VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SAIMIR PIRGU, I FTUAR NË TELEVIZIONIN E ZVICRËS SRF1, KËNDON 'DUA MË SHUMË SHQIPËRINË'

E Premte, 05.17.2013, 05:58am (GMT1)




Tenori i famshëm shqiptar, Saimir Pirgu ka qenë pak ditë më parë mysafir në emisionin shumë të popullarizuar të televizionit publik të Zvicrës (SRF1) Aeschbacher show. Në një prezantim që Kurt Aeschbacher i bëri Pirgut, u shpreh veç tjerash se ai ka bërë një karrierë "përrallore e të rrufeshme", duke mbërritur për pak vite në lartësinë e yjeve të operës së sotme botërore.

"Kur ishte vetëm 22 vjeç Saimir Pirgu feston suksesin e tij në festivalin e Salzburgut, Austri. Ndërkohë, sot, Pirgu 31 vjeçar është bërë tashmë tenor i famshëm. Pak ditë më parë ai ka kënduar në krah të Placido Domingos dhe Diana Damrau në operan e Nju Jorkut "Metropolitan", ndërsa gjatë muajit maj ai do të performojë në në Operan e Cyrihut me "Traviatën" e Verdit".

Në emisionin e përmendur, Saimir Pirgu dallohet gjithnjë me spontanitetin dhe thjeshtësinë e tij prej artisti të madh që nuk i pëlqen pozat por paraqitet ashtu si është. Ai, duke folur me një gjermanishte të mirë, evokon fillimet e tij në Shqipërinë komuniste, kur e kishin zgjedhur të shkollohej për violinë. Por më vonë ai ka parë se violina nuk kishte qenë zgjedhja e tij dhe ka zbuluar pasionin e madh për të kënduar.

Pirgu më tutje flet për kohën e fillimit të studimeve në Bolzano të Italisë, për peripecitë e tij si një student i varfër nga Shqipëria. Por, në sajë të angazhimit dhe talentit të rrallë, ai shumë shpejt mbaron shkollimin muzikor. Madje, aq shpejtë sa që edhe prindërit e tij, dyshojnë se mos ai po merrej me punë të këqija, atje në Itali. Sidoqoftë, Saimiri i bindi ata se është bërë këngëtar i operës, vetëm kur i fton të marrin pjesë si shikues në festivalin e Salzburgut.

Në përfundim të emisionit, si mik tek Kurt Aeschbacher show, Saimir Pirgu këndon "Dua më shumë Shqipërinë", me të cilën entuziasmon publikun dhe mikpritësin e tij.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.