VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - BAZELI, METROPOLI I RINIT TË SIPËRM, SFIDA E EMIGRACIONITReportazh nga  ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 08:50am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
BAZELI, METROPOLI I RINIT TË SIPËRM, SFIDA E EMIGRACIONIT
Reportazh nga  ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

E Hënë, 12.10.2012, 11:38am (GMT+1)

Me Zonjën von Jacobs

Në një ndërkohë dyditore, nga më të bukurat e pragdimrit, në përbërje të një grupi të gazetarëve të APES (Shoqatës së Gazetarëve të Akredituar në Zvicër dhe Lihtenshtejn) bëmë një udhëtim studimi në Qytetin e Bazelit dhe rrotull tij. Tema e udhëtimit tonë, organizuar nga "Presence Swiss" (Prania Zvicerane) është "Zvicra, vendi i integrimit", ndërsa motoja e udhëtimit është thënia e urtë japoneze se "Të shohësh diçka me sytë e tu ia vlen më shumë se të dëgjosh qindra e qindra lajme".
"Prania Zvicerane" - "Presence Suiss" - është pjesë e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (DVPJ) dhe si një PR - është përgjegjëse për të përhapur imazhin e Zvicrës në kuadrin e strategjisë së Këshillit Federal për komunikimin me botën. Ndërkohë "Prania Zvicerane" zotëron pasqyrimin e realitetit zviceran në veprimtari të tilla madhore si Expos (Pavioni Zviceran) dhe në Lojërat Olimpike (Shtëpia Zvicerane).

Këto ditë "The Economist" publikoi se cilat janë vendet më të mirë për t'u lindur në vitin 2013, me ekonominë më të shëndetëshme dhe më pak të korruptuara, ku Zvicra zë vendin e parë në dy klasifikimet e para dhe të gjashtin në klasifikimin e tretë, aty ku Shqipëria zë vendin e 113! Do të thotë dikush e çfarë do t'i duhet Zvicrës të lodhet për t'i bërë reklamë imazhit të vet, kur statistikat flasin vetë. E pra, paska. Dhe komunikimi që Zvicra ka me gazetarët e huaj rezidentë këtu është i shkëlqyer.

Para dy javësh, në Zvicër bëri një vizitë pune sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, ku Zvicra natyrisht që i bëri një pritje të shkëlqyer duke e pritur në një rezidencë fantastike qeveritare në afërsi të Bernës në një kështjellëz që njihet me emrin Lohn, ku disa muaj më parë Madame Corina Casanova, Kanceljere e Konfederatës Helevetike na kishte pritur ne, gazetarët e APES.

Me këtë rast, na duhet të themi se, ndërsa shteti helvetik i nderon gazetarët shqiptarë, shteti shqiptar tregon interes zero që anon në nivelin minus, dmth jo vetëm që nuk i mbështet, por përpiqet që t'i dëmtojë përmes segmenteve të një shteti që këtë vit për nga niveli i korrupsionit të lartë zinte vendin e parë në Ballkan edhe Europë, pra në një realitet 180 gradë ndryshe nga Zvicra

Grupi ynë i gazetarëve, përveç nesh, përbëhet nga amerikania Ellen Wallace, kuvajtiani Tamer Aboalenin, egjiptiani Taha Yousif Hassan, mauriciasi Jean-Paul Hoareau, braziliania Arlete Kaufmann, senegalezi Gorgui Wade Ndoyw, meksikania Kyra Nunez-Johnsson, italiani Massimo Viegi. Nga "Prania Zvicerane" ishin zonjat Tania Humair e Katharina Antonietti. Me ne ishte edhe zotëri Raphaël Saborit, zyrtar i shtypit pranë Misionit të Përhershëm të Zvicrës në Kombet e Bashkuara, në Gjenevë.

Bazeli me një rol të posaçëm në qytetërimin zviceran dhe në gjithë hapësirën rrotull tij në treshtetëshin Zvicër-Francë-Gjermani, do të ishte një nga qendrat e rëndësishme të Krishterimit Perëndimor, me ndikim reformues krahas Zyrihut dhe Gjenevës. Me universitetin më të vjetër të Zvicrës dhe ndër më të vjetrit e kontinentit, ku dhanë mësim Erasmusi i Roterdamit, Paracelsusi dhe Friedrich Nietzsche, ka rrezatuar dhe rrezaton kulturë, zhvillim, humanizëm.

