VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DAVOS - KY FORUM UNIKAL

E Enjte, 01.22.2015, 10:53am (GMT1)



Kur në vitin 1971, profesori i atëhershëm 31-vjeçar i ekonomisë, harvardiani Klaus Schwab e organizoi për herë të parë vështirë se do kishte menduar që Forumi Europian i Menaxhimit në Davos do të bënte shumë shpejt histori, si samiti i elitës botërore, që pak më vonë do të quhej Forumi Ekonomik Botëror. Tani, veç themeluesit të tij, 76-vjeçarit Schwab që vazhdon ta drejtojë atë me kompetencë, gjithçka tjetër, përmbajtja, formati, pjesëmarrja, imazhi dhe tematika kanë ndryshuar tërësisht për mirë; madje dhe emri; tani ai njihet thjesht si "Forumi i Davos".

Vitin e kaluar, krahas qindra personaliteteve nga më të lartat, Forumin e Davos e "bekoi" vetë Papa Françesku. Veç mesazhit, Ati i Shenjtë dërgoi dhe një kardinal të shquar, si përfaqësues të posaçëm. Është tejet domethënëse që rekordin e pjesëmarrjes Davos e shënon pikërisht në edicionin e tij të sivjetshëm jubilar të 45-vjetorit "Konteksti i Ri Global", që zhvillohet më 2124 janar 2015, me rreth 2600 pjesëmarrës nga 140 vende të botës; ndërmjet tyre, 300 qeveritarë të rangjeve të larta; 46 presidentë dhe kryeministra, shumica nga vendet më të mëdha perëndimore; drejtuesit kryesorë të Bankës Botërore, FMN-së dhe dhjetëra komisionerë të BE-së, ministra të Jashtëm etj. Këto shifra nuk do të pasqyronin formatin e vërtetë të këtij forumi unikal pa përmendur 1500 drejtuesit dhe përfaqësuesit më të lartë të kompanive dhe investitorëve më të njohur të botës; me biznese që përfaqësojnë një shumë marramendëse asetesh prej 12 trilionë dollarësh amerikanë, sa 20 për qind e pasurisë botërore. Janë aty edhe 15 nga pasanikët më të mëdhenj të botës, që zotërojnë kapitale me vleftë prej 285 miliardë dollarësh amerikanë!

Në Davos kanë shkuar dhe dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile, thinktankeve, përfaqësues të komuniteteve fetare, akademikë dhe, jo pak, por 14 nobelistë të shquar! Ndërkohë, mbi 500 gazetarë nga gjithë bota e përcjellin atë në të gjitha kronikat e shtypit dhe rrjeteve më prestigjioze botërore, duke na e sjellë atmosferën e Davosit drejtpërsëdrejti edhe në shtëpitë dhe vendet tona të punës. Kësisoj, ndonëse ekonomia dhe biznesi janë "buka, brumi dhe mishi i tij", Davos i ka kapërcyer me kohë kufijtë e diplomacisë ekonomike. Bindesh për këtë kur sheh temat sa tingëlluese aq dhe intriguese të paneleve të Forumit të tanishëm; " Kriza dhe bashkëpunimi" "Shoqëria dhe siguria", "Inovacioni dhe industria", "Rritja dhe stabiliteti" etj. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për fjalime solemne, diskutime teorike e akademike, por për trajtimin e 50 nismave konkrete, të cilat tentojnë të japin shpjegime dhe përgjigje tërësore për 80 sfida të sotme globale, nga pyllëzimi, mjedisi, teknologjia, rritja e qëndrueshme dhe deri te lufta kundër terrorizmit. Gjatë këtyre më shumë se 4 dekadave ka pasur edhe ndonjë tentativë për ta dubluar apo zëvendësuar këtë Forum, por pa rezultat. Në fakt, merita e themeluesit të tij nuk qëndron thjesht dhe vetëm në gjetjen e këtij atraksioni të njohur turistik alpin. Aq më tepër që në Zvicër dhe gjetkë ka plot pika të tilla turistike, ndoshta dhe më joshëse e në lartësi ku mund të shohësh botën si në pëllëmbë të dorës. Por vetëm Davosi mund të ofronte terrenin e duhur optimal për një sipërmarrje të tillë elitare dhe afatgjatë. Jo vetëm se me 11 mijë banorët dhe me sipërfaqe prej 254 km katrorë ai është qyteti më i lartë në Evropë me 1560 metra, as si ndër më të lashtët, i krijuar në vitin 1215. Por, avantazhi i tij i pakrahasueshëm ka të bëjë me një traditë të tijën madhore të mëparshme që lidhet me temën tonë. Njerëz vizionarë e kishin konceptuar Davosin shumë më tepër sesa një qendër alpine skish dhe çlodhjeje. Ndaj, qysh në shekullin e 19-të atje filluan të organizoheshin seminare, konferenca dhe kongrese shkencëtarësh, fizikanësh dhe mjekësh.

