E Mërkurë, 10.16.2019, 12:12pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 

Reportazh - Një ditë Shqipërie në Trogen të Zvicrës

Nga Elida Buçpapaj - Skënder Buçpapaj


E Djelë, 08.09.2009, 04:31pm (GMT+1)

 

 

Miq të Fondacionit Swisscor dhe të Fondacionit Pestalozzi, do të përjetonim më 6 gusht 2009 një nga ditët më të rralla dhe më të veçanta, në Trogen, në verilindje të Zvicrës, në një bukuri natyrore që e gjen vetëm në lartësitë e verilindjes së Shqipërisë. Por ndryshe nga Shqipëria, në Trogen dora e Zotit është bashkuar me mendjen, zemrën dhe dorën e njeriut në një shoqëri të lirë e të konsoliduar demokratike.

 

Vijmë nga pjesa veriperëndimore e Zvicrës në verilindje vetëm për disa orë me tren, në vendin me infrastrukturën më të mirë në botë, ku në çdo fshat ndal treni, trami dhe busi që të çon atje ku do çdo qytetar i këtij vendi.

 

Është një ditë e tejpashme, si qelq i kulluar, e përshkuar nga një puhizë e lehtë e ledhatuese mirseardhëse, plot aromë dehëse malesh të lara në ajër vere.

 

Treni malor na ndal rrëzë shpatit plot livadhe, drurë mështekne, pishash dhe bredhash, lule bjeshke ku kullotin miliona bletë punëtore, shtëpi alpine të shpërndara andej këndej, mes kopshtesh dhe pemësh.

 

Fondacioni Swisscor kremton 10 vjetorin e krijimit në Fondacionin e Fshatit të Fëmijëve Pestalozzi, një kompleks ndërtesash me fjetore, menca, salla kinemash e shfaqjesh, kënde lodrash, zyra e mjedise të tjera, së bashku me 80 fëmijë, djem e vajza të moshës 9 deri 15 vjeç, si dhe 17 shoqërues të rritur të tyre, të ardhur nga Shqipëria dhe Bosnja.

 

Të dy Fondacionet e sipërpërmendura mbajnë një emër shumë të mirë në Zvicër dhe jashtë saj. Idenë për krijimin e Fondacionit të Fshatitit të Fëmijëve Pestalozzi e dha filozofi dhe shkrimtari zviceran Walter Robert Corti, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve që kishin përjetuar luftën. Fshati i Fëmijëve mban emrin e Johann Heinrich Pestalozzi, pedagog zviceran me famë botërore, i njohur si edukator dhe reformist i madh në fushën e pedagogjisë dhe sistemit shkollor. Si moto të punës Pestalozzi kishte „edukimin me zemër“.

 

Për të parën here Fshati i Fëmijëve Pestalozzi është hapur më 1944 në Trogen, duke mos e ndalur dhe rreshtur kurrë aktivitetin e tij, përmes projekteve dhe programeve për të dhënë një ndihmesë atje ku është nevoja. Motoja e Fondacionit është “Një botë për Fëmijët”, çka do të thotë një botë e lirë dhe demokratike, pa krim, korrupsion dhe varfëri.

 

Fondacioni Fshati i Fëmijëve Pestalozzi ka dhënë një ndihmë të madhe përmes projektesh edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri . Duke besuar se edukimi është një faktor çelës në betejën kundër varfërisë. Ky Fondacion është aktualisht i angazhuar në dymbëshjetë projekte për të nxitur e mundësuar pëmirësimin e edukimit në ndihmë të fëmijëve të cilëve u është mohuar apo cunguar kjo e drejtë.

