VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHERDAN SHAQIRI - HEROI I ZVICRËS

E Enjte, 06.26.2014, 06:20am (GMT1)



Xherdan Shaqiri është bërë shqiptari i parë që shënon hat-trick në një Kampionat Botëror, pasi pothuajse i vetëm ka mposhtur Hondurasin për ta kualifikuar Zvicrën në mesin e 16 skuadrave më të mira në Brazil.

Shaqiri me tre golat e tij i ndihmoi përfaqësueses së Zvicrës që të kalojë grupin E së bashku me Francën, por tani Shaqirin dhe katër shqiptarët tjerë i pret një ndeshje e vështirë pasi në rrethin tjetër do të përballen me Messin dhe Argjentinën e tij.

Rasti i parë në ndeshje i takoi Zvicrës që shfrytëzoi një gabim në mesfushë për të nisur një kundërsulm të shpejtë, por Xherdan Shaqiri ishte i pafat pasi portieri priti goditjen e tij.

Shaqiri që u kritikua shumë për formën e tij të dobët, heshti të gjithë në minutën e pestë kur shënoi një euro-gol të cilën nuk e pa as portieri që nuk reagoi fare.
Kur po zhvilloheshin 30 minuta lojë zviceranët organizuan një kundërsulm të shpejtë përmes Drmiqit që pasoi për Shaqirin i cili me një goditje të lehtë mposhti portierin Vallarades.

    Shaqiri, shqiptari i parë që shënon hat-trick në Botëror [video]

Gjashtë minuta më vonë Granit Xhaka gjuajti pas një depërtimi nga ana e djathtë, por mesfushori ishte i pasaktë pasi topi përfundoi mbi portë.
Dy rastet e fundit në pjesën e parë nuk i shfrytëzoi Drmiq pasi tentimet e tij i priti portieri i Hondurasit.

Hondurasi u shfaq më e rrezikshme në fillim të pjesë së dytë kur Jerry Bengtson kontrolloi mirë një pasim brenda zonës. Ai kaloi portierin dhe më pas goditi topin që po shkonte drejtë portës, por në vijën e fundit e largoi Ricardo Rodriguez që mohoi një gol të sigurt.

Në minutën e 57-të Mehmedi pasoi mirë për Shaqirin i cili kishte mundësi që të shënonte hat-trick, por këtë ia mohoi Vallarades që priti me gjoks gjuajtjen e tij.
Shaqiri u bë shqiptari i parë që shënon hat-trick në minutën 71-të kur pas asistimit të Drmiqit mposhti përsëri portierin e Hondurasit.

Pas dhjetë minutave Admir Mehmedi nuk kompletoi "pokerin" për Zvicrën pasi shpërdoroi një rast të mirë pas një aksioni të rrjedhshëm, por goditjen e shqiptarit e ndali Vallarades.

Katër minuta pa përfunduar loja Shaqiri u zëvendësua nga Blerim Xhemajli dhe gjatë largimit Shaqa u duartrokit nga shikuesit e pranishëm në stadium.

Në ndeshjen tjetër Franca ka barazuar 0 me 0 me Ekuadorin që së bashku me Hondurasin përshëndeten nga ky Botëror.kd

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.