VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MË NË FUND KUPA DEJVIS I PËRKET ZVICRËS, NJË FITORE E TENISIT ZVICERAN, NJË FITORE E KOMBIT ZVICERAN

E Hënë, 11.24.2014, 11:06am (GMT1)



Voal-online.ch - Nuk është më një ëndërr, është një realitet. Zvicra, pas 114 vitesh të historisë së kësaj veprimtarie, fiton të parën Kupë Dejvis, falë suksesit vendimtar të mbretit hyjnor Roger Federer, i cili e ka dërmuar pa pikë mëshire në fushën e Stade Pierre-Mauroy të Lillas, kundërshtarin Richard Gasquet me një 6-4 6-2 6-2 të pastër në më pak se dy orë. Federer i vërtetë, ai i goditjeve fatale, i saktësive milimetrike, i trajektoreve të papërfytyrueshme, që shkaktojnë standing ovation.

Kështu Zvicra merr kupën e parë të madhe në historinë e saj, në praninë e një publiku rekord prej 27'448 vetash (mes të cilëve të pakten 5'000 zviceranë). E vetmja trofé që ende i mungonte tenisit helevet, i cili, më në fund bën pjesë në trungun e artë të Kupës Dejvis, garë në të cilën është përfshirë vetëm 22 vitet e fundit. Por atëherë, ndonëse Zvicra kishte tenistë të talentuar si Hlasek e Rosset, nuk kishte mjeshtra të rrallë si Federer e Wawrinka, të cilët të bëjnë të çmendesh nga gëzimi.

Mediat zvicerane kanë bërë pasqyrimin më special të mundshëm aktivitetit të sivjetshëm, paraqitjes së përkryer të tenisit zviceran, si dhe jehonës që pati fitorja e madhe tek çdo zviceran.


Në finalen e zhvilluar në Lilla ishte i pranishëm edhe ministri i Sporteve Maurer, i cili, në emër të qeverisë zvicerane, i përshëndeti i pari triumfuesit.


"Fitorja është një shpërblim ndaj talentit dhe vullnetit. Mban firmën tuaj,"
kështu fillon SMS i urimit nga ana e presidentit të Konfederatës Didier Burkhalter dërguar lojtarëve zviceranë triumfues në Kupën Dejvis për herë të parë në histori. Fitorja "i përket edhe Zvicrës, iu përket këtyre momenteve të përjetuara së bashku, të përkushtuar që të përparojmë së bashku në suksese dhe në sfida, dhe ju jemi mirënjohës që keni shkruar një faqe brilante të historisë sonë të përbashkët," ka shtuar përgjegjësi i Departamentit të Punëve të Jashtme. ATS





www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.