Bazeli me të dyja gjysmëkantonet (Bazeli Qytet dhe Bazeli Fshat) është nyja veriperëndimore e Zvicrës, ku, nëpërmjet landit gjerman Baden-Wüttenberg dhe provincës franceze të Alsasës ankorohet pjesa më e madhe e kërkuesve të azilit politik, e cila mbërrin nga e gjithë bota, si dhe pjesa më e madhe e emigrantëve ekonomikë, e cila mbërrin nga Gjermani dhe Franca, si dhe nga Evropa Veriperëndimore. Kështu, përgjatë dekadave, Bazeli ka krijuar përvojat më të përkryera, ka përshtatur instrumentet dhe format e mënyrat më frytdhënëse për trajtimin e kësaj dukurie, e cila konsiderohet si burimi kryesor për mbështetjen e rritjes dhe përparimit të ekonomisë zvicerane. Jo më kot, krahas Gjenevës, Bazeli njihet botërisht si kantoni ziviceran më mikpritës dhe më integrues për të huajt, duke u shndërruar në simbol të tolerancës, të bashkëjetesës gjithnjë e më të natyrshme, gjithnjë e më shembullore me të huajt.

Takimi ynë është lënë në stacionin qendror të trenit në Bazel, ku na pret edhe minibusi në të cilin do të udhëtojmë këto dy ditë. Na duhet gjithsesi të presim paksa të vonuarin, kolegun Jean-Paul, i cili iu jep gjallëri gjithmonë grupeve tona të udhëtimit.


BAZEL - FREIBURGERSTRASSE - KEPI I SHPRESËS TË MIRË - NJË PIKËNISJE NGA FILLON INTEGRIMI
Nga ish-banorë tek Kepi i Shpresës të mirë në gazetarë të integruar

"Tek Kepi i Shpresës të Mirë"

Jemi në Freiburgerstrasse 50, adresën e Kepit të Shpresës së Mirë, do të thoshim, nëse do të kërkonim t'i gjenim një emër, të cilën e mësyjnë çdo vit mijëra e mijëra të pashpresë. Pesëmbëdhjet vjet më parë, ne autorët e këtij reportazhi do të paraqiteshim pikërisht këtu, pasi regjimi i vjetër do të rikthehej në pushtet me dhunë, shteti demokratik do të binte e do të shkatërrohej plotësisht, ndërsa ne do të merrnim strehim politik në Zvicër. Pesëmbëdhjetë më vonë është i njëjti mjedis, i mbajtur me kujdes maksimal dhe mikpritës. Në ndryshim nga atëherë, nuk kemi një pik të ardhjes së emigrantëve politikë, por gjithsesi në fytyrat e tyre lexohet i njëjti ankth si yni dhe i qindra të tjerëve atë dhjetor të vitit 1997. Atë vit që ne kërkuam azil politik, Zvicra kishte hapur dyert për mijëra e mijëra azilantë nga Kosova, të cilëve u dha strehë e qetësi në atë kohë të zymtë konflikti.

Në një lloj mënyrë, nëse qëllimi i kësaj vizite ishte për të treguar se prej këtu niste integrimi, ne ishim shembulli më i qartë në mundësitë që të krijon Zvicra, dhe si puna jonë janë mijëra e mijëra, por duhet thënë se Zvicra tani si të gjitha vendet e Europës ka vendosur rregulla më të rrepta, të cilat adoptohen menjëherë nga vendet e BE-së. Ndërkohë, jeta e refugjatit nuk është fushë me lule dhe ne shqiptarët e kuptojmë më mirë këtë gjë, pasi gjatë këtyre 22 viteve tranzicion nga Shqipëria është larguar gjysma e kombit. Kur do të fillojë e të shkruhet për këtë temë pa patur frikë nga censurat, do të konsiderohet si Eksodi biblik i shqiptarëve.

