Shkëlzen Gashi është njeriu i momentit në Zvicër. 11 golat e tij në Superligën zvicerane, dy të fundit në ndeshjen direkte me Zurich e kanë bërë sulmuesin kuqezi të jetë emri më i lakuar për momentin në vendin helvet duke marrë dhe komplimente nga emra të njohur për paraqitjen e tij.
Kubilay Tukilmaz, i cili ka luajtur 62 ndeshje për kombëtaren zvicerane, në një opinion të tijin në të përditshmen "Blick", e nis shkrimin me fjalinë: "Shkëlzen Gashi një fenomen". Sipas ish futbollistit të Galatasaray, Bolonjës e Brescias, sulmuesi shqiptar ja vlen të etiketohet si i tillë pikësëpari sepse shënon shumë por dhe sepse ai nuk luan në pozicionin e tij të vërtetë në fushë.
Turkilmaz e krahason në shkrim Gashin dhe me dy emrat e mëdhenj të Bajernit, Ribery dhe Robben, por me ndryshimin se futbollisti shqiptar aktivizohet në krahun e majtë të sulmit, duke qenë një i majtë, një pozicion që nuk është i thjeshtë për t'u mbuluar nga një lojtar me të tilla karakteristika.
Turkilmaz vlerëson gjithashtu dhe zhvillimin e jashtëzakonshëm të lojtarit në vitet e fundit duke theksuar se vitin e ardhshëm me shumë gjasa, Gashin do ta shohim në Bundesligë, si sulmues kryesor në një klub me emër.