 

Fondacioni Swisscor mban firmën dhe emrin e Adolf Ogit, Këshilltar Federal i Zvicrës për Transportin, Mbrojtjen dhe Sportin për 13 vjet, dy herë Presidenti i Konfederatës Helvetike më 1993 dhe vitin 2000. Më pas, prej shkurtit 2001, Ogi u emërua Këshilltar Special për Sportin, Zhvillimin dhe  Paqen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Emri i Adolf Ogit është tepër i njohur për Shqiptarët, sepse ai ishte Këshilltar Federal i Mbrojtjes i Zvicrës gjatë periudhës të Luftës dhe pas luftës në Kosovë, kur Konfederata mori rolin e saj të veçantë përmes trupave të Swisscoy, Ushtrisë Zvicerane, kontigjentet e së cilës veprojnë prej dhjetë vitesh në Kosovë. Adolf Ogi e ka vizituar Kosovën gjatë kohës të krizës dhe pas çlirimit.

 

Tragjedia e Kosovës dhe e fëmijëve të saj gjatë luftës duhet të ketë shërbyer si pikënisje për krijimin e Fondacionit Swisscor. „“Isha i shokuar duke parë dramën që përjetonin fëmijët gjatë luftës në Kosovë,“ nënvizoi Adolf Ogi në fjalën e tij. “Në çdo tre sekonda sot në botë vdes një fëmijë prej urisë, prej luftës apo kushteve mizore, andaj, shton zotëri Ogi, asaj kohe mendova që përmes Swisscor ta zbusja sado pak këtë dhimbje.“

 

Dhe prej 6 gusht 1999, me moton „Die Schweiz zeigt Herz“ (Zvicra tregon zemrën), ish presidenti i Konfederatës Adolf Ogi do të  themelonte Fondacionin Swisscor, i cili më pas do ta shtrinte shumë shpejt veprimtarinë e tij në vendet e krizave.

 

Duke folur para miqve të fondacionit dhe mediave, zotëri Ogi, njeri me humor të hollë dhe shpirt të madh bujar, president i Komitetit të Patronazhit të Swisscor, kujton tash se si para dhjuetë viteve ua kishte propozuar kolegëve të qeverisë federale krijimin e këtij fondacioni. Ishte viti 1999, kujton zotëri Ogi, një vit me një 1 që pasohej nga tri 9. Pas tij vinte viti 2000, një vit me një 2 që pasohej nga tri 0. Si të bënim që ta bënim sa më të lehtë kapërcimin e këtij pragu kaq të vështirë për në Shekullin XXI ? Zvicrës i takonte të tregonte zemrën e saj.

 

1999 ishte Viti i Kosovës, ishte Viti i Fëmijëve të Kosovës, tragjedia e tyre, tragjedia e popullit të Kosovës, preku zemrat e të gjithë atyre që adhurojnë lirinë, adhurojnë drejtësinë, të vërtetën, paqen. Kush më shpejt e kush më mirë se Zvicra do t’ua tregonte zemrën vogëlushëve të Kosovës.

 

“Kam qenë shpesh në Ballkanin e atyre viteve, thotë zotëri Ogi, jam prekur thellë, jam shokuar nga gjendja e tyre. Me zemër jemi përpjekur të bëjmë diçka, të ndërtojmë diçka për të ardhmen e tyre. Nuk mjafton vetëm të flasim. Patjetër duhet treguar zemrën.”

 

Fëmijët nga vendet e krizave gjatë këtyre dhjetë viteve, nën përkujdesjen e Swisscor, iu janë nënshtruar trajtimeve mjekësore, kanë bërë pushime nëpër kampe, kanë bërë vizita nëpër Zvicër. Kanë qenë fëmijë jetimë nga njëri ose nga dy prindërit, fëmijë të gjymtuar e të traumatizuar. Janë pajisur me gjymtyrë ortopedike, dhëmbë, proteza, me karroca vetëlëvizëse, me syze optike, me aparate dëgjimi e tjerë.

 

“Burra dhe gra me zemër e kanë bërë realitet projektin tonë,” thotë zotëri Ogi. I tillë do të ishte gjenerali në pension Andrè Liaudat, i cili për 10 vjet rresht, pa asnjë shpërblim do ta drejtonte me zotësi dhe me përkushtim Fondacionin Swisscor. Tashmë zotëri Liaudat ia lë stafetën kolegut të tij zotëri Gianpiero Lupi, ish Shef i Mjekësisë në Ushtrinë e Zvicrës.