Na pret z. Roger Lang, Kryetar i Qendrës së Bazelit, nga Zyra Federale për Emigracion. Ka dhjetë vjet në këtë detyrë. Është tejet i gatshëm dhe i palodhur të japë shpjegime, t'iu përgjigjet pyetjeve të panumërta të kolegëve tanë, të na paraqesë tek bashkëpunëtorët e tij, të cilët na japin hollësi për procedurat e paraqitjes, për pyetësorët rreth identitetit të secilit individ, për pyetësorët rreth gjendjes shëndetesore, për pyetësoret rreth arsyeve pse kërkojnë strehim politik në Zvicër, për rolin e kësaj qendre si hallka e parë në zinxhirin e procedurave deri në shqyrimin e kërkesave për azil, deri në miratimin e tyre apo deri në rikthimin e tyre në atdheun e prejardhjes.

Zvicra, me kapacitet e saj të kufizuara pritëse, si një vend i vogël, megjithatë përbën model për legjislacionet dhe praktikat përkatëse për vendet e tjera perendimore. Edhe në kuadrin e hapësirë Shengen dhe të qarkullimit të lirë të qytetarëve, është gjithnjë modeli më funksionues në këtë drejtim. Dhe Bazeli pasqyron përvojën më të mirë zvicerane. Barra dhe merita për këtë bie pikërisht mbi punonjësit e emigracionit, që nga kjo pikë pritëse kufitare deri tek Drejtoria e Procedurave të Azilit në Zyrën Federale të Emigracionit, një mori hallkash e përbërë nga njerëz me formim profesional dhe me zotërimin e një morie gjuhësh që fliten në vendet e prejardhjes së emigrantëve. Dhe këto vende të prejardhjes shtrihen nga Amerika Latine, Afrika, Azia dhe Oqeania.

Nga çasti kur ne shohim në ekranet e vogla të televizorëve një vatër të re destabilizimi, një konflikt civil, një katastrofë natyrore, gjithandej në rruzull, vetëm pak kohë kalon dhe në dyert e Zvicrës, trokasin ata që janë në kërkim të fatit. Dhe në derën kryesore të Zvicrës, në Bazel, janë më të shumtit ata që trokasin.

Me z. Lang jemi edhe në drekën e shtruar për ne në Restaurantin Kraft, një ndër më të famshmit e Bazelit, me pamje nga Rini, çka e ka bërë dikur të dashur edhe për nobelistin Hermann Hesse, i cili pikërisht në një nga dhomat e hotelit Kraft, numër 48, do të shkruante 'Ujkun e Stepës'. Në drekë me ne janë edhe zyrtarë të tjerë nga Zyra Federale e Emigracionit, nga Komisioni Federal i Emigracionit, ekspertë të kësaj fushe në rang kantoni dhe konfederate . Dhe si në çdo drekë pune vazhdojnë t'iu përgjigjen të gjitha pyetjeve që gazetarëve iu lindin gjatë njohjes më të plotë e më të hollësishme të përvojës së pritjes dhe integrimit të emigrantëve.

Mittlere Brücke, një nga Urat e Bazelit.

Tashmë në qendër të vëmendjes vihet Zonja Nicole von Jacobs, Shefe e Integrimit të të huajve në qeverinë e kantonit të Bazelit. Së bashku dalim nga restauranti duke biseduar rrugës buzë Rinit dhe pastaj mbi Mittlere Brücke, një nga urat më të bukura mbi këtë lum, e ndërtuar për herë të parë në Shekullin XIII, gjashtë shekuj duke qenë urë druri, pastaj, prej një shekulli e ca e rikonstruktuar në parametrat e kohës. Zonja Jacobs është vetë me prejardhje gjermane, me gjak gjerman e çek, shtetase zvicerane, me një histori të veçantë të familjes së saj, me gjyshin që kishte qenë në Petërsburg, në Pallatin e Carit dhe ishte detyruar të largohej që andej pikërisht në kohën kur triumfonte në Revolucioni Rus i Tetorit i vitit 1917.

