VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NEVOJITET RESPEKTIM MË I MIRË I SË DREJTËS HUMANITARE NDËRKOMBËTARE
Apel nga Zvicra dhe KNKK në përkujtim të 150 vjetorit të Konventës të Gjenevës
Nga DIDIER BURKHALTER & PETER MAURER 

E Premte, 08.22.2014, 08:44am (GMT1)




Si sot para 150 vitesh u adaptua Konventa e Parë e Gjenevës mbi përkujdesjen e ushtarëve të plagosur në fushën e betejës. Në këtë mënyre në të drejtën ndërkombëtare hyri ideja që edhe në kohë lufte është e domosdoshme të gjejë zbatim një masë minimale humanizmi. Zvicra dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit te Kuq (KNKK) që në atë kohë shpalosën në skenën botërore konceptin e të drejtës humanitare ndërkombëtare, angazhohen edhe sot që ky princip të vihet në jetë në një mënyrë sa më efikase. Sepse edhe sot e kësaj dite mungojnë ende mekanizma për të nxitur zbatimin e tij.

Luftërat e sotme kanë pak gjëra të përbashkëta me betejat e shekullit të 19. Veprimet luftarake janë zhvendosur nga fushat e izoluara të betejës gjithmonë e më tepër në qendër të zonave të banuara. Lufta tradicionale ndërmjet ushtrive të dy shteteve armiq tashmë është përjashtim nga rregulli. Sot janë personat civile ata të cilët vuajnë pasojat e konflikteve të armatosura. E drejta humanitare ndërkombëtare i është përshtatur këtij transformimi.

Të tronditur nga shkatërrimet dhe vuajtjet e luftës të dytë botërore shtetet ranë dakord në vitin 1949 në katër Konventa të Gjenevës për një mbrojtje të gjithanshme të të gjithë personave të cilët nuk marrin pjesë në veprimet e armatosura, të ushtarëve të plagosur ose të sëmurë, të robërve të luftës dhe të popullsisë civile. Ky thelb i të drejtës humanitare ndërkombëtare u plotësua në vitet 1977 dhe 2005 me tre protokolle të tjera shtesë. Përdorimi i armëve të caktuara, si p.sh. armët biologjike dhe kimike, municionet shpërthyese, minat anti-njeri, është gjerësisht i ndaluar. E drejta parashikon masa të tilla, të cilat i kundërvihen brutalitetit të luftës dhe kanë si qëllim të mbrojnë personat e pa mbrojtur. Edhe në zbatim të këtij parimi vërehen përparime të caktuara, p.sh. në fushën e trajnimit të ushtarëve ose në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, veçanërisht me themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës.

Megjithatë çdo ditë përballemi me lajme dhe pamje të tmerrshme nga e gjithë bota, të cilat na dëshmojnë vuajtje të mëdha në konfliktet e armatosura. Shpesh ndodh që mosrespektimi i të drejtës humanitare ndërkombëtare është shkaku kryesor i këtyre vuajtjeve. Pas këtij fakti fshihet një dështim kolektiv. Shtetet janë zotuar në artikullin 1 të Konventës të Gjenevës të vitit 1949 për t'ju përmbajtur dhe për të zbatuar në çdo rrethanë dispozitat e tij. Megjithatë deri më sot nuk ja kanë arritur të gjejnë mjetet e duhura për të mbajtur premtimet e tyre. Të drejtës humanitare ndërkombëtare i mungojnë që në zanafillën e saj mekanizma, me anën e të cilëve mund të bëhet i mundur zbatimi konkret i saj.

Kjo pamundësi për të prekurit nga lufta shpesh nënkupton vdekje dhe rrënim. Bazat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kanë vlefshmëri universale. Megjithatë kërkohen përpjekje të vazhdueshme sepse ekzistenca e saj nuk është e siguruar në vazhdimësi. Një e drejtë e cila dhunohet rregullisht duke mos patur asnjë reaksion, rrezikon që me kalimin e kohës të humbasë qëllimin për të cilin ajo është krijuar.

Pasojat për viktimat e konflikteve të armatosura do të ishin të papërshkrueshme. Për këtë arsye Zvicra dhe KNKK prej vitit 2012 po zhvillojnë konsultime me të gjitha shtetet mbi temën se si mund të forcohet më tej zbatimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare. Për këtë qëllim ato bazohen në një mandat, të cilin atyre ju a ka akorduar konferenca e 31-të ndërkombëtare e Kryqit te Kuq dhe e Gjysëmhënës të Kuqe. Ato janë të bindura se shtetet kanë nevojë për një forum ku te diskutojnë së bashku masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për zbatmin sa më të mirë të të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare. Ato duhet të angazhohen sistematikisht dhe rregullisht se si ti përmbushin detyrimet e tyre. Në këtë mënyrë me kalimin e kohës do të krijohet një pamje e përgjithshme e zbatimit të detyrimeve dhe të sfidave që lidhen me to. Mbi këtë bazë shtetet mund të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për forcimin e zbatimit të ligjit, për shëmbull duke ndihmuar njëri-tjetrin për të zhvilluar kapacitetet dhe kompetencat e domosdoshme për të përmbushur detyrimet e tyre. Ata gjithashtu mund të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre dhe të informohen reciprokisht më të rejat e fundit me qëllim përballimin e kësaj detyre shpeshherë komplekse dhe të vështirë. Një forum shtetesh duhet të krijojë parakushtet e nevojshme dhe të garantojë që zhvillimet në format e ardhshme të luftës (për shembull në fushën e teknologjisë të armëve) ti nënshtrohen ligjit dhe jo e anasjellta.

Për këtë arsye është i nevojshëm një dialog i ndërsjellë mbi çështjet e të drejtës humanitare të popujve. Prandaj shtetet duhet të kenë në dispozicion një instrument i cili ju mundëson reagimin në rastet e shkeljeve të rënda të të drejtës humanitare të popujve. Qëllimi është që në të ardhmen të parandalohen krimet e luftës dhe të ruhet popullsia civile nga vuajtjet e mëtejshme. Një mekanizëm për hetimin e këtyre rasteve do të ishte shumë i përshtatshëm. Në kuadër të mandatit që i është akorduar, Zvicra dhe KNKK do të nxjerrin rekomandime specifike për krijimin e këtij forumi shtetesh gjatë punimeve të Konferencës të 32-të Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysëmhënës të Kuqe, e cila do të mbahet në vitin 2015 në Gjenevë. Me këtë rast shtetet do të kenë mundësinë të vendosin për aksionet e mëtejshme që duhen ndërmarrë.

Që prej adoptimit të Konventës të Parë të Gjenevës 150 vjet më parë e drejta ndërkombëtare humanitare është bërë një shtyllë kryesore e të drejtës ndërkombëtare. Dispozitat e saj shërbejnë për mbrojtjen e asaj çfarë na karakterizon neve si njerëz; humanizmi ynë. Kjo është një e drejtë e pa revokueshme, e cila bazohet në përvojën shekullore të të gjitha kulturave të njerëzimit se nevojiten rregulla më qëllim që konfliktet e armatosura të mos degjenerojnë në barbarizëm. Është detyrë e brezit tonë që të forcojmë arritjet e deritanishme duke krijuar kornizat institucionale për siguruar zbatimin e këtyre rregullave. E drejta mund ta shpalosë efektin e saj vetëm në rast se zotëron instrumentat e nevojshëm për këtë qëllim. Asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit zgjidhja nuk ka qenë aq afër sa sot. Është detyra jonë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi.

Didier Burkhalter është President Federal i Zvicrës, kurse Peter Maurer, President i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.