Për të treguar respektin e tij të thellë ndaj gjeneralit Andrè Liaudat, Z.Ogi i dhuroi një copë kristali fatdhënës duke i thënë Liaudatit, se “…vetëm njerëzve të veçantë u kam dhuruar nga një copë kristali fatdhënës: Kofi Anan-it e Bil Klintonit dhe sot edhe ty. Ju të tre jeni personat që keni marrë dhuratë nga një copë kristali fatdhënës, por jo edhe Berlusconi e Bushi”.

Fondacioni Swisscor ka pasur përkrahjen dhe mbështetjen e institucioneve të tilla bamirëse zvicerane si Inner Wheel Club dhe Rotary Schweiz-Liechtenstein. Po ashtu ka pasur përkrahjen e miliona zviceranëve që kanë dhënë ndihma të pakursyera gjatë gjithë këtyre viteve, gjithnjë duke parapëlqyer të mbeten anonimë, duke treguar kështu zemrat e tyre, pa i treguar emrat e përveçëm.

 

Të pranishmit në këtë takim, gjatë fjalës së tyre, treguan në mënyrë sintetike se ku konsistonte ndihma që këto dy fondacione, Swisscor dhe Pestalozzidorf, jepnin për fëmijët në nevojë me prejardhje nga vende në krizë. Ata fëmijë që përjetojnë dramat më të rënda, të plagosur me plagë që i shëron vetëm dashuria, shpesh herë të dërmuar psikologjkisht, dhe të gjymtuar fizikisht, duke marrë mbështetje humanitare, arrinin të besonin se kjo botë mund të jetë edhe e mirë, se kjo botë mund të ketë edhe njerëz që kujdesen me përkushtimin e prindërve

 

Kësaj here, Swisscor kishte treguar një kujdes të veçantë për fëmijët e ardhur nga Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Vizita mjekësore, vizita tek okulisti, shërbime dentare, proteza, syza, karroca për invalidë, për fëmijë që kishin humbur gjymtyrët, veshje dhe mbathje, pak ditë të gëzuara, të mbushua me aktivitete dhe përkujdese.

 

Ndërsa vitin që shkoi, pra më 2008,  Swisscor kishte ftuar në Trogen, fëmijë nga Jordania, midis tyre fëmijë palestinezë që jetojnë si refugjatë në Jordani.

 

Programi zyrtar, ku shkëmbyen fjalën e rastit përfaqësuesit zyrtarë të Swisscor, Pestalozzi Kinderdorf, zotëri Adolf Ogit dhe përfaqësuesve të institucioneve bamirëse zvicerane që kishin dhënë mbështetjen e tyre financiare, u ndoq nga aperitivi për miqtë dhe hapja e Ditës së Vizitave Zyrtare. Më pas do të vinte dreka e përbashkët për fëmijët vizitorë në Trogenin bjeshkëtar të ardhur nga Shqipëria dhe Bosnja.

 

Janë rreth 60 fëmijë nga fshatrat Gërdec e Maqinet dhe 20 fëmijë nga Bosnje-Hercegovina. Dreka është paraparë që të ftuarit të shtrohen bashkë me fëmijët. Edhe ne ulemi midis tyre, mes një grupi fëmijësh nga Maqineti, njëri nga fshatrat që u dëmtua gjatë shpërthimit në Gërdec.

 

Shtrohemi bashkë me ta në tryezat plot dhe fillojnë kështu bisedat tona tërë gjallëri dhe humor. Vogëlushët janë tejet të çilër, tregojnë emrat e tyre, pozojnë gjithë qejf para objektivit të aparatit fotografik, flasin për njëri-tjetrin, për veten e tyre, tregojnë simpatitë e tyre politike fare pa të keq, pastaj nuk ndalen së pyeturi. Disa flasin me shpresë për Shqipërinë, disa nuk janë aq optimistë, disa përdorin shprehjet që dëgjojnë nga prindërit kur duan të tregojnë situatën në Shqipëri. “Do të bëhemi më mirë se Nju Jorku,” thonë.

