VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHERDAN SHAQIRI - DO TË REFUZOJA TË LUAJA NË STADIUMIN SERB

E Shtunë, 10.18.2014, 12:01pm (GMT1)



TIRANE - Incidenti përgjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri ka qenë padyshim kryefjala e javës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mediat ndërkombëtare. Personazhe të fushave të ndryshme kanë dhënë tashmë opinionin e tyre rreth ngjarjes. Futbollisti shqiptar, që luan me përfaqësuesen e Zvicrës, Xherdan Shaqiri në këtë intervistë rrëfen se ka ndjerë emocion teksa ka parë djemtë e kombëtares shqiptare të mbrojnë në atë mënyrë flamurin e Shqipërisë etnike. Edhe pse jo rrallë është akuzuar si "tradhtar", pasi nuk zgjodhi kombëtaren tonë, Shaqiri shprehet se ndjehet krenar për vendin e tij si dhe për gjithçka ndodhi. "˜Djemtë e kombëtares ia dolën si në fushën e blertë ashtu dhe në respektin që treguan për vendin e shqiponjave', thotë në rrëfimin e tij futbollisti i famshëm. Nëse do të kishte qenë ai një lojtar i përfaqësueses sonë shprehet se nuk do të kishte pranuar të zbriste në fushë nën thirrjet "Vritini vritini shqiptarët".

Ku e ndoqët ndeshjen Serbi-Shqipëri?
E ndoqa nën shoqërinë e miqve dhe familjarëve të mi. Ka qenë një ndeshje e mbushur me emocion ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Pyetja që i bëhet çdo shqiptari këto ditë, si u ndjetë kur patë hartën e Shqipërisë etnike mbi kokën e serbëve?
U ndjeva ashtu si u ndje çdo shqiptar besoj. Krenar dhe i mbushur me emocion. Është ndjesia më e veçantë në botë. Momenti ku çdo kush e kupton se është patriot dhe rrjedh gjak shqiptari ndër vena.

Nëse do të kishit qenë ju në atë fushë si do të kishit reaguar teksa futbollisti serb mori flamurin tonë?
Do kisha bërë të njëjtat veprime që dhe djemtë e kombëtares bënë. Padyshim që do ti kisha rrëmbyer nga duart futbollistëve serb flamurin e Shqipërisë etnike.

A e konsideroni valëvitjen e flamurit një provokim nga shqiptarët?
Absolutisht që jo. Për rreth 40 minuta djemtë luajtën nën thirrjet "˜vritini shqiptarët' dhe ai flamur i dha zemër kombëtares. Në të gjithë stadiumin ishin flamurët serb dhe askush si mori si provokim, përse duhet të ishte flamuri ynë provokim. Përse nuk duhet të ishim të barabartë me shtetin që po luanin? Në fushën e blertë ishim të barabartë, madje kishim një lojë dhe më të mirë se përfaqësuesja serbe.

Do të kishit pranuar të luanit në një fushë teksa bërtitej "Vritini vritini shqiptarët"?
Unë jam një futbollist dhe zbres në fushën e blertë për të treguar atë që di të bëjë më mirë. Nuk i takojnë futbollistëve të zgjidhin problemet mes dy shteteve dhe aq më tepër nuk kanë pse të bien pre e dhunës qoftë dhe verbale të huliganëve. Unë personalisht si Xherdan nuk do të zbrisja në një fushë me njerëz të urryer. Do të kisha refuzuar të vija këmbën në atë stadium ku kishte vetëm njerëz të urryeshëm.

Teksa shikonit këtë ndeshje, u penduat apo u bindët që nuk keni zgjedhur kombëtaren shqiptare për të luajtur?
Mund të them se djemtë e kombëtares më kanë bërë krenar që jam shqiptar.

Kjo është një ngjarje që na bën krenar në sytë e botës apo na poshtëron?
Na bën krenar dhe shumë madje. Gjithçka e bënë për të mbrojtur simbolet tona, flamurin tonë.

Ju vetë jeni prova që në futboll lihet pas çdo lidhje tjetër, pasi ju keni shënuar një gol ndaj Shqipërisë, a mendoni se dhe kjo ndeshje duhet të linte pas të shkuarën mes dy shteteve?
Një profesionist duhet të lërë pas gjithçka në emër të fanellës me të cilën luan. Nëse zgjedh të zbresësh në fushë, duhet ta respektosh kundërshtarin. Kështu duhet të ndodhte dhe në rastin e Serbisë. Kjo ndeshje që ndodh në vitin 2014, duhet të linte pas të shkuarën mes dy shteteve, së paku për hir të lojës.

A i njihni nga afër djemtë e kombëtares, a folët me ta pas incidentit, çfarë ju kanë thënë?
Nuk i njoh nga afër dhe pse kam vlerësimin për secilin prej tyre. Kam parë që ditët e fundit janë bërë shumë popullor në rrjetet sociale dhe më vjen mirë që publiku ka filluar ta vlerësojë futbollin shqiptar.

"Djemtë e kombëtares u bënë burra"
ishte një ndër statuset më të përhapura në rrjetet sociale ditët e fundit a mendoni dhe ju kështu? Djemtë e kombëtares ia dolën si në fushën e blertë ashtu dhe në respektin që treguan për vendin e shqiponjave.

Veçmas incidentit që shoqëroi ndeshjen, ju si një profesionist, si mendoni se po luante kombëtarja jonë në fushën e lojës?

Ishte një lojë e mirë. Pashë që kishin një përgatitje fizike shumë të mirë. Nëse loja do të vijonte jam e sigurt që do të kishim shënuar një gol.

Djemtë shqiptarë që luajnë jashtë Shqipërisë shpesh janë quajtur dhe "˜tradhtar', si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Nuk bëhet fjalë për tradhti kombëtare. Çdo kush ka arsyet e veta për tu bërë pjesë e një tjetër ekipi. Ashtu si dhe në rastin tim. Kam zgjedhur Zvicrën për arsyet e mia, por kjo nuk do të thotë që unë nuk e vlerësoj futbollin shqiptar dhe për këtë të quhem tradhtar.
Intervistoi: ENIDA HIMAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.