VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRIA E VITIT 1970 NË KUJTIMET E AMBASADORIT TË ZVICRËS

E Djelë, 12.07.2014, 09:50am (GMT1)


TIRANE - Shqipëria në vitin 1970 tashmë kishte hyrë thellë nën patronatin e Pekinit.Tani era frynte dhe dielli rrezatonte nga Kina. Në kuadër të kësaj ecurie politike të Shqipërisë së izoluar, po kurorëzohej edhe një përpjekje mbase gati pesëdhjetëvjeçare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me një shtet që njihet për politikën e neutralitetit; shtetin helvetik.

Ishte 13 tetori i vitit 1970. Ambasadori i Zvicrës në Beograd, Hans Keller i shkruante departamentit Politik, përkatësisht ministrit për punë të jashtme të Zvicrës Pierre Graber për vizitën tij të bërë në Tiranë nga data 28 shtator deri me 5 Tetor 1970. Ai e njoftonte shefin e vet se, me 2 tetor në mesditë ka dorëzuar letrat kredenciale. Dorëzimin ia kishte bërë Haxhi Lleshit Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në kuadër të një ceremonie që kishte zgjatur diku rreth 10 minuta. Ky akt ceremonial zhvillohej te një objekt reprezantues i dedikuar për pritje të tilla i vendosur jashtë Tiranës. Disa ushtarë atë e presin dhe e përcjellin nga "Pallati i Brigadave" me pushkë të shtrënguara në duar. Me këtë vizitë fillon edhe detyra diplomatike e ambasadorit si diplomat i Zvicrës edhe për Tiranën.

Një akt i zakonshëm? Ky do të ishte i tillë sikur edhe rrethanat e asaj kohe në Shqipëri, rajon e botë të ishin të zakonshme, e sidomos në kuadrin e raporteve diplomatike Zvicër-Shqipëri. Burimet tregojnë se kjo vendosje e marrëdhënieve diplomatike do të bëhet mbas 48 vitesh të njohjes së Shqipërisë nga shteti zviceran. Ishte 3 mars 1922 kur qeveria e këtij vendi miratoi kërkesën e diplomacisë së saj për njohjen e shtetit shqiptar. Ndërsa vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Zvicra do ta marrë me 1 korrik 1970. Natyrisht si në procesin e njohjes poashtu edhe në procesin e përpjekjeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike i kanë paraprirë disa përpjekje të tjera (për detaje shiko punimin e autorit: "Der lange Weg zur Errichtung diplomatischer Beziehungen zwischen der Schweiz und Albanien, në: Albert Ramaj (ed.), Poeta nascitur, historicus fit Ad Honorem Zef Mirdita, ST. Gallen Zagreb 2013, fq. 1169-1215)". Hans Keller si diplomat i karrierës nga viti 1967-1974, kishte shërbyer edhe në Beograd (1967 1974). Pra ky qe diplomati zviceran që ishte angazhuar shumë për vendosjen e këtyre marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Simpatinë për Shqipërinë e kishte fituar nëpërmjet diplomatit shqiptar me shërbim në Pekin, ambasadorit Nesti Nase, sa ishin të dy diplomatë në Kinë.

Të vazhdojmë me vizitën e diplomatit Keller. Ai thotë se në dorëzimin e letrave zyrtare presidenti Lleshi ishte në përcjellje me zëvendëspresidentin Spiro Moisiu, një i afërt i aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu, pastaj zëvendësi i ministrit të jashtëm shqiptar, Reiz Nalile, shefi i protokollit Koço Prifti, shefi i repartit për Evropën perëndimore, pra edhe për Zvicrën në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë komuniste, Musin Kroi, një zyrtar tjetër si dhe një përkthyes i gjuhës frënge. Ndërsa me këtë rast nuk kishte qenë i pranishëm Nesti Nase, të cilit diplomati Keller në vitin 1969 i kishte bërë një vizitë private. Nuk ishte pjesë e kësaj pritjeje sepse ai nga tetori ishte caktuar si shef i një delegacioni shqiptar për të marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të OKB-së.
Presidenti Lleshi, që, siç e thotë diplomatit zviceran, duhet të jetë njëri nga të paktët veriorë në regjimin e Enver Hoxhës të dominuar nga jugorët, në një bisedë mbas ceremonisë zyrtare e kishte lutur për të hyrë në një dhomë të vogël, ku filloi bisedën me referenca mikluese duke i lavdëruar luftëtarët e lirisë të Zvicrës së vjetër kundër sulmuesve të huaj, pastaj misionet e reja moderne paqësore, pastaj për traditat humanitare dhe politike, arritjet ekonomike, pastaj ai kishte nënvizuar edhe vetëdijen zvicerane për rend, disiplinë punë, teknikën precize. Këtyre miklimeve nga zyrtari shqiptar diplomati zviceran u përgjigjet me të njejtën metodë duke i lavdëruar shqiptarët për luftën rezistuese shekullore kundër turqve por edhe për rezistencën e tyre të kohës së fundit kundër sulmuesve italianë dhe gjermanë.

