VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Didier Burkhalter zgjidhet në qeveri
E Mërkurë, 09.16.2009, 01:18pm (GMT1)

 

 

                   Didier Burkhalter

 

Voal-online -Mbledhja e përbashkët e dhomave të Parlamentit Zviceran ka zgjedhur nojshatelianin 49 vjeçar, ekonomist, nga radhët e FDP-së, pasues të Pascal Couchepin në qeveri, duke u bërë kështu anëtari i 112-të i qeverisë i zgjedhur. Rrugën për në qeveri ia hapi kandidati tjetër i FDP, Christian Lüscher, i cili u tërhoq nga gara pas raundit të tretë të votimeve. Kandidati i CVP, Urs Schwaller, deri atëherë kryesues në votime, nuk do të kishte më mundësi për t'u zgjedhur, duke mbetur pas raundit të katërt me 106 vota nga 129 të fituesit.  SVP e cila kishte mbështetur më parë Luscher, e kaloi mbështetjen tek Burkhalter. Pragu i mjaftueshëm për t'u zgjedhur ishte 120  vota. Në raundin e parë të votimit u përfshi edhe kandidati jozyrtar i FDP, tiçinezi Dick Marty, i cili mori 34 vota.  Pastaj ai e tërhoqi kandidaturën.

 

Në përmbyllje të votimit e mori fjalën Burkhalter, duke falënderuar në frëngjisht për besimin e dhënë. Ai premtoi se do të punojë për të mirën e vendit, për forcimin e institucioneve dhe për kryerjen e reformave të thella. Ai tha se me zgjedhjen e tij i thuhej një po tjetër marrëveshjes politike, konkordancës, mbi të cilën bazohet qeverisja e vendit prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh. Me zgjedhjen e Burkhalterit FDP merr vendin e dytë në qeveri.

 

   Burkhalter takohet me gazetarët

 

 

Burkhalter është nojshateliani i nëntë që zgjidhet në qeveri. Pas tre socialistëve, tani i vjen radha një liberali. Kantni Nojshatel (Neuchatel) është në vendin e katërt për numrin e anëtarëve që ka sjellë në qeveri, pas Zyrihut (Zürich) me 20, Vosë (Waadt) me 14 dhe Bernës (Bern) me 12. Obwalden, Basel-Landschaft, Appenzell Innenhorden dhe Galurs kanë sjell nga një. Ndërsa kantonet Uri, Schwyz, Nidwalden, Schafhausen dhe Jura nuk kanë djellë deri tani asnjë.

 

Ai zë vendin e Pascal Couchepin në fund të tetorit, duke drejtuar kështu Departamentin e Punëve të Brendshme, Eidgenössische Departement des Innern (EDI). Megjithatë problemi i postit vendoset përfundimisht të premten.

 

Kryetarja e Parlamentit, Chiara Simoneschi-Cortesi, duke përshëndetur Pascal Couchepin që po largohet nga qeveria, tha se qeverisë do t'i mungojë një liberal me vizion social, një burrë i vërtetë shteti që me frymën e tij të hapur dhe krijuese ndihmoi për zgjidhjen e shumë problemeve të rëndësishme të vendit. Ajo tha se ai ishte më shumë se një "kafshë politike", sepse me inteligjencën, energjinë dhe zemrën i dha shumëçka qeverisë.

 

Pas 11 vjet në qeveri dhe 40 vjet në politike Pascal Couchepin largohet nga qeveria dhe politika. Në fjalën e tij të lamtumirës ai nënvizoi domosdoshmërinë e kuptimit të kompromisit dhe të respektit për pakicën. Zvicra, tha ai, ka mbetur e fortë, sepse i ka kuptuar në kohë pikat e mundshme të dobëta.

 

 

Kush është Didier Burkhalter

 

Pasi mbaroi studimet e larta për ekonomi, Didier Burkhalter punoi si redaktor ekonomik. Pastaj hyri aktivisht në politikë. Në vitin 1991-2005 ishte anëtar i qeverisë së Nojshatelit, duke u zgjedhur tri herë presidenti. Në Këshillin e Gjerë të Nojshatelit ishte në vitet 1991 deri në vitin 2001, pastaj u zgjodh në Këshillin Kombëtar në vitet 2002-2007. Prej atëherë është zgjedhur në Këshillin e Shteteve.

 

Është i martuar, ka tre fëmijë. Më 8 korrik ishte i pari që shpalli zyrtarisht kandidaturën për të pasuar Pascal Couchepin. Është i njohur për besnikërinë ndaj partisë. Bindjet politike e bëjnë të aftë në cilësinë e mediatorit të durueshëm në situata kritike. Gjatë fushatës për vendin në qeveri ka nënvizuar dëshirën e tij për t'ia rritur besimin qeverisë, demokracisë dhe konkordancës, marrëveshjes së formulës qeverisëse aktuale të Zvicrës. (http://nachrichten.ch.msn.com)schweiz) (http://info.rsi.ch/home)

 

 

         Burkhalter bën betimin

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.