VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË ZGRIP BELGJIKA MPOSHT RUSINË DHE KUALIFIKOHET

E Djelë, 06.22.2014, 08:03pm (GMT1)


Belgjika vuan sërish për të gjetur fitoren, por në fund e sheh veten të kualifikuar, madje në vend të parë në grupin H. Një lojë e mundimshme e belgëve përballë Rusisë, me shumë raste që në pjesën e parë, por goli i vetëm i takimit do të vinte pikërisht në minutën e 88-të, kur të besuarit e trajnerit Mark Vilmots ndërtojnë një kundërsulm.

Nga e majta përparon shumë mirë deri në fundore Hazard, i cili jep një asist për Orixhin, që pak metra përballë portës nuk gabon. Me fat sërish Belgjika, por gjithsesi, vijon të lakohet si një nga skuadrat që mund të bëjë surprizën në këtë Botëror, pse jo, të shkojë deri në gjysmëfinale. Edhe në këtë takim nuk është aktivizuar për asnjë minutë mesfushori me origjinë kosovare Adnan Januzaj.

Ndoshta trajneri do t'i japë hapësirë në ndeshjen e tretë kundër Koresë së jugut, meqë edhe kualifikimi është siguruar për në fazën e 1/8 finale. Ndërsa Rusia ka vetëm shanse matematikore për në ndeshjen e fundit, pasi mbetet vetëm me një pikë në këtë grup. Rusia e Kapelos mbetet larg atij ekipi që jemi mësuar ta shohim kohë më parë, edhe pse ishte favorite për të kaluar grupin bashkë me Belgjikën.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.