VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HOLLANDA MUND 2-1 MEKSIKËN DHE KALON NË ÇEREKFINALE
Do të luajë me Kosta Rikën që eleminoi Greqinë

E Hënë, 06.30.2014, 05:54am (GMT1)



BRAZIL - Holanda vë zemrën në fushë dhe bën përmbysjen e madhe "in extremis". Kur të gjithë mendonin se Meksika ishte çerekfinalistja e radhës, pas golit të shënuar në fillim të pjesës së dytë, ndodhi befasia e madhe. Uesli Shnajder barazon fillimisht në minutën e 88-të, një gjuajtje potente nga cepi i zonës, ku portieri meksikan vetëm mund ta shoqëronte me sy.

1-1 dhe Meksika sikur fiket, ndërsa Holanda merr zemër. Ndërkohë kishte nisur koha shtesë. Dhe sërish heroi i fitores duket se do të ishte Arjen Roben, pasi ai fiton penallti, edhe pse e dyshimtë. Nga 11-metërshi i besohet Huntelarit, që ishte hedhur në fushë si zëvendësues në vend të Van Persit. Sulmuesi i Shalkes nuk gabon, gjen cepin e portës dhe 2-1 për Holandën. Festa është e gjitha portokalli, tifozët tulipanë i gëzojnë fitore. Nuk ka më kohë. Meksika nuk arrin të ndërtojë një aksion për të barazuar dhe Holanda e sheh veten në çerekfinale të Botërorit, ashtu si Brazili me Kolumbinë.

Megjithatë, Holanda ndaj Meksikës nuk ka bindur ashtu si në fazën e grupeve. Menjëherë kritikët e kanë cilësuar fitoren ndaj Meksikës me fat, ashtu si atë të Brazilit. Gjithsesi, tulipanët kërkojnë finalen e dytë rresht dhe të katërtën në histori, për të shpresuar më pas te triumfi i parë.

Në raundin tjetër, Holanda do të luajë kundër Kosta Rikës e cila doli fituese ndaj Greqisë me penallti në ndeshjen që u luajt mbrëmë ne oren 22:00.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.