VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BOTËRORI  2014 - PËRFUNDUAN NDESHJET NË GRUPIN B
Holanda e para, Kili i dyti, pastaj Spanja e Australia

E Hënë, 06.23.2014, 08:37pm (GMT1)


Kanë përfunduar takimet e fundit në Grupin B të Botërorit 2014 ku dy skuadrat kualifikuese tashmë ishin të njohura nga xhiroja e kaluar.

Holanda dhe Kili, që me nga dy ndeshje të fituara pas dy xhirove kishin siguruar kalimin tutje, u takuan në ndeshjen e fundit për të vendosur liderin e grupit.

Në anën tjetër, kampioni në fuqi, Spanja, që dështoi në dy takimet e para, u takua me Australinë, që gjithashtu ishte pa pikë.

Holanda mposht Kilin për pozitën e parë

Holanda ka mposhtur Kilin në duelin e drejtpërdrejtë për pozitën e parë të Grupit G me rezultat 2 me 0.

Të dy golat në fitoren e tretë, Holanda i shënoi në pjesën e dytë.

Fillimisht, zëvendësuesi Leroy Fer me kokë mposhti Bravon e Kilit. Fer shfrytëzoi për mrekulli harkimin e Daryl Janmaat në minutën e 77-të.

Në fund të takimit, Memphis Depay nga afërsia pranoi pasimin e Robbenit për të përmbyllur fitoren e Holandës me rezultat 2 me 0.

Holanda kalon në 1/8 e finales me bilanc të qind për qindtë si e para ku do të ballafaqohet me të dytin e grupit A.

Spanja arrin fitoren e parë

Pas dy humbjeve të turpshme të Spanjës, përfaqësuesja e Vicente Del Bosques ka arritur fitoren e parë në Botëror edhe pse ishte e parëndësishme. Spanjollët mposhtën Australinë me rezultat 3 me 0.

Golin e parë në takim e realizoi David Villa i cili shënoi në minutën e 36-të. Ai prishi heshtjen e rrjetave në mënyrë akrobatike pas pasimit të Juanfranit.

Në pjesën e dytë realizuan edhe sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres dhe Juan Mata. Torres shënoi pas asistimit të Andreas Iniestas në minutën e 69-të, ndërsa Mata realizoi golin e fundit të Spanjës në minutën e 82-të.

Me vetëm tre pikë, Spanja nuk arrin të mbrojë titullin e më të mirës në botë duke u kthyer në shtëpi pas fazës së grupeve.

Tabela përfundimtare e Grupit B

  1. Holanda  9 pikë
  2. Kili         6 pikë
  3. Spanja   3 pikë
  4. Australia 0 pikë

Rivalët e Holandës dhe Kilit në 1/8 e finales do të caktohen nga ora 22:00 kur zhvillohen takimet e Grupit A.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.