VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BRAZIL 2014 - JA 10 LIDERËT E SKUADRAVE TË MËDHA

E Shtunë, 06.07.2014, 02:42pm (GMT1)



Janë 32 skuadra finaliste në Botërorin e Brazilit dhe natyrisht secila skuadër kërkon të shkruajë historinë e vet, sipas pretendimeve. Kombëtaret pjesëmarrëse natyrisht që udhëhiqen nga liderët e tyre, të cilët në këtë Kupë Bote nuk janë të paktë. Por le të përmendim 10 prej tyre, të 10 skuadrave që njëkohësisht janë edhe pretendente për ta fituar Botërorin.

1. K.RONALDO
Goleadori i Portugalisë, fituesi i "Këpucës së Artë". Ishte pikërisht sulmuesi i Realit të Madridit, ai që me golat e tij në "play-off" kualifikoi luzitanët për në Brazil. Por Ronaldo është i dëmtuar dhe nuk dihet a do të jetë në ndeshjen e parë kundër Gjermanisë. Një gjë është e sigurtë, e gjithë Portugalia shpreson tek ai.

2. MESI
Lionel Mesi, futbollisti më i shtrenjtë në botë. Sulmuesi i Barcelonës kërkon të bëjë atë që nuk bëri më 2010-ën me Argjentinën, kur u largua nga Botërori pa shënuar gol. Presioni është sërish mbi të, por pritet shkëlqimi i tij. Nëse Mesi do të fitonte Kupën e Botës, emri i tij do të shkruhej me të arta.

3. NEJMAR
Nejmar, lideri më i ri i këtij eventi madhështor. Braziliani kërkon të udhëheqë të tijtë drejt fitimit të titullit të gjashtë, aq më tepër që luan në shtëpinë e tij. Deri tani e ka bërë mirë rolin e liderit, por ai thotë se nuk është 100% të formës së tij dhe kjo ka trembur jo pak tifozët vendës.

4. SUAREZ
Luis Suarez, më i kërkuari në merkato. Real Madrid ka ofruar 90 milionë euro për të. Uruguajani ka bërë një sezon shumë të mirë me Liverpulin dhe me golat e tij kërkon ta ngjisë sërish në piedestal Uruguajin, ashtu si në 1950-ën, kur çelestët triumfuan në Brazil. Suarez mund të jetë "fantazma" e të gjithëve.

5. VAN PERSI
Robin Van Persi, holandezi në gjurmët e Krujfit. Së bashku me Roben, sulmuesi i Mançester Junajtid kërkon ta çojë Holandën e tij sërish në finale, ashtu si më 2010-ën, me ndryshimin për ta fituar Botërorin kësaj radhe. Holanda pret shumë nga ai, sepse Van Persi i vetëm mund të zgjidhë një ndeshje.

6. INJESTA
Andres Injesta, autori i golit të Spanjës 4 vjet më parë në finalen e Afrikës së Jugut, kur për herë të parë Spanja ngriti Kupën e Botës. Sërish pritet shumë nga ai, aq më tepër që forma e Ksavit nuk është ajo e para 4 viteve. Spanjollët me Injestën në fushë ndihen më të sigurtë dhe kjo vihet re lehtë.

7. RUNI
Uejn Runi, djaloshi me muskuj shumë. Edhe pse nuk është ai kapiteni i Anglisë, nga këmbët e tij pritet shumë, pse jo, për ta rikthyer skuadrën angleze në majë, ashtu si më 1966-ën. Në Angli janë skeptikë, por Runi ka treguar se atëherë kur nuk e pret, të godet dhe shënon gola nga më spektakolarët.

8. PIRLO
Andrea Pirlo, lideri veteran i Botërorit, një lider i padiskutueshëm. Numri 10 i Italisë, me asistet dhe goditjet perfekte standarde, mund t'i shpallë për herë të pestë kampionë axurrët. Pirlo e ka eksperiencën, me të në fushë, Italia është shpallur kampione bote edhe më 2006-ën.

9. OZIL
Mesut Ozil, motori i Gjermanisë. Është folur se Gjermania nuk ka lider këtë Botëror, por edhe pa të nuk është. Ozil është dirigjenti, ndaj del mbi të tjerët. Sesa i rëndësishëm është ai për pancerat, mjaftojnë të shohim ndeshjet kur ai nuk ka qenë në fushë. Mund të jetë ylli i Botërorit 2014.

10. RIBERI
Frenk Riberi, punëtori dhe fjalëpaku. Lideri i Bajernit të Mynihut do të udhëheqë Francën në Brazil me një barrë mbi shpatulla, për të shlyer dështimin e 4 viteve më parë, ku francezët u eliminuan që në fazën e grupeve. Nuk do të jetë e lehtë, pasi ai vuan nga një dëmtim.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.