VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'PELE I PERUSË' E KRAHASON SHAQIRIN ME MESSIN E NEYMARIN

E Shtunë, 07.05.2014, 02:03pm (GMT1)



Legjenda e futbollit të Amerikës së Jugut, peruani Teofilo Cubillas, ngazëllehet kur flet për mesfushorin e Përfaqësueses së Zvicrës dhe të Bayern Muenchenit, Xherdan Shaqiri, shkruan të premten "Bluewin.ch".

Cubillas 65-vjeçar, gjatë kohës së tij ka mbajtur nofkën "Pele i Perusë" dhe është shpallur si lojtari më i mirë në histori të këtij shteti. Ai në vitin 1973 ishte transferuar te skuadra e Baselit nga Alianza Lima për një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh. Cubillas ka marrë pjesë tri herë në Kampionatin Botëror dhe ka fituar Kupën e Amerikës me Përfaqësuesen e Perusë.

"Në Brazil kanë dalë në skenë disa emra të mëdhenj të futbollistëve. Messi, Neymar, Benzema, Rodriguez dhe Shaqiri. Mund të them se këta kanë shkëlqyer", është shprehur Cubillas. "Shaqiri pa asnjë dilemë ishte i barabartë me Messin dhe Neymarin dhe është në nivelin e këtyre superyjeve të futbollit botëror".

Cubillas nuk është ndalur me kaq. Ai ka insistuar se Shaqiri është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe pa asnjë dyshim ishte më i dalluari te Përfaqësuesja e Zvicrës. Zvicra u eliminua në 1/8 e finales nga Argjentina (1:0) pas 120 minutave lojë.

"Shaqiri është një talent gjigant. Është lojtar i klasit të parë dhe këtë më së miri e tregoi në Brazil. Ai ishte një lider i vërtetë i Zvicrës dhe më vjen shumë keq që u eliminua kaq herët", është shprehur Cubillas, transmeton koha.net. "Shaqiri do të arrijë shumë në të ardhmen. Ka një teknikë të jashtëzakonshme, depërtime të mira, harkime dhe gjuajtje të fuqishme. Aftësi këto që e karakterizojnë një superyll të futbollit".

Shaqiri në Kampionatin Botëror "Brazili 2014" ka zhvilluar katër ndeshje dhe ka shënuar "hat-trick" në fazën e grupeve kundër Hondurasit. Pos Shaqirit, pjesë e Përfaqësueses zvicerane ishin edhe shqiptarët e tjerë si: Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi e Blerim Xhemaili. Në listën e realizatorëve te Zvicra në Kampionatin Botëror "Brazili 2014" janë regjistruar edhe Mehmedi, Xhemaili e Xhaka.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.