E Djelë, 01.26.2020, 08:01am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
ZVICRA - RRITJE TË MBËSHTETJES PËR SHQIPËRINË
Fjala e Kryeministrit Rama në prezantimin e Strategjisë së Bashkëpunimit, Shqipëri –Zvicër 2014-2017:

E Enjte, 05.29.2014, 08:54am (GMT+1)





Përshëndetje të gjithëve!
Strategjia e Bashkëpunimit që pata mundësinë dhe kënaqësinë ta shfletoj, është një nga dokumentet më interesantë që më ka rënë të lexoj në këtë periudhë, si një analizë e thellë, pa ekzagjerime brilante, e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, e kontekstit social-ekonomik të vendit tonë dhe e sfidave që shoqëria shqiptare ka përpara, për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Të katër fushat në të cilat fokusohet mbështetja zvicerane për vitet 2014-2017, decentralizimi, zhvillimi ekonomik, infrastruktura urbane dhe energjetike, si dhe shëndetësia janë faktikisht, fusha të një vëmendjeje prioritare për ne dhe ne jemi të vendosur të marrim rezultate. Asgjë më e mirë nuk mund të na ndodhte sesa të na bashkohej Zvicra në përpjekjen për të arritur rezultate në këto fusha.
Një rezultat i parë, i pritshëm,i prekshëm dhe unë besoj historik për Shqipërinë, është reforma territoriale-administrative, që tanimë është në fazën e saj të fundit dhe që nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen zvicerane.
Dua të falenderoj shumë ngrohtësisht, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike dhe Ambasadën Zvicerane, në mënyrë të posaçme për mbështetjen që kemi marrë për reformën administrativo-territoriale. Një reformë rrënjësore, e munguar prej më shumë se një dekade, të paktën dhe që pa as më të voglin dyshim do të na hapë rrugën, për të synuar me politika të reja, agresive, një sërë transformimesh edhe në fushat e përfshira në këtë dokument bashkëpunimi, që pa këtë reformë do të ishin të pamundura.
Unë besoj se nuk ka asgjë më të mirë, po ashtu, sesa aspekti i këtij dokumenti që lidhet me detajet konkrete. Dhe, praktikisht, ne jemi të detyruar të arrijmë rezultate konkrete. Në radhë të parë, për ata që na kanë besuar fuqimisht drejtimin e vendit, zgjedhësit shqiptarë, por jemi të detyruar të arrijmë rezultate konkrete për të merituar besimin e shprehur përmes një rritjeje me mesatarisht 22 milionë franga në vit, mbështetje e Zvicrës për Shqipërinë. Është një shifër jashtëzakonisht kuptimplotë dhe është një shifër jashtëzakonisht sfiduese për ne, për të arritur që të bashkërendojmë punën, hap pas hapi dhe të maksimalizojmë efektet e vënies në përdorim të kësaj shifre.
Të gjithë e dimë dhe këtu, shumica dërrmuese janë pjesë e një historie të gjatë marrëdhëniesh me donatorë, që jemi edhe përpara një sfide tjetër; Një sfide shumë të madhe, që të kompaktësojmë kontributet e donatorëve dhe të bëjmë të mundur disbursimin e sa më shumë fondeve, për të shkuar sa më thellë me prioritetet tona. Sepse po të shikosh historinë mbrapa, shumë projekte me donatorët u ngjanë atyre këpucëve që hidhnin nga avionët, aleatët, për të ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe që ishin shumica të djathta, më pak të majta, ose qëllonin që binin të majtat në një zonë, të djathtat në një zonë tjetër, kështu që, këpucët nuk përdoreshin dot. Këpucë ishin, por shkonin kot.
Unë jam i bindur se ekspertiza zvicerane do të jetë shumë e vyer në këtë aspekt. Në aspektin më të rëndësishëm dhe po ashtu, në aspektin më delikat për ne, që është aftësia e kapitalit tonë njerëzor për të shumëfishuar të ardhurat tona, në funksion të projekteve dhe në funksion të zhvillimit.
