VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Neue Zürcher Zeitung ndërron pamjen
E Mërkurë, 09.23.2009, 01:54pm (GMT1)

 

 

Voal-online E themeluar më 12 janar 1780, pra në prag të kremtimit të 230 vjetorit të saj, duke qenë kështu një nga më të vjetrat e botës, gazeta e përditshme Neue Zürcher Zeitung (Noje Zyrker Cajtung Gazeta e Re e Zyrihut) sot, më 23 shtator 2009, ka dalë me një pamje të re. Pamjen e deridjeshme gazeta e kishte qysh prej vitit 1946, pra plot 63 vjet.

 

Me këtë rast "Neue Zürcher Zeitung", me një shkrim të filluar në faqen e parë dhe të vijuar e të përfunduar në faqen 28, në rubrikën "Meinung & Debatte (Opione dhe debate), në editorialin e firmosur nga kryeradktori Markus Spillmann, "Substanz und Ästhetik" (Thelbi dhe estetika) dhe nëntitull "Der Substanz mehr Ästhetik geben" (Thelbit t'i japim më shumë estetikë) komunikon me lexuesit e saj për t'ua shpjeguar risitë që sjell ky ndryshim.

 

"Neue Zèrcher Zeitung" ka ndërruar veshjen e saj. Kjo gazetë me përvojë tejet të gjatë prej sot del në tri lidhje.," fillon sqarimin e saj gazeta. Në lidhjen e parë konkretisht janë rubrikat "International", "Schweiz", "Zürich und Region", "Meinung & Debatte" dhe "Vermischtes" (Të ndryshme). Në lidhjen e dytë janë rubrikat "Wirtschaft" (Ekonomi), "Börsen und Markte" (Bursat dhe tregjet) dhe "Sport". Në lidhjen e tretë janë rubrikat "Feuilleton" (Fejton) dhe "Forschung und Technik" (Shkencë dhe teknikë).

 

Editoriali kryeredaktorial sqaron se ky ndryshim nuk përbën revolucion, por mirëfilli një evolucion, një vijim dhe pasurim të traditës aq të pashoqe të gazetës më autoritative zvicerane. Lexuesve iu premtohet një cilësi tejet e lartë profesionale dhe iu paraqiten një varg rubrikash e nënrubrikash me të cilat do të pasurohet gazeta, si dhe periodicitetin e tyre, pra cilat janë të përditshme, cilat javore dhe në çfarë ditësh janë ato.

 

Lexuesit i bëhet e ditur se në rubrikën "Opinione dhe debate" do të shkruajnë kolumnistë si bankieri privat sentgalas Konrad Hummler, shkrimtarja berlinase Iris Hanika, eksperti strategjik dhe blogeri me banim në Bruksel Ulrich Speck dhe ekonomisti e publicisti i ri Simon Ingold.

 

"Jemi të bindur se me këto ndryshime, në një kohë të vështirë ekonomike dhe të reklamave, NZZ do të forcohet më tej. Por ne jemi të vetëdijshëm se këto ndryshime do të gjejnë edhe miratimin e duhur. Opinioni juaj është për ne i rëndësishëm. Ne do të ishim të kënaqur nëse do të ishim bindës ndaj jush. Për besimin dhe interesimin tuaj unë ju falënderoj në emër të redaksisë dhe të botuesit," e përfundon editorialin e tij të sotëm kryeredaktori i Neue Zèrcher Zeitung Markus Spillmann.

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.