Kjo fjalë e diplomatit e kishte shtyrë zyrtarin shqiptar Lleshi të flasë pë rrezikun e fuqive të mëdha, siç shkruan diplomati zviceran, "ku Amerikanët i përmend vetëm tërthorazi", mirëpo ai "paraqiti me ngjyra të errëta rrezikun e sulmeve të reja ruse në kuadër të doktrinës së Brezhnjevit". Edhe unë, raporton diplomati, ashtu sikur edhe ambasadori suedez dhe danez që ishin më herët këtu në Tiranë, fitova përshtypjen se frika nga rusët, me apo pa të drejtë, ka lënë anash gjitha konsiderimet e tjera politike. "Ka muaj që nga organet shtetërore mbahet e zgjuar psikosa antiruse", thotë Keller.

Pas kësaj bisede kalohet në raportet me Zvicrën. Si presidenti Lleshi po ashtu edhe zëvendësministri Malile i kishin shprehur diplomatit falënderimin për hapin e marrë nga qeveria zvicerane për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike "mbas një përgatitje të gjatë nga të dy anët". kështu këta duhet të kishin bërë vëretje indirekte për tempon e Bernës. Poashtu pala shqiptare e kishte inkurajuar diplomatin që me pëlqimin e qeverisë zvicerane, të pyeste se si mund të ndërtohen, zgjerohen raportet e deritanishme simbolike ekonomike, kulturore mes dy vendeve. Diplomati thotë se unë kam vërejtur se pala shqiptare është e interesuar për import dhe eksport, se në vend janë bërë disa përparime dhe se Tirana është e interesuar për profesionistë dhe firma zvicerane. Interesim nga pala shqiptare kishte edhe, siç njofton diplomati, edhe për kontakte kulturore, shkencore dhe teknike. "Nga ana e palës shqiptare mua më është konfirmuar më vonë se, Tirana pret ndikime konkrete pas vizitës sime", shkruan Keller, dhe se Zvicra dhe vendet skandinave janë ato vendet perëndimore të Evropës, ku Shqipëria shpreson për mirëkuptim të përpjekjes së saj të kujdesshme për kontakte të mëtejshme më të shpeshta me të huajt. Kjo vizitë e diplomatit zviceran do të ketë bërë jehonë në mediat e regjimit komunist.

Marrëdhëniet ekonomike

Udhëtimi zyrtar i palës zvicerane për mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve të reja ekonomike konkrete në Shqipëri do të bëhet një vit më vonë nga 7 deri me 14 tetor 1971. Nga raporti i përpiluar nga zyrtari bashkëpunëtor i ambasadës Zvicerane në Beograd dhe diplomatit Eugen Klöti (1918-2009), dalin informacione interesante si e shihte ai gjendjen në Shqipërinë e 1970-tës. Arsyeja apo qëllimi i këtij udhëtimi zyrtar kishte karakter konsulltues me Ministrinë e Tregtisë dhe organizatave të ndryshme tregtare shtetërore, si dhe për t"˜i dhënë formë konkrete kontakteve dhe bisedimeve të nivelit të lartë që kishte bërë ambasadori Keller si dhe për mundësitë e konkretizimit të dëshirës së shprehur nga pala shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve ekonomike në formë konkrete duke u mbështetur në ofertat e firmave zvicerane që kanë shprehur interesim për tregti me Shqipërinë.

Raporti shënon të dhënat gjeografike të Shqipërisë, relievin, flet për klimën mesdhetare në bregdet dhe ndryshimit të klimës në pjesën malore të vendit, flitet edhe për hidrografinë e pasur të saj, rendin politik komunist, banorët dhe dendësinë e saj, pastaj për sistemin e shkollimit, sistemin shëndetësor, rrjetine infrastrukturës rrugore dhe të komunikimit (postë dhe radio), mundësitë e fluturimit me aeroplan nga Roma në Tiranë me "Alitalia", "Malevin" e Hungarisë me linjën Budapest-Beograd-Tiranë, Interflug-in me linjën Berlin-Budapest-Tiranë të gjitha këto me fluturime një herë në javë, pastaj "Pakistan International Airlines" me fluturim në 10 ditë në linjën London-Paris-Tiranë-Damask- Karaqi.