Gjej rastin që të theksoj po ashtu, se e konsideroj me të vërtetë një hap të rëndësishëm përpara, në fushën tërësore të bashkëpunimit me donatorët dhe me partnerët, këtë dokument. E unë besoj pa xhelozi, vetë donatorët brenda Bashkimit Europian duhet ta shohin këtë dokument si një pikë referimi, për mënyrën sesi mund të ndërtojmë bashkërisht një rrugë të re, për të sjellë në një pikë prioritetet e qeverisë së Shqipërisë me mundësitë për financim të donatorëve. Dhe, për të mos krijuar me fondet, situata që pastaj kërkojnë rivlerësime dhe rindërtime me kosto shumë të lartë. Mjafton t’ju sjell shembullin e trashëgimisë në fushën e projekteve dixhitale, për të dhënë thjesht një ide si me fonde të akorduara për Shqipërinë është ndërtuar deri më sot, një ‘Bathore dixhitale’, ku secili ka atë shtëpinë e vet, po ku nuk ka infrastrukturë që lidhë të gjitha shtëpitë bashkë, nuk ka kanalizimeve, nuk ka ujësjellës, nuk ka energji. Praktikisht, sistemet e ndërtuara që ne trashëgojmë janë sisteme të mbyllura, që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Ajo që na duhet sot, është që të ristartojmë një proces të tërë dixhitalizimi për të bërë të mundur që çdo para që hyn qoftë nga donatorët, qoftë nga institucionet buxhetore, qoftë nga buxheti i shtetit në këtë proces të çojë drejt ndërtimit të një sistemi unik, ku të gjitha pjesët e sistemit të jenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të ndërveprojnë me njëra-tjetrën.
Nuk mund të ketë një sistem më vete për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, një sistem më vete për Agjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një sistem më vete për Agjencinë e Legalizimeve dhe të tre sistemet nuk e njohin njeri-tjetrin. Jo vetëm kaq, por i njëjti person mund të marrë tre pronësi të ndryshme, nëse i drejtohet të treja këtyre sistemeve për të vërtetuar që disponon një pronë.
E njëjta gjë mund të thuhet, por ndoshta do më shumë kohë për t’u shpjeguar se si në fusha të tjera e njëjta gjë ka ndodhur. Kemi sot sisteme ujësjellësish të financuar dhe të dorëzuar, që nuk funksionojnë; sisteme trajtimi të ujërave të zeza që nuk funksionojnë; sisteme të përpunimit të mbetjeve që nuk funksionojnë, sepse janë konceptuar dhe janë ndërtuar me standarde të ndryshme, me mënyra të ndryshme dhe pa menduar se si do të funksionojnë kur të hyjnë në sistemin e përbashkët, për 1001 arsye.
Është me fort rëndësi që në këtë bashkëpunim, ne do të kemi mundësinë të thellojmë njohjen tonë, lidhur me atë çka Shqipëria do të bëjë si pjesëmarrëse në projektin e ri global të energjisë që është Gazsjellësi Transadriatik, atë çka ne kemi shumë nevojë sot dhe përsëri përgjigja që vjen nga ky dokument është adekuate, për vlerësimin serioz të potencialit tonë energjetik. E padyshim, edhe për të gjitha aspektet e prekura në Strategjinë e Bashkëpunimit, që nga arsimi profesional, deri tek klima e biznesit.
Nga ana tjetër, është fort me rëndësi për ne që ky dokument që nuk është një strategji e radhës, por është një dokument pune për të dy palët, për të çuar përpara projekte konkrete dhe për të shpenzuar para të vendosura në dispozicion të këtyre projekteve, vjen një moment kur Shqipëria, ashtu si gjithë rajoni përjeton një sfidë të madhe që është sfida e paqes. Sfida e paqes, që na vë të gjithëve përpara një urgjence të madhe për t’i dhënë kuptim paqes së bërë mes armiqsh të deridjeshëm, në funksion të integrimit europian. Fatkeqësisht, kjo përkon me një kohë pak të veçantë, kur ne që jemi jashtë, duam të hyjmë brenda dhe ata që janë brenda dhe që janë më mirë se të tjerët duan të dalin jashtë nga BE.
Kjo është një sfidë e madhe dhe pa as më të voglin dyshim një sfidë ekonomike dhe sociale. E pastaj sigurisht edhe politike. Edhe pse është politika që do të definojë edhe mënyrën se si sfida do të fitohet, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin social.
Së fundi, nuk mund të rri pa thënë këtu se sa herë që flasim për Zvicrën, na kujtohet se kur hymë në rrugën e lirisë, Zvicra ishte gjëja që shumë kishin në mend. Madje pati edhe politikanë guximtarë që deklaruan se do ta bënin Shqipërinë si Zvicra. Tani, nuk e di sa është bërë Shqipëria si Zvicra, por jam i sigurtë që Zvicra nuk do të ishte në kampionat botëror pa shqiptarët.
