VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ANDREAS WORMSER - ZVICERANI QË INVESTON NË KOSOVË

E Shtunë, 05.18.2013, 06:13am (GMT1)




Kur një zviceran merr forcë për të investuar një milion e gjysmë euro në Kosovë, pse duhet të ngurrojnë kosovarët me investime në shtetin e vet. Nëse ngurrohet me investime për shkak të frikës nga mossuksesi, atëherë "ofroni një produkt të mirë dhe do të keni sukses", porosit Andreas Wormser investitorët kosovarë.

Në një intervistë për portalin Albinfo, Wormser tregoi se ka jetuar 5 vjet në Kosovë, derisa ka punuar në Zyrën e Zvicrës si atashe i migrimit. "Natyrisht, gjatë asaj periudhe jam njohur me vendin dhe kam njohur shumë miq të mirë. Në vitin 2008 sërish kam ardhur në Kosovë dhe, duke parë hapësirë të madhe për investim, vendosa të hulumtoj vendin dhe llojin e investimit. Meqë gjatë qëndrimit nëpër hotele nuk isha mjaftueshëm i kënaqur, mendova se është mirë të përpiqem të investoj në fushën e gastronomisë, diçka më ndryshe se rëndom, me çka dhe mund të tërheq turistë nga Evropa Perëndimore", tha Ai.

Ai zbulon se ky investim i tij bëhet në Graçanicë. "Graçanicën e kam përzgjedhur për dy arsye. E para, sepse projektin nuk e kam bërë vetë, por bashkë me dy miq që jetojnë këtu në enklavë. Dhe unë kërkoja të gjej një vend për hotelin ku edhe ata do të kenë më lehtë qasje. Pastaj kërkoja që ky vend të jetë gjithsesi afër Prishtinës, sepse mendoja se është një boshllëk për një hotel në tregun hotelier të Prishtinës. Pra, jo në qytet por gjithsesi në periferi të Prishtinës. Kam hulumtuar edhe nëpër disa fshatra shqiptare, por jam përcaktuar për Graçanicën, sepse pozita këtu është fenomenale, pra është Ulpiana. Shikuar nga aspekti politik mendoj se Graçanica nuk është vend i keq, sepse pas pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e fundit këtu ka ndryshuar shumëçka, pozitivisht. Këtu ndjehem shumë i sigurt; ka investime në infrastrukturë".

Ndërkaq, në pyetjen se çfarë ju rekomandon investitorëve kosovarë nga diaspora, zvicerani u përgjigj: "Duhet pasur kujdes, kjo është e qartë, por në parim Kosova është një vend i jashtëzakonshëm për të investuar. Këtu mungon shumëçka. Ofroni një produkt të mirë dhe do të keni sukses".


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.