Më 1923-shin, ishte Ainstajni i madh që ia shtoi më shumë famën Davosit, kur çeli aty kursin e parë universitar. Kësisoj, bashkë me infrastrukturën përkatëse moderne për kongrese dhe konferenca madhore, Davos krijoi emrin dhe markën e vet, si vendtakimi më i madh i elitës botërore. Kjo u bë e mundur mbi të gjitha falë atmosferës së qetë, mikpritëse, të këndshme, konsensuale dhe informale të krijuar atje. Ndaj flitet shumë për frymën e Davosit, si veçoria dhe faktori kryesor i suksesit të tij emblematik. Theksojmë frymën, sepse në Davos nuk merren vendime, as nënshkruhen kontrata e traktate; gjithçka është "off the record", pra pa protokoll. Por, aty bëhet diçka më e madhe; shkëmbehen ide dhe mendime lirshëm, rakordohen pozicionet, projektohen programet, strategjitë dhe zgjidhjet parimore të së ardhmes, forcohen kontaktet, mirëkuptimi, bashkëpunimi i të gjithëve për kapërcimin e sfidave të përbashkëta. Është kjo frymë dhe atmosferë që thith si me magnet dhe bashkon pa përjashtim liderët dhe drejtuesit më të lartë të politikës, ekonomisë dhe biznesit botëror.

Davos është kthyer në një pikë të pashmangshme referimi historik dhe në far të madh që nxit, ndriçon rrugën dhe ngroh shpresat për zgjidhje. Këtu atë e ndihmon shumë edhe paanshmëria e tij e spikatur. Ndaj, Davos jep dhe prodhon edhe shumë imazh. Këtë imazh nuk e zbeh as ndonjë protestë apo demonstrim demokratik nga antiglobalistët. Sepse Davos tregon mirëkuptim edhe për shqetësimet e tyre. Vetë Schwab i ka kushtuar një edicion të veçantë kritikës ndaj kapitalizmit aktual, në kërkim të alternativave më bashkëkohore dhe efektive. Kjo është më e theksuar sivjet, kur në Davos pritet të trajtohen me shqetësim jo një, por një seri krizash shumëdimensionale të njohura. Mbi të gjitha rreziku dhe kërcënimet nga ISIS dhe terrorizmi ndërkombëtar, pas atentateve në Paris dhe alarmit në Evropë. Këto kriza dhe rreziqe me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë botërore e kanë ballafaquar Davosin me gjendjen më të rëndë gjatë 25 viteve të fundit, por me përvojën dhe formatin e tij të papërsëritshëm, Davos jep sinjale, mesazhe dhe shpresë për kapërcimin e tyre, ashtu siç bëri menjëherë sapo u themelua në vitin 1973, pas krizës së naftës, luftës në Lindjen e Mesme, por dhe pas shembjes së komunizmit në vitin 1989 etj. Ja pse Davos vlerësohet si forumi më unikal botëror.

Në këtë kuptim, "kopjimi" krijues nëpërmjet organizimit të forumeve, si dimërore dhe verore "mikro-Davos" duket se po mirëpritet edhe në metropole të mëdha në kontinente të tjera. Kështu, nga viti 2006, Forumin e Davos e gjen në Nju-Jork, por dhe në Pekin. Po ashtu, fryma e tij po shfaqet më dukshëm, pavarësisht nga problemet, edhe në rajonin tonë të Ballkanit, ku Shqipëria luan rolin e vet të rëndësishëm e të vlerësuar.
Dr. JORGJI KOTE


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.