VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zëri i Amerikës: Sfidohet ligji kundër minareve në Gjykatën e Strasburgut
E Premte, 12.18.2009, 07:28am (GMT1)

Një përfaqësues i rëndësishëm i myslimanëve të Zvicrës po sfidon ligjin e ri zviceran i cili ndalon ndërtimin e minareve në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të Francës.

 

Ankesa u paraqit nga ish zëdhënësi i një xhamie në Gjenevë, Hafid Ouardiri, i cili përfaqëson një shoqatë myslimane që ka për qëllim të nxisë dialogun ndërfetar. Ai thotë se duke miratuar ligjin kundër ndërtimit të minareve, Zvicra ka shkelur konventën e të drejtave të njeriut e cila garanton lirinë fetare dhe është kundër diskriminimit.
Zoti Ouardiri thotë se ai po vepron në emër të të gjithë zviceranëve të cilët ndjehen si ai.

"Të gjithë së bashku po luftojmë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe Zvicrën kundër racizmit dhe frikës nga feja islame. Unë mendoj se ne po veprojmë drejtë, së pari për njerëzit e Zvicrës dhe së dyti për vendin tonë. Ne po përpiqemi të ndihmojmë Zvicrën të luftojë kundër ekstemistëve".

 

Muajin e kaluar zviceranët votuan në favor të referendumit kundër ndërtimit të minareve. Rezultati i referendumit u dënua nga shumë njerëz. Tani, një grup intelektualësh zviceranë ka njoftuar se po konsideron organizimin e një referendumi të ri kundër atij të mëparshmit. Media zvicerane po ashtu njofton se së paku dy ankesa kundër ligjit që ndalon ndërtimin e minareve janë dorëzuar në Gjykatën federale të Zvicrës.

 

Rreth 500 protestues po ashtu u mblodhen para parlamentit të Zvicrës javën e kaluar për të protestuar kundër ligjit të ri. Por politikanët nacionalistë në Zvicër dhe jashtë saj kanë lavdëruar masën e re kundër ndërtimit të minareve.

 

Nga 150 xhami ose dhoma që përdoren për t'u falur në Zvicër vetëm 4 kanë minare dhe vetëm dy minare të tjera ishin planifikuar për t'u ndërtuar. Asnjëra nga minaret nuk përdoret për të ftuar besimtarët. Zvicra ka një popullsi prej 7,5 milion banorësh dhe rreth 400 mijë prej tyre janë myslimanë.

(http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.