Pas një shetitje të vogël kemi arritur në selinë e qeverisë kantonale, në Departamentin e Zhvillimit të Kantonit dhe të Qytetit të Bazelit, në "Integration Basel", në zyrën e zonjës Jacobson. Mikpritësja ka një mënyrë tejet të përkryer të komunikimit, të ndërthurur me humor të natyrshëm, saqë krijon një atmosferë miqësie dhe intimiteti të veçantë. "Integration Basel" punon kundër racizmit dhe përjashtimit. Nga këtu, me zonjën Jacobson shkojmë në qendrën Union, në Klybeckstrasse 95, ku vijnë përditë të huaj të moshave të ndryshme, kryesisht të moshave më të reja për të kaluar në mënyrë aktive kohën e lirë, duke stërvitur talentet e tyre në muzikë, lexime, pikturë, kulinari e plot të tjera. Z. Davide Maniscalconi që na pret në Union, na prezanton edhe me plot nga fëmijët që janë të pranishëm, në mes tyre edhe plot shqiptarë nga Kosova dhe nga trojet e tjera shqiptare. Na bie rasti të bisedojmë edhe me prindërit e tyre që vijnë t'i sjellin apo t'i marrin fëmijët. Janë tejet të kënaqur. Z. Maniscalconi na sqaron se i gjithë shërbimi këtu bëhet falas, se Union është një zgjidhje origjinale e Qytetit të Bazelit, se në këtë qytet janë edhe disa të tjera si kjo qendër, ndërsa në kantonet e tjera ka zgjidhje të tjera, më pak apo më shumë të ngjashme me Union.

BAZELI METROPOL I KULTURËS - MBRËMJE ME EDGAR DEGAS

"Balerinat" e Degas që i pamë në galerinë Beyeler

Pas akomodimit në Radison Blu Hotel dhe një prehjeje të vogël, ekipin e gazetarëve të APES dhe e mikpritësve tanë e pret një mbrëmje e një natyre krejt tjetër. Do të jemi tashmë në Riehen të Bazelit, në Muzeumin e Artit Beyeler, nën magjinë e artit të Edgar Degas (1834-1917), një nga piktorët më të famshëm francezë të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë, pionier i adhuruar i modernizmit. Shumë nga punimet e përfshira në këtë ekspozitë vijnë pasi kanë qëndruar nëpër muze arti në Amerikën e Veriut, Azi dhe Evropë e gjithandej nëpër botë. Ekspozita është hapur më 30 shtator 2012 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 13 janar 2013.

Është hera e parë pas njëzet vitesh në Zvicër dhe në Gjermaninë jugore që publiku adhurues i pikturës ka rastin ta ketë këtë ekspozitë, çka e mundëson "Beyeler Fondation", një fondacion privat që sjell vazhdimisht në sallat e galerisë së tij piktorët dhe skulptorët klasikë dhe modernë më të famshëm botërorë me kryeveprat e tyre. Dhe çdo ekspozitë e re e këtij fondacioni përbën lajm për Bazelin dhe për Zvicrën, duke e pasuruar më tej veçanërisht portretin e këtij qyteti, jo vetëm si qendër e industrisë kimike, sidomos asaj farmaceutike, por edhe si metropol i universiteteve, i instituteve financiare, panaireve, i muzeve, i galerive, i ekspozitave, koncerteve, i veprimtarive më elitare artistike të kohës.

Universi i Degasit përbëhet nga piktura, skulptura dhe fotografia, punuar në teknika të ndryshme. Ekspozita që po vizitojmë ne përmban 150 punime, shumë prej të cilave prej dekadash nuk i janë paraqitur publikut. Ajo është e përqëndruar kryesisht në fazën e tij impresioniste (rreth viteve 1870-1885), duke përfshirë tema dhe motive të larmishme të cilat e shënojnë këtë fazë - pikturat magjepsëse të valltareve, nudot e femrave, lojërat, garat e kuajve, pejsazhet dhe portretet befasuese, të krijuara këto nga Degas me një ekstazë dehëse ngjyrash, ku objektet e ftojnë vizitorin dhe i shpalosen atij varësisht nga këndshikimi, gjendja shpirtërore, përqëndrimi i tij. Janë nga ato kryevepra, mbresa e të cilave mbetet gjatë dhe lexohet në fytyrat e kundruesve të tyre. Këtë ka parasysh edhe guida aq e pasionuar e fondacionit, zonja Kaye Krist, e cila na prin me zell e durim nga njëri punim në tjetrin.

