VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GREQIA KALON NË TURIN E DYTË, KOLUMBIA ELEMINON JAPONINË

E Mërkurë, 06.25.2014, 06:41am (GMT1)


Kolumbia, Japonia, Bregu i Fildishtë dhe Greqia kanë zhvilluar takimet e fundit në Grupin C për të përcaktuar dy skuadrat kualifikuese në fazën tjetër.

Kolumbia veçse e kishte arritur një gjë të tillë pas dy fitoreve në ndeshjet e para. Tri kombëtaret tjera ishin në garë për skuadrën e dytë që do vazhdonte tutje.

Japonia, që kishte vetëm një pikë, u takua me Kolumbinë, ndërsa Bregu i Fildishtë, që mund të kualifikohej me vetëm një barazim, u ballafaqua me Greqinë së cilës i duhej gjithsesi fitorja.

Kolumbia me pikë maksimale vazhdon para

Kolumbia ka mposhtur Japoninë në takimin e fundit për të siguruar pozitën e parë në Grup me pikë maksimale.

Rezultati përfundimtar ishte 4 me 1.

Dy gola u shënuan në pjesën e parë. Fillimisht Kolumbia avancoi me Juan Cuadrado që konvertoi në gol goditjen nga pika e bardhë në minutën e 17-të.

Japonia barazoi në minutën e fundit të pjesës së parë përmes Shinji Okazak që me kokë mposhti kolumbianët pas harkimit të Keisuke Hondas.

Në pjesën e dytë Kolumbia shënoi sërish për të kthyer epërsinë në favor të tyre.

Jackson Martinez dërgoi një goditje në portën e japonezëve në minutën e 55-të. James Rodriguez ishte asistuesi i Martinezit.

Tandemi Rodriguez Martinez doli sërish në skenë për rezultatin 3 me 1. Martinez shënoi një gol të bukur në minutën e 82-të për golin e dytë personal në Brazil.

Dhe në fund, në minutën e 90-të, asistuesi i dy golave të Japonisë, James Rodriguez, shënon një gol të bukur për rezultatin final të ndeshjes, 4 me 1.

Pasi siguroi fitoren, përzgjedhësi i Kolumbisë, Pekerman, zëvendësoi portierin Ospina me Mondragoin për të thyer rekordin sa i përket lojtarit më të moshuar në Botëror. Tani rekordi i ri i përket 42 vjeçarit Mondragon.

Greqia, në minutën e fundit, eliminon Bregun e Fildishtë

Greqia, vetëm në minutat e fundit të lojës shtesë, ka arritur të nxjerrë një fitore të vlefshme pas konvertimit në gol të një penaltie.

Fitorja ishte opsioni i vetëm që grekët të kalonin tutje, e ata filluan të shpresonin se do të arrinin 1/8 e finales pas golit të Andreas Samaris. Ai shënoi në minutën e 42-të pas një gabimi në mesfushë nga "elefantët".

Në fillim të pjesës së dytë Greqia ishte afër golit vulosës për pozitën e dytë në grup. Georgios Karagounis provoi me një goditje nga distance në minutën e 68-të. Goditja e tij u ndal nga shtylla.

Wilfried Bony arriti golin e dytë në Botëror në minutën e 74-të nga afërsia pas pasimit të Gervinhos për të barazuar rezultatin në 1 me 1.

Kur u mendua se ky gol do të ishte i fundit në takim, dhe që do të dërgonte Bregun e Fildishtë drejt 1/8 së finales, Greqia befasoi të gjithë kur u akordua një penalti për grekët në minutën e parafundit, duke e çuar rezultatin final në 2 me 1.

Tabela përfundimtare e grupit C

  1. Kolumbia 9 pikë
  2. Greqia 4 pikë
  3. Bregu i Fildishtë 3 pikë
  4. Japonia 1 pikë

Kolumbia do të takohet me Uruguain në fazën tjetër ndërsa Greqia me Kostarikën


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.