VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËR HIMNIN E RI TË ZVICRËS - GJITHSEJT 116 PROPOZIME

E Martë, 07.01.2014, 09:08am (GMT1)



Që çështja e himnit të ri të Zvicrës të ngrihet pikërisht në ditët kur "përdorimi" i këtij himni është më i madhi (gjatë Botërorit të futbollit) është koincidencë, por dje, më 30 qershor përfundoi afati i konkurrimit për himnin e ri, "që përkon me afatin" e Zvicrës, të shpallur në fillim të vitit nga Këshilli Federal, shkruan albinfo.

Një deputet nga SVP/UDC në Parlamentin Nacional ka kërkuar që për këtë himn të vendosë populli me referendum por ndërkohë ai ka marrë përgjigje negative nga qeveria e vendit.

Deri më tani kanë ardhur gjithsej 116 propozime me tekst dhe muzikë, ka shkruar "NZZ am Sonntag" 70 janë në gjuhën gjermane, 40 në atë frënge, katër në gjuhën italiane dhe një në gjuhën retoromane. Nje juri në nivel të vendit, deri në vjeshtë do të bëjë një përzgjedhje prej më së shumti 10 tekstesh, të cilat do të përkthehen në të katër gjuhët e vendit. Pas kësaj, përmes votimit me telefona dhe me sms-a do të shpallet fituesi. Ndërsa më së voni deri në vitin 2016 kënga fituese do t`i dorëzohet Këshillit Federal për "miratimin e saj si himni i ardhshëm kombëtar i Zvicrës".

Por, për politikanin e SVP/UDC-së, Peter Keller, deputet në Parlamentin Nacional,kjo mënyrë votimi nuk është e pranueshme. Ai e quan këtë një "casting show të marrë" dhe kërkon që himni fitues t`i dorëzohet parlamentit që të vendosë për ta hedhur atë në referendum gjithëpopullor. Mirëpo qeveria e vendit në rekomandimin që i ka bërë parlamentit ka kërkuar që ai ta hedhë poshtë mocionin e politikanit në fjalë. Njëkohësisht ajo ka siguruar se nuk do të vendosë kokë më vete për himnin e ri.

Himni i sotëm, "Psalmi Zviceran" është shkruar në vitin 1840 nga Leonhard Widmer ndërsa një vit më vonë i është shtuar edhe muzika nga Alberich Zwyssig. Në vitin 1981 "Psalmi Zviceran" është bërë himn zyrtar i Zvicrës". Ndërkohë, për shkak të gjuhës së vjetruar dhe të rëndë për brezat e sotëm dhe për shkak të elementit fetar në tekst, në opinionin zviceran është pjekur mendimi për ndryshimin e tij.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.