VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SKANDALI I 'SWISSLEAKS' - NGA MBRETËRIT DHE KARTELET, TEK YJET E HOLLYWOODIT

E Martë, 02.10.2015, 07:56am (GMT1)


    Zbulimet skandalozë në bankën zvicerane që po trondisin botën. Investigimi i 60 organeve të shtypit, me 180 miliardë Euro evazion që nxjerrin zbuluar bankierë, aktorë, këngëtarë, biznesmenë, mbretër. Si edhe "zinxhirin e artë" të Osamës dhe al Kaedës, kartelet meksikanë të drogës dhe llogaritë e sirianëve

E përditshmja franceze, Le Monde ka nxjerrë në internet një pjesë të përmbajtjes së një investigimi shumë të madh që ka për qëllim të zbulojë një sistem të evazionit fiskal botëror, i cili është kryer falë shërbimeve të bankës britanike Hsbc, përmes filialit të saj zviceran Hsbc Private Bank, me qendër në Gjenevë. Nën emrin "SwissLeaks", Le Monde dhe pothuajse 60 organe shtypi ndërkombëtarë, nën koordinimin e konsorciumit të gazetarisë investigative "Isij" me qendër në Uashington, kanë zbuluar se afro 180 miliardë Euro kanë kaluar në Gjenevë mes nëntorit 2006 dhe marsit 2007 e që i përkisnin më shumë se 100 mijë klientëve.


Lista Falciani

Ish punonjësi i bankës Herve Falciani i kishte dhënë autoriteteve franceze një listë me afro 3000 emra evazorësh fiskalë francezë. Zbulimet e rinj shtojnë emrat e të gjithë personave të përfshirë në të gjithë botën, në sistemin e ngritur prej bankës britanike. Mes tyre aktorët John Malkovich dhe Gad Elmaleh, mbreti i Marokut Mohammed VI dhe ai i Jordanisë Abdullah II, këngëtarët Phill Collins dhe Tina Turner, sportistët Fernando Alonso dhe Valentino Rossi, Flavio Briatore dhe stilisti Valentino, aktorja Joan Collins dhe modelja Elle McPherson, bankieri spanjoll Emilio Botin i Banco Santander. Konsorciumi "Isij" saktëson se prania e disa emrave në investigim nuk nënkupton automatikisht që ata kanë kryer shkelje, apo që nuk e kanë rregulluar pozicionin e tyre me qeveritë respektive.

Mbrojtja e bankës

E pyetur nga gazeta britanike The Guardian, banka Hsbc ka pranuar se ka patur sjellje të parregullta nga ana e filialit zviceran, por është përpjekur të mbrojë imazhin e vet duke theksuar se për shumë vite pas blerjes në 1999 nga Hsbc Private Banka e Gjenevës, ka mbetur në thelb e pavarur në brendësi të grupit dhe kjo nënkuptonte "standarte shumë më të ulët sa u përket kontrolleve". Një prej aspekteve më interesantë të investigimit është se demonstrohet përhapja në masë e sistemit të evazionit fiskal: njerëzit e famshëm përdorin të njëjtat metoda të profesionistëve të lirë, tregtarëve të armëve apo eksportuesve të diamantëve kontrabandë, si dhe personazheve të dyshuar se financojnë terrorizmin e Al Kaedës.

Zinxhiri "i artë" i Osamës

Në mars të vitit 2002, pak muaj pas atentateve të 11 shtatorit, forcat speciale boshnjake hynë me forcë ne "Fondacionin Ndërkombëtar të Bamirësisë" në Sarajevë ku gjetën një dosje me titullin "Historia e Osamës", që përmbante njëzetë emra, që konsideroheshin financierët më të rëndësishëm të al Kaedës. Atij rrjeti iu vu emri "Zinxhiri i artë". 13 vjet pas atij zbulimi, investigimi i SwissLeaks zbulon se ata personalitete me shumë ndikim në Arabinë Saudite bënin kalimin e parave përmes filialit zviceran të Hsbc. Sipas të përditshmes së Zyrihut, Tages-Anzeiger, në të paktën tre raste banka ka vazhduar të bëjë biznes me persinalitete të dyshuar publikisht se financonin terrorizmin islamik.

Kartelet e drogës

Banka e Gjenevës mendohet të ketë patur një rol më pak të vetëdijshëm në marrëdhëniet e biznesit mes një bande trafikantësh të ekstazisë në Atlanta të SHBA dhe një tregtari izraelit armësh. Këto përmes kontakteve mes karteleve meksikanë të drogës. Duke parë sasinë e jashtëzakonshme të njerëzve të përfshirë dhe trafiqet e tyre, duhet supozuar se Hsbc Private Bank nuk ka ndërhyrë në biznese, por qëllimisht ka hequr dorë nga kontrolli i ligjshmërisë së tyre, edhe atëherë kur disa sinjale duhej të kishin ndezur alarmin.

Llogaritë siriane

Kushëriri i diktatorit sirian, Bashar al Assad Rami Makhlouf mbante në vitin 2006 shumë llogari pranë Hsbc të Gjenevës, në një total prej 27 milion Euro. Në vitin 2008 u akuzua nga Departamenti Amerikan i Thesarit se ka qenë në qendër të një rrjeti korrupsioni në Siri, në 2011 u fut në listën e zezë të personaliteteve të goditur nga sanksionet e BE dhe në 2013 nga ata të Zvicrës. Vëllai i tij, Eyad Makhlouf është përfshirë në akte dhune ndaj popullsisë civile. Në vitin 2006 kishte një llogari me 1.3 milionë dollarë dhe në dossierin e tij, i hapur në 2000, një funksionar i Hsbc kishte shkruajtur: "Ai është kapiten i ushtrisë". /Corriere della Sera/
www.bota.al

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.