VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FUTBOLLI I TRUKUAR I SHQIPËRISË - JA NDESHJET QË DYSHOHEN

E Mërkurë, 06.04.2014, 10:49am (GMT1)


Organizata europiane për luftimin e trukimeve të ndeshjeve të futbollit, e njohur me emrin "FederBet", në një raport të shpallur dje, ka identifikuar edhe futbollin shqiptar se vuan nga kjo sëmundje (në fakt dihet prej kohësh). Ky është përfundimi i kompanisë së specializuar kundër trukimeve, e cila i ka dërguar një raport të hollësishëm Parlamentit Europian me një listë të gjatë të ndeshjeve të dyshuara si të manipuluara, ku bëjnë pjesë e disa takime të kampionatit shqiptar. "FederBet" është organizatë e formuar nga kompanitë e basteve për të luftuar fenomenin e trukimeve të ndeshjeve dhe është me seli në Belgjikë. Është një kompani serioze, e cila nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FIFA-n, Federatën Spanjolle të Futbollit, si dhe me disa klube të rëndësishme europiane për evidentimin e sfidave të dyshuara si të trukuara.
NDESHJET
Sipas të dhënave të para, janë ndeshje të Kategorisë Superiore si edhe takime për Kupat e Europës, të cilat janë përfunduar në rrjetën e trukimeve të ndeshjeve. Janë dy takime nga Superiorja, që janë pjesë e hetimit të "FederBet". Bëhet fjalë për takimet Lushnja-Teuta, e përfunduar me rezultatin 0-2 (e luajtur më 30 prill 2014), si edhe për takimin Kastrioti-Tirana, 2-3, (luajtur po në të njëjtën datë). Dy sfidat e luajtura në kuadër të javës së 30-të të Kategorisë Superiore kanë qenë të trukuara. Sa i përket trukimit të ndeshjeve në rang ndërkombëtar, pjesë e hetimit janë gjithashtu edhe katër takime të vlefshme për eliminatoret e Kupave të Europës, ku janë dy takimet e Skënderbeut kundër Shaktar Karagandit dhe të Teutës kundër moldavëve të Daçia Çisinaut. Një tjetër sfidë e dyshuar si e trukuar, ku është përfshirë një tjetër skuadër shqiptare, është miqësorja mes Freiburgut dhe Laçit në muajin janar të këtij viti dhe që përfundoi me fitoren 2-0 të gjermanëve. Janë gjithsej 460 ndeshje të dyshuara në Europë, ndërsa për 110 prej tyre ka prova se janë të trukuara.

PRECEDENTET

Nuk është hera e parë që kompani të specializuara apo medie të ndryshme kanë denoncuara ndeshjet e kampionatit shqiptar të futbollit apo të Kupës së Shqipërisë, madje dyshime ka deri te ndeshjet e kombëtares shqiptare, nga ekipi A deri tek U-17. Në vitin 2012, një kompani e ngjashme me "FederBet", e klasifikoi futbollin shqiptar si më të trukuarin në Europë, duke deklaruar se 90% e ndeshjeve të Superligës shqiptare dhe të Kupës së Shqipërisë manipuloheshin. Edhe UEFA ka sjellë disa dosje në FSHF për takime të ndryshme, por realiteti është se asnjë skuadër, president, futbollist apo individ nuk është dënuar apo të jetë marrë masë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.