VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BOTËRORI 2014 - JA SA I KUSHTON NJË SHQIPTARI

E Mërkurë, 06.04.2014, 10:53am (GMT1)


TIRANË - Praktikisht për të parë një ndeshje nga seria e Botërorit, një shqiptari i duhet të harxhojë minimumi 5 mijë euro. Kështu shkruan sot një artikull tek e përditshmja "MAPO" ku agjencitë turistikë shpjegojnë se në këtë moment, mënyra më e përshtatshme është linja ajrore me tranzit nga Turqia, që kushton mbi 2000 mijë euro. Më parë, gjatë tetorit të vitit të kaluar janë prenotuar bileta për në Brazil, të cilat kushtonin 1400 deri në1600 euro. Ndërsa bileta për ndeshjen e hapjes së Botërorit që do të zhvillohet të shtunën e kësaj jave, ka kushtuar plot 750 euro. Për ndeshjet e tjera biletat vërtiten tek 200 eurot. Kësaj kostoje veç të tjerash i shtohet edhe çmimi i hoteleve, i cili në qytetet ku po zhvillohen ndeshjet shkon edhe në 500 euro nata.

Por një kosto të lartë krijon udhëtimi brenda për brenda Brazilit. Qytetet ku zhvillohen ndeshjet janë edhe 2 mijë kilometra larg njëri-tjetrit dhe çmimi i udhëtimit është shumë i shtrenjtë. Sidomos tani për Botërorin, mediat vendase flasin për një pesëfishim të çmimeve të biletave. Sipas një kostoje mesatare që nxjerrin agjencitë turistike në vendin tonë, pa 5 mijë euro është e vështirë të fluturosh drejt Brazilit.

Veç të tjerash, të udhëtosh në Brazil gjatë Botërorit rrezikon të kthehet në një torturë, veçanërisht për të huajt, të cilët nuk janë të mësuar me funksionimin e keq të transportit ajror lokal në këtë vend. Linjat ajrore janë alternativat e vetme më të mira për të udhëtuar në këtë vend të madh me më shumë se 200 milionë banorë dhe që ka pak lidhje mes qyteteve e aeroporteve. Për ata që duan të përdorin makinën, këshilla vlen që kjo të përdoret për rrugë të shkurtra: nga hoteli në stërvitje, apo stadium. Rrugët janë të mira, por në shumicën e rasteve trafiku është shumë i madh.

Për Botërorin priten 600 mijë tifozë nga e gjithë bota, ndërkohë që parashikohen edhe 3 milionë tifozë që do të lëvizin nga një qytet në tjetrin gjatë gjithë Botërorit. Një problem sot në Brazil është edhe blerja e biletës së avionit online për të huajt, pasi çmimet për periudhën e Botërorit janë 5-6 fishuar. Një biletë brenda për brenda Brazilit kushton sa një udhëtim nga Parisi në Brazil, apo nga Roma në Majemi.

Kush do e shohë? Ata që udhëtojnë drejt Brazilit për Botërorin, më së shumti janë milionerët dhe emigrantët shqiptarë jashtë vendit. Milionerët shqiptarë që kanë edhe mundësi financiare nuk përdorin agjencitë turistike. Shpenzimet e një udhëtimi të këtij niveli kapin edhe 20 mijë euro. Shumica e tyre kanë qenë edhe më parë në Brazil dhe kanë krijuar bazat e orientimit. Pastaj kur vjen fjala për Botërorin, ata janë kujdesur me kohë dhe për të parë skuadrën e tyre të zemrës nuk bëjnë shumë llogari. Kategoria tjetër e shqiptarëve janë emigrantët. Kryesisht ata që jetojnë në Europë dhe kanë një stabilitet të mirë financiar kanë gjetur me kohë ofertat për të udhëtuar drejt Brazilit.

Si merret viza? Koha për marrjen e vizës në Konsullatën e Brazilit në Shqipëri zgjat rreth tri ditë. Për të marrë vizën, personit i duhet të paraqesë biletën (vajtje-ardhje); vërtetim për akomodim (rezervimin e hotelit) dhe vërtetim që ka para në bankë për të mbuluar ditët e qëndrimit në Brazil. Për të shkuar në Brazil me qëllim marrjen pjesë në Kupën e Botës, nevojitet të paraqitet bileta.

Por megjithate, Brazili është bërë vitet e fundit një destinacion i lakmueshëm edhe për shqiptarët. Vendi i largët është kthyer në një oaz për milionerët shqiptarë, të cilët tashmë frekuentojnë rregullisht plazhet e Rios dhe qyteteve të tjera. Por jo më shumë 200-300 shqiptarë udhëtojnë në vit, sipas të dhënave të Shoqatës së Turizmit.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.