VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHËN GALEN - NJË SHQIPTAR NGA PRESHEVA U VRA BRENDA NJË XHAMIE

E Shtunë, 08.23.2014, 07:56am (GMT1)


                Vendi ku ka ndodhur krimi

Ngjarja që ndodhi pas faljes së namazit të xhumasë ka shokuar besimtarët, të cilët po përgatiteshin për t'u kthyer në banesat e tyre, teksa një 50-vjeçar shqiptar qëlloi me 5 plumba bashkëkombasin e tij të së njëjtës moshë. Krimi i rëndë ndodhi në xhaminë "El Hidaje" në lagjen Winkeln të qytetit Shën Galen (Sant Gallen), Zvicër.

Sipas dëshmive, autori i vrasjes nuk ishte një besimtar i rregullt që frekuentonte këtë xhami, por kohët e fundit ishte parë më shpesh aty. Mesa duket autori e ka vëzhguar viktimën prej kohësh.

Lajmin e dha e para, në botimin online, gazeta e përditshme "Blick", sipas dëshmisë së një lexuesi të saj.

Zëdhënësi i policisë, Gian Andrea Rezzoli, duke konfirmuar lajmin, deklaroi se autori i krimit u arrestua, pasi po priste të dorëzohej dhe kishte qëndruar brenda xhamisë me pistoletë në dorë.

Burim Berisha, një shqiptar që jeton në Zvicër dhe që frekuentonte xhaminë "El Hidaje" ka thënë për policinë se vrasja duket se ka për motiv gjakmarrjen. Duke qenë se ai e njihte viktimën dhe autorin, Burim Berisha ka bërë të ditur se 20 vjet më parë viktima ia kishte vrarë të vëllanë aurorit të vrasjes.

Qendra Islame e Zvicrës, në një komunikatë të lëshuar dje, sqaron se vrasja nuk ka ndodhur për motive fetare as për motive politike.

Ish-imami i kësaj xhamie, Fehim Dragusha, i ka thënë agjencis Reuters se të shtënat nuk kanë të bëjnë me motiv politik, por ishte çështje e armiqësisë së dy familjeve shqiptare, që ai i njihte.

"Ishte konflikt personal ndërmjet dy familjeve", tha Dragusha, i cili kishte shërbyer tri vjet si imam në xhaminë El-Hidaje, dhe ka shtuar se "nuk ka të bëjë asgjë me politikë".

Reuters raporton se xhamia El-Hidaje, ku ka ndodhur vrasja, është në mes të komunitetit lokal shpiptar.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.