Ky është një kontribut për të cilin besoj, që edhe pse pa zë të lartë, e kemi mirënjohjen e Zvicrës. Ndërkohë që ne na duhen zviceranët, jo për të shkuar në kampionat botëror, por për t’u ngjitur pak më lart në renditjen botërore të perceptimit. Sepse kur mu desh në shkoja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pash një renditje botërore të perceptimit, Zvicra rezultonte e para e ne ishim 161 vende pas Zvicrës. Sigurisht, që çështja e perceptimit lidhet në radhë të parë me atë që je, por sigurisht lidhet pastaj me atë që të tjerët kujtojnë gabimisht se mund të jesh. E dyta mund të përmirësohet vetëm në qoftë se e para zë më shumë vend në sytë e të tjerëve. Unë besoj se ky dokument dhe ky bashkëpunim me Zvicrën na ndihmon për të këtë. Na ndihmon për të qenë më shumë ata që realisht jemi dhe me pak ata që nuk jemi, në sytë e të tjerëve.
Ju falenderoj nga zemra me shprehjen e një autori që ditët e mirë që vijnë i lidhte me Zvicrën në këtë formë: “Futem në sahatin tim zviceran dhe përgjumem, duke menduar çdo natë se më e mira akoma nuk ka ardhur, por është duke ardhur.”
Ne u futëm në sahatin e programit 2014-2017 dhe unë jam i bindur se më e mira vjen në tre vitet që vijnë.
E pas tre vitesh nuk do jemi bërë si Zvicra, por me siguri njerëzit do të mendojmë të gjithë pak më mirë për ne, dhe ne do të kemi shumë më tepër besim tek vetja.
Faleminderit!
***
Në një Konferencë të posaçme e Qeverisë shqiptare dhe Ambasadës zvicerane në Tiranë u prezantua Strategjia e Bashkëpunimit, Shqipëri –Zvicër 2014-2017.

Strategjia e Bashkëpunimit orienton mbështetjen financiare dhe ekspertizën zvicerane për vitet 2014-2017, në katër fusha: decentralizimi, zhvillimi ekonomik, infrastruktura urbane dhe energjetikë. Dokumenti parashikon angazhim më të lartë se Strategjia paraardhëse dhe rritje të mbështetjes për vendin me rreth 22 milionë franga në vit.

Dokumenti i Strategjisë së Bashkëpunimit është një punë e përbashkët e Qeverisë shqiptare, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike dhe Ambasadës Zvicerane në Shqipëri.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NDIHMA ZVICERANE PËR SHQIPËRINË - MBI 70 MILIONË EURO (05.29.2014)
BRAZIL 2014, FLET SHQIPTAROZVICERANI XHERDAN SHAQIRI - YLLI PREJ TË CILIT ZVICRA E PRET FITOREN (05.28.2014)
UNIVERSITETET E ZVICRËS - MË SE NJË E KATËRTA E STUDENTËVE JANË FËMIJË TË EMIGRANTËVE (05.28.2014)
BAZEL - NË KUADRIN E ZOOPARKUT OQEANIUMI QË DO TË KUSHTOJË 100 MILIONË FRANGA (Lajm dhe fotogaleri) (05.27.2014)
FORUMI I GRUAS SË LDK NË ZVICËR ZGJODHI KRYESINË E RE (05.26.2014)
TENORI SHQIPTAR I KLASIT BOTËROR AGIM HUSHI JEP KONCERT MË 24 MAJ NË ZÜRICH (05.23.2014)
ZVICERANËT JANË MË PAK EUROSKEPTIKË SE ITALIANËT (05.23.2014)
ZVICRA RIKONFIRMOHET SI EKONOMI KONKURUESE - E DYTA NË BOTË PAS SHBA (05.22.2014)
ZVICRA DHE BASHKIMI EVROPIAN NISIN BISEDIMET PËR NJË MARRËVESHJE TË RE (05.22.2014)
LAMTUMIRË SEKRETIT BANKAR - KËSHILLI FEDERAL I ZVICRËS NGULMON PËR SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONEVE ME BE DHE SHBA (05.21.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2020  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]