VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË BAZEL U KUJTUA VAÇE ZELA - MBRETËRESHA E KËNGËS SHQIPTARE

E Mërkurë, 03.19.2014, 09:44am (GMT1)


Të djelën që shkoi në Bazel të Zvicrës, familja e Vaçe Zelës dhe komuniteti shqiptar kujtoi Mbretëreshën e Këngës shqiptare.

Në këtë homazh, edhe një herë u kujtua Vaçe Zela u vlerësua si figura më e spikatur e këngës shqiptare, ndaj të cilës u përulën i madhe e i vogël, e cila me poetencialin e saj i bashkoi të gjithë shqiptarët e trojeve shqiptare dhe më gjerë kudo në botë.
 
Ky homazh u mbajt për respekt të adhuruesave të Vaçe Zelës që dëshironin ta vizitonin familjen e saj për ngushëllime e ta nderonin artisten e madhe duke ndarë dhimbjen me ta.
Për këtë arsye bashkëshorti i saj Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma, vendosën që të caktojnë një ditë kur secili do të kishte mundësi në t`i bënte homazh artistes së madhe.

Homazhi që u mbajt në kuadrin e veprimtarive të Këshillimores Shqiptare të Bazelit, ABSM, ishte organizuar me përkushtim të veçantë dhe enkas për këtë rast ishte përgatitur një program artistik. Tërë kohën në sfond dëgjoheshin tingujt e këngëve të Vaçe Zelës, këngë të komponuara nga kompozitorë të mëdhenj shqiptarë si Çesk Zadeja, Tish Daia, Kujtim Laro etj. Në hyrje të sallës ishte vendosur një libër i kujtimeve , ku secili kishte mundësinë t`i shkruante mbresat dhe kujtimet veta për artisten e madhe.

Homazhi u hap nga bashkëshorti i Vaçe Zelës i cili i i falënderoi të pranishmit dhe të gjithëve u shfaqi mirënjohjen e tij për ndarjen e dhimbjes me familjen.

Me këtë rast ishte përgatitur edhe një recital. U recituan poezi të rapsodit Agim Gashi nga Lipjani e me banim në Gjermani, i cili i kishte kushtuar poezi Vaçe Zelës, pastaj poezi të Gjevahir Cirongut etj.

Në vazhdim të pranishmit kishin rast të përcillnin një film dokumentar të realizuar në Shqipëri me rastin e vdekjes së Vaçe Zelës dhe ceremonisë së varrimit të saj, me titull: "Homazh për Artisten e Popullit, Vaçe Zela".

"Muzikës shqiptare do t`i mungojë mbretëresha e saj". Me këtë thënie të Agim Doçit, të pranishmëve iu dha rasti që të thoshin disa fjalë për Vaçe Zelën. Ishin të shumtë ata të cilët me fjalë të zgjedhura folën për përshtypjet e tyre për artisten e madhe të këngës shqipe. Ajo u vlerësua si personalitet e cila me këngën e saj theu kufijtë e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, ua lehtësoi të gjithëve dhimbjen e i bashkoi të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare dhe më gjerë kudo në botë.

Në këtë trakim ishin edhe Ambasadorët e Shqipërisë e Kosovës.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi edhe vajza e Vaçe Zelës, Irma Rodiqi.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.