuk mund t'ju them do të shpallemi kampionë bote. Ne nuk udhëtojmë në Brazil duke menduar humbjen përkundrazi, kam besim të madh te fitorja. Për mua është e rëndësishme prezantimi i ekipit, i cili përfaqëson 80 milionë gjermanë. Në Brazil pres një futboll të niveleve të larta, ndoshta edhe risi", përfundoi Lëv.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.