VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REFIK HALILI IU KËRKON FALJE TIFOZËVE TË VLLAZNISË DHE GJITHË SHKODRËS

E Mërkurë, 09.17.2014, 12:13pm (GMT1)



TIRANE -  Donatori i Tiranës, Refik Halili, u kërkon falje tifozëve të Vllaznisë dhe gjithë Shkodrës për atë që ndodhi në ndeshjen e fundit në "Loro Boriçi".

Në një lidhje telefonike dje në mbrëmje për televizionin lokal të Shkodrës, "Star Plus", Halili konfirmoi se klubi bardheblu është gati të paguajë dëmet e shkaktuara nga tifozët e Tiranës. "U kërkoj falje të gjithë tifozërisë shkodrane. U kërkoj falje të gjithë nënave shkodrane për panikun e krijuar. Jemi të gatshëm që të shtrijmë dorën e pajtimit në të mirë të futbollit. Jemi të gatshëm të paguajmë edhe dëmet e shkaktuara nga tifozët tanë. Nuk është në të mirë të askujt që të mbyllen stadiumet. Ne ende nuk kemi apeluar dhe ndoshta nuk apelojmë fare vendimin e FSHF-së. Shkodra dhe Tirana janë dy klube me shumë traditë. Jam i gatshëm të vij në Shkodër dhe ta mbyllim këtë histori. Nuk është politika, as vetë FSHF, por vetëm ne klubet që mund ta mbyllim këtë histori. Sa i përket deklaratës time pas ndeshjes në gazetë, mund të them se kam qenë i nxituar, sepse nuk i kam parë pamjet televizive", ka thënë dje Halili. Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së dhunshme në Shkodër, donatori i bardhebluve foli ekskluzivisht për "Panorama Sport", duke thënë se e kanë goditur tifozët e Vllaznisë, në momentin kur po shkonte të qetësonte ultrasit e Tiranës. Mirëpo, videoja e shfaqur në TV tregoi të kundërtën dhe se Halili ishte goditur me një send të fortë në kokë, i ardhur nga tribuna ku ishin të vendosur tifozët e Tiranës. Gjatë këtyre ditëve ka pasur jo pak polemika mes drejtuesve të Vllaznisë dhe atyre të Tiranës.

Reagimi - Në lidhjen direkte në emisionin sportiv të gazetarit Anton Zalli, ka reaguar menjëherë edhe zv.presidenti i Vllaznisë, Isuf Isufi. "Jam i gatshëm që të pajtohemi. Shpresoj që Halili të jetë i sinqertë dhe të marrë përsipër ato çfarë deklaroi. E përgëzoj për faljen publike dhe marrjen përsipër të fajit. Ne kemi pasur marrëdhënie të mira si klube dhe duhet ta ruajmë përsëri këtë miqësi", deklaroi zv.presidenti Isufi.

ÇFARË THA NJË DITË PAS NDESHJES
Në një intervistë ekskluzive vetëm 24 orë pas ngjarjes së dhunshme në Shkodër, donatori i Tiranës, Refik Halili, ndër të tjera deklaroi: "Fillimisht i kërkova skuadrës që të rikthehet në fushë dhe të vazhdojë ndeshjen dhe më pas shkuam bashkë me Isufin te tifozët respektivë. Në këtë moment u godita. Guri nga pas kokës nuk mund të më vinte kurrsesi nga ata sepse i kisha përballë. Ndaj mendoj se guri ka ardhur nga tifozët e Vllaznisë".

Morina: Më mirë humb derbin, se të luash pa tifozë
Gjithçka mund të pranohet te Tirana, por assesi nuk mund të përfytyrohet një ndeshje derbi me Partizanin pa praninë e tifozëve. Duke qenë se klubi bardheblu është dënuar nga Komisioni i Disiplinës pas incidenteve në ndeshjen me Vllazninë, derbi me të kuqtë (por jo vetëm, pasi si rregull, nëse nuk do ulet dënimi nga Komisioni i Apelit, edhe derbi i fazës së tretë do luhet pa tifozë), do të luhet pa praninë e asnjë tifozi, si nga Tirana, por edhe nga Partizani. Një gjë e tillë nuk është pritur mirë as nga njëri prej donatorëve të Tiranës, Julian Morina, i cili ka theksuar se ai së bashku me Refik Halilin janë gati të paguajnë vetëm e vetëm që derbi të luhet me tifozë.

Deklarata - "Vendimi për zhvillim të ndeshjeve pa tifozë për një kohë të gjatë më duket shumë i rëndë, pasi Tirana si skuadër nuk përfaqësohet nga vetëm disa tifozë. Në këtë mënyrë do duhet që të luajmë ndeshjen me Partizanin pa praninë e tifozëve dhe kjo gjë për mua është e papranueshme. Për mendimin tim, më mirë të humbësh ndeshjen derbi, sesa të luash pa tifozë. Ajo ndeshje nuk ka kuptim që të luhet pa praninë e tyre. Të gjithë e dimë fort mirë vlerën që ka derbi i Shqipërisë, entuziazmin dhe atmosferën që prodhon ajo ndeshje dhe në gjykimin tim do të ishte mëkat që takimi të luhej pa tifozë. Në këtë këndvështrim, neve si drejtues të Tiranës do t'i kërkojmë FSHF-së që ta rishikojë këtë vendim. Ne jemi gati që të paguajmë dënimin, por vetëm të luhet me praninë e tifozëve, pasi futbolli është bërë për këta të fundit", ka thënë Morina gjatë emisionit "Rubrika Sportive" në TVSH.

Gjobat - Më pas donatori i bardhebluve ceku edhe problematikën e shfaqur së fundmi në kampin bardheblu, me kartonët e shumtë të marrë nga lojtarët, në mjaft raste për gjaknxehtësi. Sipas tij, kjo gjë është e pafalshme dhe ai do kërkojë që të merren masa ndaj këtyre lojtarëve, cilitdo qofshin ata. "Do të bëjmë një mbledhje në një nga këto ditë, ku si temë do jenë kartonët e shumtë që marrin lojtarët. Është e patolerueshme sipas meje që lojtarë profesionistë, të mirëpaguar, të marrin kartonë të pafalshëm duke kushtëzuar punën e trajnerit dhe të skuadrës. Këtu e kam fjalën për të gjithë, pa përjashtim. Unë do të propozoj që këta lojtarë të gjobiten për kartonët që kanë marrë në ndeshjet e para, pasi e mendoj të drejtë që përderisa ne si donatorë i paguajmë deri në qindarkën e fundit, dëshirojmë nga të gjithë profesionalizëm, si në fushë, edhe jashtë saj", tha Morina. L.Karaj

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.