Bisedimet me
Ministrinë e Tregtisë

Këto bisedime do të zhvillohen mes delegacionit zviceran dhe palës shqiptare të përfaqësuar nga zëvendësministri Vasil Kati, drejtorit R. Fundo, drejtuesit të sektorit Petraq Bellani. Sipas vlerësimit të V. Katit, ishte e nevojshme lidhja e një marrëveshjeje tregtare mes vendeve sepse kjo vetëm do të ndihmonte marrëdhënien bilaterale, se marrëveshje të tilla janë lidhur me Belgjikën, Holandën dhe Irlandën dhe se këto janë treguar të dobishme për zgjerimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike. Sipas asaj që i kishte thënë Kati delegacionit Zviceran se kishte një defiçit të madh mes importit të mallrave nga Zvicra dhe eksportit të mallrave nga Shqipëria për në Zvicër. Sipas përpiluesit të raportit, thuhet se, duke u mbështetur në statistikat e shtetit helvetik, në vitin 1970 ai kishte eksportuar në Shqipëri 6 milion franga, 12 herë më shumë se sa ai i Shqipërisë në Zvicër. Dhe, natyrisht se nuk mund të kemi vetëm një rrugë një-drejtimëshe, kështu që duhet të gjenden rrugët që do e mundësonin që Zvicra në të ardhmen të importojëmë shumë mallra nga Shqipëria.

Sa i përket hapjes së tregut shqiptar për industrinë e orëve zvicerane, Kati nuk kishte bërë premtim konkret.

Sipas përpiluesit të raportit ai kishte paraqitur nevojën që ia kishte shprehur palës shqiptare për një dokumentacion më të zgjeruar lidhur me ekonominë shqiptare, si materiali statistikor për industrinë dhe prodhimet bujqësore, shifrat e tregtisë me vendet tjera, planet pesëvjeçare të detajuara për të ardhmen. Partneri shqiptar, Kati i kishte ikur përgjigjes konkrete duke i thënë se kjo kërkesë mund t"˜i bëhej atij me shkrim.

Gjatë kësaj vizite takime do të ketë edhe edhe me përfaqësuesit e firmës shtetërore "Albimport-in" që drejtohej nga drejtori gjeneral Sami Muhameti, përkatësisht takimi ishte bërë me zëvendësdrejtorin Tomi Treska, Kjo firmë merrej me importimin dhe eksportimin e mallrave si lëndë e parë, bagëti, mjete ushqimore, parafabrikate dhe mallratë tjera konsumi. Raportuesi njofton se një delegacion në përbërje nga një përfaqësues i firmës "Albimport", "Agroexport-it" si dhe nga një pjesëtar i ministrisë së bujqësisë do ta vizitojnë këtë muaj (tetor 1971) Zvicrën për të lidhur një kontratë konkrete. Firma "Albimport" duhet të jetë interesuar për produkte të ndryshme zvicerane si letër për duhan, pastaj llojet e letrave tëtjera dhe kartonit, vajra industriale, produkte të ndryshme sintetike, insekticide, herbicide. Takime të kësaj natyre ishin zhvilluar edhe me firmën "Makinaimport" të drejtuar nga Andrea Manko dhe Shpëtim Ruli- për makineri industriale, "Albturist" me drejtor Murat Mema për bashkëpunim të mundshëm në turizëm, zyrën e tregtisë së Shqipërisë, "Agroeksportin" të drejtuar nga Sheraf Mosho, me Stavri Gambeta dhe Tomor Shameti si dhe Vasil Totokoçi nga firma e "Eksportalb-it", "Arteksportin" me drejtor Çollakun. Me 13 tetor vizitohet kombinati i tekstilit "Stalini" në Tiranë. Aty protokolluesi thotë se fabrika ishte prodhim sovjetik, model i vjetërsuar dhe se kjo fabrikë, sipas përfaqësuesit zviceran, ishte e rënduar se aty silleshin punëtorët dhe të jepnin ndjenjën se nuk kishin çfarë të bënin sepse ishin në numër të madh dhe të panevojshëm ndërsa cilësia e prodhimit ishte vlerësuar si mesatare.

Përshtypjet e përgjithshme dhe përfundimet

Kështu titullohet pjesa e fundit e raportit të përpiluar nga përfaqësuesi i palës zvicerane, z. E. Klöti. Çfarë të bie në sy është veshja monotone dhe e varfër e popullatës. "Për Helena Rubinstein", thotë raportuesi, "Shqipëria do të ishte një parajsë e vërtetë për t`u zhvilluar, sepse atje kujdesi për bukurinë është krejtësisht ende në këpucët foshnjore dhe se sharmi femëror fshihet sipas shembullit kinez."

