VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kreshnik Qato Kreshniku - Boksieri Qato mbron titullin e kampionit të botës në Uashington
E Djelë, 02.01.2009, 04:15pm (GMT1)

Kreshnik Qato Kreshniku : Boksieri shqiptar Qato mbron titullin e kampionit të botës në Uashington

 

22 dhjetor (Voal-online)- Zëri i Amerikës, në emisionin e tij Ditari të ditës së djelë, dha pamje të ndeshjes së kampionit botëror të boksit, shqiptarit Kreshnik Qato në mbrojtje të titullit.

Në natën midis së shtunës dhe të dielës, siç bën të ditur kjo radio në Uashington u zhvillua ndeshja e boksit midis kampionit botëror për peshën super të mesme, shqiptari Kreshnik Qato dhe amerikanit Dejvid Estrada. Ndeshja filloi me hymnet kombetare të të dy vendeve, në prani të disa qindra spektatorëve, shumë prej të cileve shqiptarë të ardhur nga shtetet të ndryshme të Amerikes si Miçigan, Ilinoi, Nju Jork, Nju Xhersi e Pensilvania. Ndeshja përfundoi me fitoren e Qatos i cili ruajti epërsine gjatë gjithë takimit. Grushtet e njëpasnjëshëm të boskierit shqiptar e detyruan amerikanin Dejvid Estrada të dorëzohej në minutën e dytë të raundit të 6. Të në emisionin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës kishte të ftuar në studio z. Ylli Ndroqi, sponsor i boksierit shqiptar me banim në Britani.

Ylli Ndroqi, duke folur për boksierin e shquar Kreshnik Qato, tha se ai i ka arritur sukseset e para të rëndësishme në karrierën sportive pa ndihmën financiare të askujt. Ndihma financiare është e domosdoshme për një ngjitje të suksesshme në këtë sport. Deri në vitin 2004 Kreshniku ka mbështetur veten financiarisht me ato pak kursime që ka arritur të mbledhë në Britani, ku jeton dhe punon prej shumë vitesh. Në vitin 2004 Ylli Ndroqi e ka takuar në Londër boksierin dhe janë marrë vesh që ky ta financojë boksierin shqiptar në karrierën e tij të mëtejshme. Kreshniku arriti të rrëmbejë titullin e kampionit botëror në peshën super të mesme në versionin WBF (World Boxing Foundation). Ndeshja u zhvillua në qytetin e Durrësit, ku është lindur dhe është rritur kampioni botëror Kreshnik Qato. Ishte 4 prilli i vitit 2008, kur ai, pas plot 12 raundesh, mundi portugezin Vitor Sà.

I intervistuari sqaroi se, për të zotëruar përfundimisht titullin e kampionit botëror në federatën përkatëse, boksierit i duhet të bëjë dy ndeshje në mbrojtje të titullit. Ndeshja e parë ishte kjo që u zhvillua në Uashington D.C. Ai kishte përballë një kundërshtarë tejet të papërmbajtur dhe tejet grushtues. Qato arriti ta zotërojë ringun qysh në raundin e tretë. Raundi i pestë, tha Ndroqi, ishte një maratonë grushtimesh të fuqishme të njëpasnjëshme që Qato i dha kundërshtarit. Në fillim të raundit të gjashtë, për të mos pësuar dëmtime të mëtejshme, Dejvid Estrada u detyrua të dorëzohej, duke u shënuar kështu një fitore tjetër e rëndësishme në karrierën e Qatos. Sipas ritualit, traineri i Estradës, hodhi peshqirin në tapetin e ringut, çka shënonte dorëzimin e kundërshtarit të boksierit tonë.

Qato, siç tha Ndroqi në intervistën e tij, pas titullit kampion në këtë federatë, e cila është federata e tretë në rangun botëror të federatave të boksit, ka ndërmend të rrëmbejë titujt në federatën e dytë dhe në federatën e parë të boksit botëror, në mënyrë që të arrijë të jetë kampion absolut i boksit botëror në peshën e tij. Sponsori i boksierit tha se ka vendosur që ndeshjet e ardhshme të Kreshnik Qatos të zhvillohen në Tiranë, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi".

Ai tha se Kreshnik Qato, ndonëse prej vitesh jeton dhe punon në Britaninë e Madhe, mban pasaportën shqiptare dhe, pra, shtetësinë shqiptare, dhe të gjitha ndeshjet i zhvillon me flamurin shqiptar dhe me himnin tonë kombëtar.

Siç e pamë edhe në ekranin e emisonit Ditari të Zërit të Amerikës, salla e kompleksit sportiv "Burr Arena" e Universitetit "Harward", ku 30 vjeçari shqiptar korri suksesin e ri tejet të rëndësishëm, ishte plot me flamuj shqiptarë dhe gjatë gjithë kohës jehonte nga thirrjet e shqiptarëve, që trimëronin boksierin Qato, më mirë epikun shqiptar të boksit botëror, Kreshnik Qato Kreshnikun.

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.