August Renoir,Stephane Mallarme ndërsa në plan të dytë, në sfond të një pasqyre, është vetë autori i fotografisë, Edgar Degas.

Është e pamundur të mos ndalemi tek një nga frytet e trilleve gjeniale të piktorit, një shkrepje që ka në plan të parë dy miqtë e tij të ngushtë, piktorin impresionist August Renoir (1841-1919) dhe poetin simbolist Stephane Mallarme (1842-1898), ndërsa në plan të dytë, në sfond të një pasqyre, është vetë autori i fotografisë, Edgar Degas. Veç të tjerash, fotoja mbetet historike, ngaqë përmban kushtimin e mikut tjetër të ngushtë të tyre, poetit simbolist Paul Valery (1871-1945). Këtë vepër Bayeler Fondation e ka huazuar nga Biblioteka letrare 'Jacques Doucet' e pranë Panteonit në Paris.

Vizitën tonë në ekspozitën e Edgar Degas e ka mundësuar fondacioni Pro Helvetia, institucioni kryesor që financon dhe propagandon artin, kulturën, traditat dhe arritjet zvicerane. Me ne është edhe zonja Charlotte Matter, shefe e programit Triptic pranë fondacionit Pro Helvetia. Pas aperitivit dhe paraqitjes së programit Triptic nga zonja Matter, vjen darka tejet e pasur, e bollshme dhe e shijshme, të cilën e shtron për ne Fondacioni Pro Helvetia në restorantin që ndodhet në të njëjtin park të përbashkët me Muzeumin dhe Beyeler Fondation dhe ku në një ditë apo darkë të ngrohtë mund të shijosh kulinarinë e hollë të guzhinës mesdhetare në verandën e restaurantit nën shoqërinë e skulpturave të Alexander Calder dhe Ellsworth Kelly, që i takojnë muzeumit Beyeler. Vazhdojnë edhe pyetjet tona dhe përgjigjet e zonjës Matter. Kështu orët kalojnë, afron mesnata dhe ekipi, i lodhur, por tejet i kënaqur kthehet për të kaluar natën në Hotel Radisson Blu. Sepse në mëngjes e pret një ditë e re në Bazel.

Muzeumi i Artit Beyeler

BAZELI METROPOL EKONOMIK - NJË ITINERAR DHE SFIDË TJETËR

Tek Infobest

Është dita e dytë, edhe kjo me një mjegull të lehtë, e sapongritur në formë reje të hollë mbi ndërtesat, ndërsa poshtë, ende e trashë bryma anës rrugëve dhe nga dredhon Rini. Nisemi drejt Francës, në Palmrain, pak matanë kufirit, për të vizituar INFOBEST, një qendër informative e cila ndihmon dhe këshillon të gjithë ata nga Gjermania dhe Franca që janë të interesuar të punojnë në Zvicër. Është një shërbim tre-shtetësh dhe një pikë kontakti për të gjithë të interesuarit.

Ky shërbim, ku secili nga tri shtetet ka personelin e tij që bashkëpunon ngushtë brenda një ekipi të vetëm, është themeluar në vitin 1993, pak pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, kur në horizont shfaqej globalizmi, me të gjitha sfidat e tij. Themelimi i tij ishte sa i druajtur edhe vizionar. Dhe sot ky shërbim mbulon më së miri zonën e Alsasit (Francë), zonën e Baden-Wütnbergut (Gjermani) dhe zonën veriperëndimore të Zvicrës (Bazel Qytet, Bazel Fshat, Soloturn, Arau dhe Argau). E gjithë kjo zonë, në të tri shtetet emërohet ndryshe zona e Rinit të Sipërm.

INFOBEST ndodhet në një grumbull vilash të rrethuara me kopshte dhe as navigatori nuk e ndihmon shoferin tonë, Philippe, ta gjejë me lehtësi ndërtesën e bukur karakteristike. Ai është vetë nga Friburgu dhe thotë se nuk ambjentohet dot menjëherë me këtë zonë jo aq të njohur për të.