 

Ne i pyesim për emrat. Ata na pyesin, sa kohë kemi në Zvicër, se çfarë pune bëjmë, se a kemi fëmijë. I themi se kemi gati 14 vjet në Zvicër, u themi se jemi gazetarë, u themi se kemi dy fëmijë, dhe djali i vogël, Endriti  është 13 vjeç, sa ata. Ata habiten kur mësojnë se kemi kaq kohë larg atdheut, pastaj na pyesin nëse do të shkruajmë për ta. Po, po u themi, dhe i pyesim emër për emër. Ata janë Arbi, Kejdi, që më 6 Gusht kishte ditëlindjen, Flogerti, Ardita, Juliani dhe Anxhelika. Të gjithë fëmijë të bukur si drita. I pyesim për shtëpitë, të gjithë thonë se shtëpitë u ishin rindërtuar, ndërsa Arbi i vogël na tregoi se ai nuk kishte shtëpi dhe bashkë me familjen jetonte në një dhomë të vogël.

 

Kur u themi se Shqipëria do të hyjë shpejt në BE, na shohin me dyshim, pastaj biseda jonë vazhdon dhe nuk ndalet, duke e bërë takimin me ta në Trogen të paharruar.

 

Në fakt nuk u treguam, se përse kishim zgjedhur të jetonim në Zvicër, nuk iu thamë se këtë, në fakt, e kishim bërë për djemtë tanë, që ata të jetonin në një vend normal demokratik, dhe të mos përjetonin ato që kishin përjetuar në dy breza prindërit dhe gjyshërit e tyre, persekutimin nga një regjim diktatorial mizor dhe stërzgjatjen mizore të një tranzicioni pa fund. Dy djemtë po rriten me të gjitha të mirat, por në jetën e tyre ka munguar dimensioni i pazëvendësueshëm i atdheut, atje ku duket “balta më e ëmbël se mjalta”, në Shqipëri.

 

Dreka e hareshme pasohet nga koncerti që japin fëmijët për miqtë. Një program i shkurtër i fëmijëve nga Bosnja. Konferencerja boshnjake e talentuar, në karrocë vetëlëvizëse dhe me duar të këputura në kyçe, bën edhe përkthyesen e përmbajtjes së programit, fton në skenë zotëri Ogin, i jep përmasë të veçantë spektakli koncertit.

 

Fëmijët e Gërdecit dhe të Maqinetit janë të shumë dhe programin e kanë të gjerë, janë fantastike vallet e tyre, nuk funksionojnë paksa komplesket dhe kori, recitojnë bukur dhe këndojnë bukur solo. Sjellin atmosferë Shqipërie, jehonë patriotizmi zemrash të njoma fëmijësh, të cilët na ftojnë që Vallen e Napolonit ta kërcejmë të gjithë bashkë.

 

Fëmijët shoqërohen nga një grup mësuesish dhe Diana Lika, që punon si asistente administrate pranë SDC (Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Swiss Agency for Developement and Cooperation) në Shqipëri, për të cilin gjatë takimit u thanë fjalë shumë të mira për punën që bën.

 

Artistët e vegjël na pyesin me sy nga skena gjatë gjithë shfaqjes: A po ju pëlqejmë? Dhe kur ndahemi prej tyre, na pyesin prapë: A ju pëlqyem? “Keni qenë të mrekullueshëm,” ju themi. “Nuk jua kalon dot kush.” Ne vazhdojmë të shkrepim aparatin fotografi për të kushedisatën herë, ata kënaqen kur e shohin veten të fokusuar në aparatin fotografik dhe qendrën e vemendjes. Pastaj ata lëshohen me vrap në livadhe, duke ia dhënë një bukuri të papërsëritshme Trogenit, bjeshkës që ua hapi zemrën, për të vazhduar programin që pason me ndeshje futbolli e me lojëra të tjera.