Takimet dhe njerëzit i vlerësohen si "miqësore" por si në rrugë edhe gjatë një ekskursionit kam parë "pak fytyra të zymta." Në asnjë takim nuk kemi ndëgjuar zëra propagandues për regjimin. Tek firmat që merren me tregtinë e jashtme pa kurrëfarë problemi gjenden njerëz që njohin pak a shumë gjuhë të huaj. Të paktën qendra e qytetit të lë një përshtypje të pastërt. Gjelbërime, rrugë të gjëra të japin një pamje shkrifëruese. Për të huajt mundësi për kalimin e natës është vetëm hoteli "Dajti" i ndërtuar nga italianët në vitet 1939/40, ku njeriu në përgjithësi ndihet mirë. Këmbësori është edhe më tutje zot i rrugës dhe se ata mund të kalojnë rrugën kryq e tërthor. Një komunikacion të motorizuar siç e njohim nga vendet tjera të Evropës, "në Shqipëri nuk ekziston". Megjithatë shihen në Tiranë disa automjete ruse, kineze, çeke "Fiat" të montuar në Poloni.

Produkte perëndimore në dyqanet e modelist të vjetër dhe me mall të varfër nuk gjenden. Kemi një aplikim të parë të një lokali vetshërbyes me mallra modeste. Dekorimet e lokaleve, sidomos pamjet e jashtme duket se vetëm i kanë ndëgjuar, e, thënë të vërtetë nuk ka shumë as çfarë të prezantohet, shkruan raportuesi. Në lokalet e vogla të orëve ofrohen orë ruse, kineze e që shiten me çmime të larta marramendëse (mes 150 deri në 800. Lekë d.m.th. 50 deri në 250 franga). Para dyqaneve ushqimore shihen blerës duke pritur të rreshtuar në qetësi. Rrogat në raport me ato evropiane janë modeste. Sipas raportuesit rrogat silleshin në atë kohë nga 600 deri në 1500 lekë d.m.th. nga 200 deri në 500 franga për zyrtarë të lartë). Thuhet se në vend nuk ka më shumë se 2000 kinezë, se sa është e vërtetë është vështirë të thuhet. Sidoçoftë në Tiranë shihen shpesh fytyra kineze. Të huaj të tjerë janë të paktë në përjashtim me diplomatëve të paktë, përfaqësues të agjensive të fluturimeve, sidomos nga Gjermania lindore, polakë, çekosllovakë. "Dajti" shërben si vendtakim për të huajt ku mund të takosh edhe italianë, gjermanë të Gjermanisë Perëndimore, si dhe tregtarë të ndryshëm të Evropës perëndimore e lindore. Holandezët janë shumë aktivë në blerjen e produkteve agrare në Shqipëri dhe prodhimeve të tjera. Në mungesë të të dhënave ekonomike është i vështirë vlerësimi i besueshëm. Në publik operohet vetëm me përqindje, ku p.sh. thuhet se në vitin 1970 është prodhuar 50% më shumë dhe se është eksportuar 30% më shumë se nga viti i kaluar. Nga burimet italiane kam marrë vesh se në tregtinë e jashtme Kina ka vendin e parë, pastaj, Çekosllovakia dhe Italia. Duket i padiskutueshëm fakti se, Shqipëria gjithnjë e më shumë, edhe pse me kujdes, po i hapet Perëndimit.

Vendi më i varfër në Evropë edhe sikur që sot të dilte nga izolimi do të nevojiten shumë vite dhe shumë përpjekje për ta ngritur standartin jetësor të masës së gjërë. Nuk është për t"˜u dyshuar, të paktën këtë e thonë shqiptarët se, brenda këtyre 25 viteve është bërë, arritur shumë duke pasur parasysh se ky vend ka qenë nën sundimet e huaja dhe se nga lufta e Dytë Botërore ka dalë e shkatërruar. Të arriturat për të cilat rregjimi është krenar sot, janë se nuk ka varfëri të vajtueshme, qytetari ka qasje minimale në sigurinë sociale dhe në të drejtën për shkollim dhe edukim.

Ekonomikisht Shqipëria edhe më tutje për një kohë të gjatë do të mbetet partner modest, mirëpo edhe pse ky treg i vogël nuk duhet lënë jashtë dore, vlerëson përfaqësuesi zviceran në raportin e tij. Dhe, shton më tej, sa më herët që atje të futen rrënjët ekonomike, aq më mirë Zvicra do ta ketë më vonë si qasje tregu. Kështu që ia vlen që të ndiqen zhvillimet e mëtejshme në këtë vend, pra si vend me potenciale në të ardhmen, me të cilin, rekomandohet, me gjithë vështirësitë të mos ketë lodhje në përpjekjen që të vendosen marrëdhënie bilaterale ekonomike. Kështu përfundon raporti i përpiluar në Beograd me 25 tetor 1971.

*St. Gallen, nëntor 2014
ZEF AHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.