Na pret këshilluesi zviceran z. Marc Borer dhe kolegët e tij, të gatshëm për të na shërbyer me kafe dhe çaj e për të na e bërë bisedën sa më të rehatshme. Z. Borer është tejet i saktë dhe konciz në përgjigjet që jep para hartave dhe skemave të shumta të projektuara në një ekran të madh. Zona e Rinit të Sipërm, së cilës i kushtohet INFOBEST, na thotë ai është një zonë ekonomike nga më të zhvilluarat në zemër të Evropës Qendrore, me një GDP (Prodhim të Përgjithshëm Bruto) pothuajse të barabartë me GDP-në e Danimarkës, një vend ky ndër më të zhvilluarit e kontinentit, pra rreth 400 miliardë Euro, jo shaka.

Z. Borer na shpjegon drejtimet nga lëviz emigracioni ekonomik - Drejtimi i parë është ai nga Franca për në Gjermani, ndërsa drejtimi i dytë është nga Franca e Gjermania për në Zvicër. Pra adresa kryesore e emigracionit ekonomik është pikërisht Zvicra. INFOBEST, nëpërmjet informimit dhe këshillimit të saktë, ua thjeshton dhe ua lehtëson të gjithë të interesuarve procedurat dhe rrugët e gjetjes së vendeve të punës në Zvicër, në pajtim me formimin e të interesuarve dhe me nevojat e Zvicrës për krahë pune në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të shërbimeve të saj. Ngaqë INFOBEST ka krijuar një traditë tashmë të gjatë, të gjitha zyrat shtetërore dhe private në të tri vendet janë të gatshme të japin informacionet e kërkuara për t'i vënë në shërbim të emigracionit ekonomik që vërshon pareshtur në Zvicër.

Në Spitalin Universitar të Bazelit

INFOBEST është një përvojë unikale në Zvicër dhe në botë. Prandaj nga shumë vende të kontinentit tonë dhe gjithandej nga bota, vijnë të marrin përvojë apo të shkëmbejnë përvojë, në mënyrë që diçka të ngjashme të krijojnë në vendet e tyre. Z. Borer është i sigurt se INFOBEST është i paimitueshëm, por, megjithatë, nga përvoja e tij kanë të gjithë çfarë të mësojnë dhe çfarë të aplikojnë në zonat e tyre apo në vende e tyre.

Një nga përthithësit më të mëdhenj të emigracionit ekonomik, krahas gjigantëve Nestlé dhe Roch, në Bazel është edhe Spitali Universitar, i treti më i madh në Zvicër. Për të prekur konkretisht realitetin e integrimit të punonjësve të huaj dhe për të parë nga afër rezultatet e rinovimit të thellë dhe tejet të kushtueshëm disa vjeçar të kompleksit të stërmadh spitalor, na ndihmojnë zonja Kristina Wuerth, Menaxhere e Projektit të Menaxhimit, zonja Jutta Pils, nga sektori i Marketingut e Komunikimit dhe z. Roland Geiser, koordinator i Ndërtesës. Të tre këta dhe të gjithë ata me të cilët biseduam gjatë vizitës në spital janë të mendjes së tonin këtij spitali ia japin në tërësi pikërisht punonjësit e huaj. Po ashtu shërbimi ndaj të sëmurëve me prejardhje të huaj, nga emigracioni politik, është i konsiderueshëm. Edhe këtu një rrjet i tërë përkthyesish ndihmon që komunikimi me të sëmurët të bëhet në gjuhët amtare të të sëmurëve, hapësira e prejardhjes së të cilëve shtrihet në disa kontinente.

