VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT E ZVICRËS KËRKOJNË TITULLIN NË EVROPIAN
E Shtunë, 06.11.2011, 10:28am (GMT1)

Publikuar: 11.06.2011 - 09:43

Prishtinë, 11 qershor - Futbollistët shqiptarë pritet të jenë bartës të lojës së Zvicrës në kampionatin evropian të shpresave (U-21) që nis të shtunën (sot). Për Zvicrën në evropianin që mbahet në Danimarkë do të paraqiten plot pesë futbollistë shqiptarë. Zvicra ndeshjen e parë e luan të shtunën (sot) nga ora 20:45, ndërsa përballë do të ketë pikërisht Danimarkën. Ngjyrat e Danimarkës në evropian do t'i mbrojë sulmuesi shqiptar Bashkim Kadrii. Për Zvicrën do të paraqiten mesfushorët Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Amir Abrashi e Pajtim Kasami si dhe sulmuesi Admir Mehmedi. Shaqiri, Xhaka e Abrashi janë nga Kosova, ndërsa Mehmedi e Kasami kanë prejardhje nga Maqedonia.

Zvicra bën pjesë në grupin A së bashku edhe me Danimarkën, Islandën e Bjellorusinë. Në grupin B, që vlerësohet më i vështirë, garojnë Anglia, Ukraina, Spanja e Çekia.

"Ekipin e kemi shumë të fortë dhe mund të luftojmë për vendin e parë. Jemi gjeneratë shumë e mirë dhe realisht jemi më cilësorët të paktën në grupin tonë", ka thënë mesfushori Amir Abrashi të premten për gazetën.

Abrashi (21) është pjesë e ekipit zviceran Grasshoppers, ndërsa për shpresat e Zvicrës ka luajtur shtatë herë. Xherdan Shaqiri (Basel) ka dy paraqitje për U-21 të Zvicrës, Granit Xhaka (Basel) një paraqitje, Admir Mehmedi (Zuerich) pesë paraqitje e një gol, ndërsa Pajtim Kasami (Palermo) ka shënuar një gol në tetë paraqitjet e deritashme. Shaqiri, Xhaka e Mehmedi janë pjesë edhe e përfaqësueses A të Zvicrës. Xhaka e Mehmedi në përfaqësuesen A kanë debutuar para një jave, në takim kundër Anglisë. Në atë takim Shaqiri e Xhaka ishin startues, ndërsa Mehmedi u aktivizua në pjesën e dytë.

"Është shumë pozitive që në përfaqësuese jemi pesë futbollistë shqiptarë. Ne e kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Rrimë bashkë dhe i ndihmojmë njëri- tjetrit. Pres që shqiptarët të jenë bartësit kryesorë të lojës së Zvicrës", ka theksuar Abrashi. Ai nuk e di nëse do të jetë startues në ndeshjen e parë. Pranon që konkurrenca për një vend në mesfushë është shumë e fortë.

Mesfushorët Granit Xhaka e Pajtim Kasami para dy vjetësh me përfaqësuesen U-17 të Zvicrës dolën kampion bote. Përvojën më të madhe nga futbollistët shqiptarë e ka Xherdan Shaqiri. Ai ka 11 paraqitje për Përfaqësuesen A të Zvicrës. 19-vjeçari është paraqitur edhe në kampionatin botëror që vitin e kaluar u mbajt në Afrikë të Jugut.

Sulmuesi i Danimarkës, Bashkim Kadriu ka prejardhje nga Maqedonia. Ai luan për ekipin e njohur danez, Odense.

Kampionatet evropiane të shpresave vlerësohen shumë të rëndësishme për futbollistët e rinj. Këta evropianë përcillen nga skautë të klubeve më të mëdha evropiane. Në të kaluarën shumë futbollistë të talentuar kanë shfrytëzuar kampionatet evropiane për t'u transferuar në klubet e mëdha evropiane.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.