VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIGA E KAMPIONËVE - REAL MADRID FITON TITULLIN E DHJETË PAS MINUTAVE SHTESË

E Shtunë, 05.24.2014, 10:57pm (GMT1)



LISBONË - Reali i Madridit është fitues i Ligës së Kampioneve për edicionin 2013-2014. Gjithcka ka ardhur në kohën shtesë, qoftë të kohës së rregullt, qoftë 2×15 minuta, kur skuadra e Karlo Ancelotit e ka parë veten nga "ferri" në "parajsë". Deri në minutën e 93-të, kur kryesori holandez Kuipers kishte akorduar 5 minuta shtesë, ishte Atletiko i Madidit me njërën dorë të vendosur te trofeu prestigjioz për klube në Europë, ndërkohë që asokohe do të merrte kthesën e papritur fati i finales së Lisbonës. Serxhio Ramos eviton disfatën e të tijve me një gol me kokë, duke barazuar shifrat në 1-1, teksa Diego Godin kishte shënuar që në minutën e 36-të për skuadrën e Simeones. Nuk mjafton koha e rregullt dhe skuadrat shkojnë në kohën shtesë, dy herë nga 15 minuta. Kjo gjysmëore lojë do të ishte fatale për kampionët e rinj të La Liga-s, që të prekur edhe nga dëmtimet, nuk arritën të ndalin vrullin e "Los Blancos". Këta të fundit janë rritur maksimalisht psikologjikisht nga goli i barazimit dhe tashmë nuk e heqin "këmbën nga gazi", duke ushtruar presion të madh në prapavijën kundërshtare. Lojtarët e Atletikos mezi mbahen në këmbë, janë të sfilitur fizikisht, ndërsa tri zëvendësimet e Ancelotit, futja në lojë e Iskos, Marselos dhe Moratës, e kanë tjetërsuar Realin e Madridit. Pikërisht nga këmbët e këtyre lojtarëve vjen edhe ndryshimi i madh, ndërkohë që Garet Bejl korigjon vetveten. Pasi ka shpërdoruar disa raste të arta për gol më herët, në minutën e 110-të e kalon Realin në epërsi 2-1. Këtu merr fund edhe qëndresa e Atletikos së Madridit, që pranon supremacinë e mbretërorëve madrilenë, të cilët shënojnë edhe dy herë të tjera, me Marselon në 117' dhe Kristiano Ronaldon në 119. Portugezi deri në atë moment kishte qenë në hije, ashtu sikurse Khedira, që zëvendësoi Ksabi Alonson e pezulluar, por ky rikthim pas një kohe të gjatë nuk rezultoi efikas për gjermanin. Një përmbysje spektakolare e "Los Blancos", që pas 12 vitesh pritje rifitojnë Ligën e Kampioneve, duke kompletuar "La Decima"-n e shumëdëshiruar. Meritë e Karlo Ancelotit, që me zëvendësimet e krtyera ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, por edhe e atij grupi lojtarësh, njëri më cilësor se tjetri, që bëri diferencën karshi heroikëve të Atletikos së Madridit, që panë t'u ikte nga duart për dy minuta ky trofe.

Megjithatë, ata ikin kryelartë nga Lisbona, por edhe nga Liga e Kampioneve, sepse treguan se si me pak para mund të luhet futboll i madh.

Triumf mbretërorësh

Mbase mund të ketë ndikuar afrimiteti me Mbretin spanjoll Franko, por Reali i Madridit ka qenë dhe mbetet klubi më i madh në Spanjë, që pas themelimit të tij më 6 mars 1902, që për më shumë, nga shkurti 2012 etiketohet edhe si klubi me asetet më të pasura në botë. I themeluar nga disa profesorë dhe studentë të diplomuar në Oksford dhe Kambridh, Reali i Madridit nisi dhe u ambientua shumë shpejt me fitoret, duke vendosur një diktaturë në futbollin spanjoll, brenda diktaturës së Frankos, që nuk humbte ndeshje të tyre. Por, pas dominimeve në Primera Divizion me titullin e parë zyrtar në sezonin 1931-1932 (32 tituj në total) dhe Kupën e Mbretit në 1905 (19 kupa në total, plus 9 Superkupa), ata nisën të "pushtojnë" edhe Europën, me 5 Kupa Kampionesh radhazi (9 në total, rekord botëror), duke filluar nga sezoni 1955-1956, ndërsa e fundit daton më 2002. Prej 12 vitesh me radhë, Reali i Madridit ndjek suksesin e dhjetë kontinental, me Karlo Ançelotin që arrin finalen e Champions-it, që në vitin e tij të parë në pankinë. Rekordmeni i prezencave dhe golave të këtij klubi është Raul Gonzales, me 741 ndeshje dhe 323 realizime. "Merenget" apo "galaktikët", siç etiketohen ndryshe madrilenët, janë klubi që kanë bërë tri blerjet më të shtrenjta të historisë, Garet Bejlin verën e kaluar për 100 milionë euro, Ronaldon në 2009-ën për 94 milionë euro dhe Zinedin Zidanin në 2001-shin për 75 milionë euro.

Shifra dhe statistika

- Atletiko mund të bëhet skuadra e 7-të në histori që ngre Champions- in pa humbur asnjë ndeshje gjatë edicionit. Për herë të fundit ia ka dalë Mançester Junajtid në finalen e Moskës 2008.
- Kjo është finalja e 5-të e Champions- it që dy skuadra nga i njëjti vend përplasen me njëratjetrën, por e para mes dy ekipeve të një qyteti.
- Atletiko ka fituar 9 dhe barazuar 3 ndeshje këtë sezon, ndërsa qëndron e pamposhtur në 13 takime radhazi në Champions, që prej humbjes 2-0 në shtëpi me Rubin Kazanin sezonin e shkuar në 1/16-at e Ligës së Europës.
- Reali ka fituar 10 ndeshje, përfshirë 7 nga 8 të fundit dhe ka barazuar 1 këtë sezon në Champions. Humbja e tyre e vetme është 2-0 me Borusian e Dortmundit në çerekfinalen e kthimit në "Signal Iduna Park".
- Në rast triumfi në Lisbonë, Atletiko do të bëhej skuadra e 23-të që fiton Ligën e Kampioneve.
- Reali dhe Atletiko janë përplasur vetëm një herë në Europë, në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve të sezonit 1958/'59. Reali fitoi ndeshjen e parë 2-1, por Aletiko fitoi 1-0 në shtëpi. Në Saragoza u riluajt një ndeshje e tretë, sepse atëherë nuk ekzistonte rregulli i golit në fushë kundërshtare. Mirëpo, Pushkash kualifikoi skuadrën në finalen e 4-ët radhazi.
- Diego Simeone mund të bëhet trajneri i tretë jo europian që fiton Champions-in. Edhe dy të parët janë argjentinas, Luis Karnilia (Real Madrid 1958, 1959) dhe Helenio Herrera (Inter 1964, 1965). (marre nga panoramasport
)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.