VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MIQËSORJA NË GJENEVË - KOSOVA MUNDET EDHE NGA SENEGALI

E Hënë, 05.26.2014, 09:52am (GMT1)



GJENEVË - Kosova ka zhvilluar ndeshjen e dytë radhazi dhe të tretën në historikun e saj, që pas lejimit nga FIFA për të luajtur takime të këtij karakteri, me "fusnotë", pra pa himn dhe simbole kombëtare. Pas humbjes 6-1 në shtëpi me Turqinë, kësaj here skuadra e drejtuar nga Bunjaku është vënë përballë Senegalit, ku ka regjistruar një tjetër humbje, në shifrat 3-1. Një ndeshje që është luajtur në Gjenevë të Zvicrës, në fushë asnjanëse, cka ishte hera e parë për kosovarët, sepse ndaj Haitit dhe turqve kishin luajtur në stadiumin olimpik "Adem Jashari" të Mitrovicës. Në fakt, Gjeneva frymonte me ngjyrat e Kosovës para dhe gjatë miqësores.

Veshjet me ngjyrat kombëtare, kuq e zi, por edhe ato identifikuese të shtetit më të ri të Europës, verdhë e kaltër, dominonin ngado, duke i dhënë nota entuziaste miqësores Kosovë-Senegal. Natyrisht, pritshmëritë e tifozëve kosovarë nuk janë përmbushur, sepse djemtë e Albert Bunjakut janë mundur përballë kundërshtarit, që ishte po ashtu, ishte me mjaft potencial sikurse Turqia. Interesant fakti se në fillim të këtij ballafaqimi, kur po intonohej himni i FIFA-s, tifozët në tribuna kanë fishkëllyer në shenjë mospajtimi për mosnjohjen e plotë të kombëtares kosovare dhe lejimin e përfaqësimit në garat zyrtare ndërkombëtare. Ndeshja nis më ngulmuese për Senegalin, megjithatë kosovarët mbrohen mirë. Rrahmani i ka dhënë siguri deri diku prapavijës së skuadrës së Bunjakut, ndërkohë që sulmi i besohet sërish dyshes Bunjaku-Hushi. I pari do të realizonte në minutën e 25-të, duke zhbllokuar shifrat dhe cuar në dy numrin e golave me fanellën e Kosovës. I njëjti lojtar shënoi edhe të ashtuquajturin gol të nderit në humbjen e thellë 6-1 ndaj Turqisë, pak ditë më parë.

 Situata e kalimit në epërsi nga Kosova ishte e tillë: verdhekaltrit dalin bukur në sulm përmes Albert Bunjakut, i cili ndalet në mënyrë të parregullt nga një mbrojtës senegalez. Goditje e lirë për Kosovën në afërsi të zonës së Senegalit. Kristian Nushi gjuan furishëm, teksa topin e rikthyer nga tranversa, Albert Bunjaku arrin ta fusë në rrjetë me kokë. Barazimi nuk do të vononte shumë, teksa në minutën e 41-të, Senegali tund rrjetën e Mushicës përmes Oumar Niase, pas një rrëmuje në zonën kosovare.

Pjesa e parë mbyllet më këto shifra 1-1, ndërsa e dyta është më e vrullshme për Senegalin. Në minutën e 49-të, Kosova e sheh veten në disavantazh. Pas një gabimi në mbrojtjen verdhekaltër, Oumar Niase shënon sërish me një gjuajtje të bukur. Shifrat rthellohen në 3-1 në minutën e 51-të, kur sulmuesi Diafra Sakho shënon bukur, pas asistimit që mori nga ana e majtë e ofensivës së të tijve. Duhet thënë se lojtari kryesor i Senegalit, Demba Ba, pjesë e Celsit, kishte qëndruar në stol deri në minutën e 63-të. Vetëm në këtë moment, kur rezultati ishte 3-1 për Senegalin, trajneri Giresse vendos ta hedhë në fushë. Në minutën e 75-të ai ka mundësi ta shënojë emrin e vet në listën e shënuesve të kësaj miqësoreje. Sulmuesi i Celsit dribloi tre futbollistë kosovarë, mirëpo në fund u ndal nga portieri Mushica. Pasi ka hedhur në lojë në pjesën e dytë edhe Yll Hoxhën dhe Eroll Fejzullahun, trajneri Bunjaku bën edhe tri zëvendësime të menjëhershme në minutën e 79-të. Largohent Albert Bunjakut, Faton Toski dhe Kushtrim Mushica, në vend të tyre aktivizohen Enis Bunjaku, Julian Biberaj dhe Alban Bunjaku. Mbiemri "Bunjaku" qarkullon me shumicë në kombëtaren kosovare, nga stoli në fushën e blertë, por kjo nuk mjafton dot për të evituar humbjen, e cila gjithsesi nuk pati qasje tenistike, si ndaj Turqisë. Ky duket se është ngushëllimi i vetëm në këtë miqësore të radhës.

KOSOVE-SENEGAL 1-3
Golat: Albert Bunjaku 25' / Oumar Niasse 41', 49', Diafra Sakho 51'
Kosova: Mushica (Alban Bunjaku 79'), Metaj, Alushi, Rrahmani, L.Krasniqi (Zhdrella 54'), I.Bunjaku, Toski (J.Biberaj 79') Albert Bunjaku (En.Bunjaku 79'), A.Avdijaj (E.Fejzullahu 54'), D.Rexhepi (Y.Hoxha 68'), K.Nushi.
Trajner: A.Bunjaku

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.