 

Ky reportazh nga Trogeni do të ishte jo i plotë, nëse nuk do të përmendim Z.Jean-Luc Piller, shefin për mediat, në Departamentin e Mbrojtjes, i cili bëri gjithçka që ne të mos na mungonte asgjë gjatë kësaj dite në Trogen.

 

Po kështu, ky reportazh do të ishte i mangët, nëse nuk do të përmendim njeriun e parë që takuam në Fshatin e Fëmijëve Pestaloci, që ishte Mahir Mustafa, i cili si specialist i Programeve për Zhvillim ka 20 vjet që jep kontributin e tij në këtë Fondacion. Në oborrin e qendrës kryesore, plot me gjallëri, do të ishte e lehtë të krijonim njohjen dhe të fillonim bisedat. Mahiri na foli për Fondacionin Pestaloci dhe për Fshatin e Fëmijëve Pestaloci ku ai punon prej një kohe të gjatë. Fondacioni Pestaloci e shtrin veprimtarinë e tij në Ballkan, në Evropën Lindore, në Azi, në Afrikën Lindore, në Amerikën Qendrore.

 

Sivjet, tregon Mahiri, Fshati Pestaloci, priti, për të tretën herë, fëmijë të ftuar nga Fondacioni Swisscor. Këto dy javë këtu gjenden fëmijët nga Tirana dhe Sarajeva. U kujdesën për fëmijët 12 mjekë dhe dentistë, ndihmësmjeke e ndihmësdentiste. Nuk duhet harruar ndihmesa vullnetare e gjashtë burrave dhe grave nga Swisscoy i Kosovës.

 

Mahiri pastaj na njeh me kolegët zviceranë të zyrës, me projekte të Fondacionit ku punon, projekte që synojnë zgjerimin e njohjes dhe të mirëkuptimit të ndërsjellët midis të gjitha përkatësive. Projekte që realizohen kaq natyrshëm, kaq me zemër të hapur, si ky verim i shkurtër, por plot mbresa të paharrueshme i fëmijëve të Shqipërisë dhe të Bosnjës, ku, duke ia treguar njëri tjetrit plagët e trupit dhe të zemrës, fëmijët e ndërtojnë së bashku përfytyrimin e së ardhmes, të cilën nesër do ta kenë në duart e tyre.

 

Edhe ne e parafytyrojmë të ardhmen në duart e Arbit, Kejdit, Flogertit, Arditës, Anxhelikës, Julianit, dhe të gjithë fëmijëve të botës, zemra e të cilëve është e pastër dhe e dlirë, si kjo ditë e kthjellët që kaluam në Trogen të Zvicrës. E lusim Zotin që e ardhmja e fëmijëve të botës të jetë e sigurt, e shëndetëshme dhe e begatëshme. (http://www.swisscor.ch) (http://www.pestalozzi.ch)





 

Adolf Ogi dhe Gjenerali me kristalin fatdhënës në dorë

 

 

 

      Fëmijët shqiptarë duke zbritur nga avioni

 

 Fëmijët duke dhënë koncert

 Adolf Ogi dhe Murat Jakin duke lëkundur në kolovajze fëmijët

Fëmijët nga Bosnje-Hercegovina këndojnëLuajnë futboll

Elida Buçpapaj, Skënder Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
10 Vjetori i Swisscor-Zvicra tregon Zemrën - Këtë vit Swisskor mirëpret 80 fëmijë nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina  (08.04.2009)
Fëmijë nga Gërdeci kalojnë pushimet verore në Zvicër (08.04.2009)
Schweiz (08.02.2009)
Suisse (08.01.2009)
Svizzera (08.01.2009)
Zvicra (08.01.2009)
UBS dhe SHBA gjejnë pajtimin (07.31.2009)
Zvicra përgatitet për 1 Gushtin Festën Kombëtare (07.31.2009)
Cugu mbetet qyteti ku jetohet më mirë (07.30.2009)
Vëllai i Madh zviceran në bunker (07.28.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 

 
VOAL
[Shko lart]