VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDIHMA ZVICERANE PËR SHQIPËRINË - MBI 70 MILIONË EURO

E Enjte, 05.29.2014, 07:45am (GMT1)


Tiranë - Mbi 70 milionë euro është shuma në formë granti me të cilën qeveria zvicerane do të mbështesë Shqipërinë për 3 vitet e ardhshme në sektorët e decentralizimit, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës urbane dhe energjetike dhe shëndetësisë.

Në prezantimin e strategjisë së re të bashkëpunimit Shqipëri-Zvicër, drejtori i bashkëpunimit në ambasadën zvicerane, Holger Tausch tha se kjo ndihmë financiare duhet të prodhojë rezultate konkrete.

"Janë 70 milionë euro ose rreth 90 milionë franga zvicerane që do t'i jepen Shqipërisë në formën e granteve për vitet 2014-2017. Shifra tjetër është 25%, që do të thotë se strategjia kërkon rezultate pasi Zvicra është e përkushtuar ndaj rezultateve", deklaroi Holger Tausch.

Ndërsa kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për arritjen e rezultateve konkrete, duke cilësuar një prej tyre reformën administrativo-territoriale.

"Jemi të detyruar të arrijmë rezultate konkrete në radhë të parë për ata që na kanë votuar dhe për të merituar besimin e shprehur me rritjen me rreth 22 milionë franga në vit të mbështetjes zvicerane për Shqipërinë. Një rezultat i parë është reforma administrativo-territoriale, që pa ndihmën e Zvicrës nuk do të ishte e mundur", deklaroi Rama.

Kjo reformë, tha kryeministri Rama, do t'i hapë rrugë transformimeve në fushat e specifikuara nga qeveria zvicerane. "Strategjia e bashkëpunimit me Zvicrën shtrihet në shumë fusha, që nga arsimi deri tek klima për biznesin. Duhet të shumëfishojmë të ardhurat tona në funksion të projekteve dhe zhvillimit", shtoi ai.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.