VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHEMAILI E XHAKA PRANOJNË SE KUNDËR FRANCËS SHKUAN GJËRAT KEQ

E Martë, 06.24.2014, 08:15am (GMT1)



Mesfushorët shqiptarë të Përfaqësueses së Zvicrës, Blerim Xhemaili e Granit Xhaka, pranojnë se në ndeshje kundër Francës gjërat nuk ecën sipas planit. Mirëpo ata thonë se kundër Hondurasit duhet të rregullohen gabimet dhe të fitohet sfida e të sigurohet kualifikimi në 1/8 e finales të Botërorit.

Zvicra pësoi nga Franca me shifrat 5:2, ndërsa me një fitore në xhiron e fundit ndaj Hondurasit do të arrihej kualifikimi. Xhemaili e Xhaka kanë folur të dielën në konferencë për media. Të dy shënuan në humbjen ndaj Francës.

"Ishte shumë e vështirë, veçanërisht pas disavantazhit 3:0. Ne kemi bërë një analizë të lojës. Tash duhet të tregojmë karakter dhe skuadra do ta bëjë këtë. Ne, Zvicra e vogël, jemi mposhtur nga Franca me kundërsulme. Kjo do të thotë se ne luajmë lojë ofensive", ka thënë Xhemaili. "Hondurasi jep çdo gjë, dhe është shumë agresiv. Ne e njohim Hondurasin. Ne duhet të koncentrohemi në lojën tonë dhe të luajmë siç luajmë gjithmonë, transmeton KOHA Ditore.

Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Detyrat e vogla duhet të zgjidhen. Kjo do të thotë: të mposhtet Hondurasi. Ne nuk luajmë si individualistë. Kundër Francës jemi paraqitur si skuadër. Por, eci keq. Ne kemi humbur 5:2 dhe ky është problemi, pasi po të humbnim 1:0 atëherë askush nuk do të thoshte asgjë. Synimi ynë është t'i japim një lamtumirë sa më të mirë trajnerit Ottmar Hitzfeld".

Ndërkohë Xhaka, që shënoi golin e dytë në sfidën kundër Francës, ka thënë se duhet të luhet më tepër si ekip kundër Hondurasit.

"Nuk ishte çdo gjë negative. Të mërkurën duhet të paraqitemi si skuadër. E jo secili të shohë vetëm punën e vet. Natyrisht se atmosfera gjatë udhëtimit të kthimit pas ndeshjes kundër Francës nuk ishte e mirë. Tash duhet të shikojmë para. Ndeshja kundër Hondurasit është si një finale. Duhet të jemi të koncentruar.

Klima nuk është arsyetim. Duhet të tregojmë performancën që kemi treguar në eliminatore. Ne jemi ende Zvicra e vogël, por nuk duhet të fshihemi nga askush. Dy pjesët e para të dy ndeshjeve të para nuk ishin të mira. Tash duhet në një ndeshje të tregojmë dy pjesë të mira. Unë tash e tri javë jam duke u kritikuar. Unë jam profesionist sa duhet për të përballuar këtë. Çfarë shkruajnë njerëzit nuk më intereson. Është me rëndësi që trajneri të jetë i kënaqur", ka thënë Xhaka.kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.