Pasi kemi vizituar pavione, laboratorë, mensa dhe shërbime të tjera, kemi zbritur në katin më të poshtëm të nëndheshëm, atje ku është struktura e robotëve, e njëjtë me atë që vepron në aeroportin e Zyrihut. Me saktësinë më të pagabueshëm, robotët kryenin porositë e dhëna nga sektorë të ndryshëm të furnizimit të pandërprerë në të gjitha indet e spitalit, duke filluar nga guzhina, lavanderia, barnat, laboratorët, veshjet e kështu me radhë. Buxheti i spitali për vitin 2012 ishte rreth 850 milionë franga zvicerane, prej ku 60% paguhet personeli i shërbimit. Për çdo vit shtrohen rreth 30 mijë pacientë. Shërbimi është profesionit dhe kushtet janë të nivelit të lartë.

Këtu restauranti - piceri Picobelle

Prej këndej, mikpritësit na shoqërojnë në drekën që kanë shtruar për ne në Restaurant Picobello Blumenrain, edhe ky buzë Rinit, por në anën e kundërt të Restaururat Kraft. Në drekë me ne është edhe z. Marc Borer i INFOBEST. Dhe ulet pikërisht pranë koleges sonë Nunjez, pyetjet e së cilës janë më të pashtershmet. Z.Borer nuk lë asnjë pyetje pa përgjigje, por aq matematik në saktësinë e përgjigjeve sa, megjithatë, e lë të pakënaqur kolegen tonë.

Udhëtimin e përmbyllim në Reinach (Bazel Fshat), ku vizitojmë Shkollën 9-vjeçare në Fiechtenweg 72. Drejtori Ernst Peter Frehner na pret dhe na i plotëson kërshëritë tona të shumta rreth integrimit të fëmijëve të të huajve në shkollën zvicerane, me bashkëmoshtarët e tyre të huaj dhe ata vendës, me jetën krejt të re dhe krejt të ndryshme që ata gjejnë këtu. Z. Frehner dhe vartësit e tij janë të gatshëm të shpjegojnë për ne. Pastaj shikojmë edhe një orë mësimi në një klasë të integrimit të të huajve. Temë e mësimit është si bëhet blerja e sendve të përditshme në një dyqan. Nëpërmjet një loje të thjeshtë mësuesja arrin të ngulitë tek nxënësit emrat e sendeve kryesore më të shpeshta të blerjes së përditshme. Ne jemi vetë emigrantë dhe e dimë mirë si funksionon. Tani djemtë tanë jantë të dy të natyralizuar, i vogli ka lindur në Bernë, por gjithsesi ata e kanë përjetuar këtë kujdes të posaçëm.

Zbresim në oborrin e shkollës dhe aty ngjatjetohemi me kolegët tanë që do të marrin përsëri minibusin drejt Stacionit Qendror të trenit në Bazel, për të vazhduar pastaj me tren drejt Gjenevës.

Mirë u pafshim për takimin e rradhës dhe falënderime për Presence Suisse!


ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'WHERE-TO-BE-BORN' - ZVICRA ËSHTË VENDI MË I MIRË NË BOTË KU TË LINDËSH MË 2013"The Economist" - Fëmijët më fatlumë të botës janë ata që lindin në Zvicër më 2013" (12.10.2012)
TELETHON MBLODHI 2,5 MILIONË FRANGA (12.09.2012)
MOTI I KEQ SJELL AKSIDENTE DHE DËME - VETËM NË ZYRIH DHJETËRA PËRPLASJE, 5 TË PLAGOSUR (12.08.2012)
BORA SJELL TELASHE PËR TRAFIKUN AJROR - VONESA NË GJENEVË, FLUTURIME TË PEZULLUARA NË ZYRIH (12.07.2012)
ZVICËR - USHTRIA I MBRON AMBASADAT DERI NË FUND TË VITIT 2015 (12.06.2012)
UELI MAURER DO TË JETË PRESIDENTI I RI I KONFEDERATËSZgjidhet me 148 vota, nënpresident do të jetë Burkhalter (12.05.2012)
VJEDHJA E TË DHËNAVE BANKARE - 'PO' SANKSIONEVE (12.04.2012)
New York Times - UBS ARRIN MARRËVESHJE PËR SKANDALIN LIBOR (12.03.2012)
LIGJI I AZILIT, PS NUK DO TA MBËSHTESË REFERENDUMIN (12.02.2012)
LIGJI I AZILIT, PS VENDOS PËR REFERENDUMIN (12.01.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]