VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Muhamet Aliu në ndeshjen Hollifild-Valujev më 20 Dhjetor në Zürich
E Djelë, 02.01.2009, 04:10pm (GMT1)

Muhamet Aliu në ndeshjen Hollifild-Valujev më 20 Dhjetor në Zürich

 

17 Dhjetor Voal-online - Ndeshja e së shtunës, 20 dhjetor 2008, në Zyrih midis Holyfield dhe Walujew pritet me interesim të veçantë në Zyrih edhe për faktin se është paralajmëruar se, për ta parë ndeshjen nga afër, do të jetë i pranishëm vetë Muhamet Aliu, legjenda e paperëndueshme e boksit botëror. Komentatorët theksojnë se Holyfield, ndonëse me probleme financiare kohët e fundit, duke qenë tek e fundit zotërues i 200 milionë dollarëve, të fituar në 24 vjet karriere, vjen në Zyrih thjeshtë për t'ia rrëmbyer titullin botëror kundërshtarit. Kundërshtari i tij, po ashtu mezi pret që të rikonfirmojë vetveten në këtë ndeshje. Holyfield ka atë moshë që kishte George Foreman kur rimerrte titullin botëror, 45 vjeçar, prandaj konkurimi i amerikanit të shtunën duhet marrë seriozisht, thonë komentatorët. Nga Holyfield mbahen mend sidomos ndeshjet me Mike Tyson, më 1996, kur e lëshoi atë nokaut dhe ia mori titullin botëror dhe tri vjet më vonë, kur sfiduesi Tyson, duke e parë veten ngushtë ia kafshoi veshin kundërshtarit. Boksieri amerikan është rritur në jug të vendit, jetim nga babai, me dëshirën për t'u bërë futbollist, deri në shkollën e mesme, kur e kuptoi se ishte lindur për boksier. Në 174 ndeshje si amator ai humbi vetëm 14 prej tyre. Pasi zuri vendin e dytë në Lojërat Amerikane të vitit 1983, ai u bë i njohur si boksier, duke arritur sukses edhe në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos dhe duke marrë medaljen e bronxit. Prej vitit 1988 ai u thirr nga adhuruesit e shumtë me emrin "I Madhi" (The Great).

Muhamet Aliu është 66-vjeçar dhe që prej vitit 1984 vuan nga Parkinsoni. Ai është i vetmi boksier i peshës maksimale që ka fituar tri herë radhazi kampionatin botëror. Adhuruesit e panumërt e thërrasin atë "Më i Madhi" (The Greatest), Kampioni (The Champ), Goja e Luisvilit (The Louiswile Lip) e tjerë. Në gjurmët e babait ka ecur e bija, Laila Ali, e cila është kampione absolute në boksin e femrave.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.