VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË BAZEL MBAHET FORUMI EKONOMIK TURISTIK PËR KOSOVËN
Forumi mbahet më 30 dhe 31 janar në sallën e re të veprimtarive në Gundeldinger (www.launchlabs.ch), Bazel


E Premte, 01.23.2015, 11:45am (GMT1)


Më 30 dhe 31 janar 2015 në Bazel mbahet Forumi Ekonomik-Kulturor-Turistik për Kosovën. Organizator i këtij aktiviteti kompleks dhe të një karakteri të veçantë është shoqata GjakovaBasel.
Përveç aktiviteteve të hapura ditore, më 31 janar do të organizohet një mbrëmje-aperitiv me rreth 160 pjesëmarrës dhe një darkë gala me specialitete të kuzhinës tradicionale kosovare dhe me një program muzikor me artistë nga Kosova. Një event i tillë do të shkojë në funksion të zgjerimit të bashkëpunimit Kosovë- Zvicër me atë që prodhimet nga Kosova mund të gjejnë hapësirë dhe kërkesë në tregun e Zvicrës ndërkohë që potenciali tregtar, ekonomik dhe demografik i Kosovës, i promovuar këtu, mund të rrisë interesimin dhe mundësitë investuese të kompanive zvicerane në Kosovë.

Po kështu, mund të rriten dhe zgjerohen ndjeshëm edhe bashkëpunimi në rrafshin kulturor, universitar, sportiv dhe rrafshe tjera të rëndësishme për zhvillimin e të dy vendeve e sidomos të Kosovës. Në veprimtarinë dhe angazhimin e saj, GjakovaBasel është e mbështetur nga sipërmarrës të suksesshëm me origjinë nga Kosova, të cilët, me bizneset e tyre, janë tërësisht ose pjesërisht të vendosur në Kosovë. Me kapitalin dhe përvojën e tyre të fituar në Zvicër këta mund të ndihmojnë edhe për zhvillimin dhe modernizimin e gjithanshëm të Kosovës. Njëri prej tyre, është, për shembull, Vllaznim Xhiha i cili ka shprehur dëshirën që t`u drejtohet vizitorëve të eventit duke dhënë një pasqyrë të shkurtër të përvojës dhe motivimit të tij për përfshirjen në investime dhe projekte të ndryshme në Kosovë. Në webfaqen www.gjakovabasel.com mund të informoheni më gjerësisht e më konkretisht për përbërjen, prejardhjen, angazhimet dhe kontributet e anëtarëve të komitetit mbështetës të GjakovaBasel.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.