VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HERVÉ FALCIANI - KALORËSI I ERRËSIRËS

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 05:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
HERVÉ FALCIANI - KALORËSI I ERRËSIRËS

E Hënë, 03.09.2015, 09:18am (GMT+1)



    Të dhënat që ka zhvatur nga HSBC-ja kanë zbuluar se në Zvicër bankat ndihmojnë evazorët që të shmangin tatimet. Ai paraqitet si një kalorës i ligjshmërisë, por nga investigimet na del një personalitet i dyfishtë


Ky njeri është më shumë oportunist sesa poliedrik. Me siguri që Hervé Falciani mund të luajë shumë role dhe të përdorë një gjuhë të errët për t'u fshehur. Ka ditur të lundrojë në ujëra të turbullta, të reagojë ndaj çdo antipatie dhe të përfitojë në të gjitha rastet. Ka qenë programues, hajdut informacionesh të rezervuara, kalorës vetmitar, mitoman, manipulator, alarmist, viktimë e sistemit. Por parasëgjithash Falciani dhe këtë askush nuk mund ta mohojë, është epiqendra e ndodhisë së pabesueshme HSBC. Pas 5 vitesh investigime, pas leximit të mijëra raporteve konfidenciale dhe dëshmive të panjohura, më së fundi mund të tregojmë jetën e Falciani, makthit të HSBC Private Bank.

Për bashkëbiseduesit francezë të tij, ishte Ruben al Chidiack. Por në Gjenevë ka qenë gjithmonë Hervé Falciani, për kolegët, për miqtë dhe për trofetë e një mbrëmjeje. Shok i mirë, adhurues festimesh. Programues me nivel të mirë, me 14 mars 2006 lë degën në Monte Carlos të HSBC-së dhe kalon në selinë e Gjenevës, të gjigantit bankar britanik. Krupie nga 1992 në 2000, i martuar dy herë, baba i një vajze dhe sërish në pikën e divorcimit. Një personazh i dënuar, tërheqës, kopuk. Një plejboi, një lojtar i thekur pokeri, një plangprishës. Në Carouge, në afërsitë e Gjenevës, ishte i njohur për zakonin e "rregullimit" të femrave në pishinë. Të resë Doina i ka treguar se ishte i ndarë dhe se kishte një vajzë autiste. Edhe Myriam, një studenteje të Filozofisë së takuar në një turne pokeri, e ka gënjyer rëndë për jetën e tuj. Të dyja ua kanë përshkruar hetuesve zviceranë si "manipulator". Në atë kohë kishte tashmë një marrëdhënie me kolegen Georgina Mikhael, një kolege franko libaneze të joshur në 2006, edhe atë në tavolinën e pokerit.

Domethënë, Falciani nuk është aspak lloji i personit të cilit do t'i besonit sekretet e njërës prej bankave private më të fuqishme të botës, ku për të hapur një llogari duhen të paktën 1 milion dollarë. E megjithatë është pikërisht ai që është gjetur aty, në sancta sanctorum. I është besuar një mision vendimtar: të rregullojë një instrument të quajtur Customer Relationship Management (CRM), që duhej të lehtësonte raportet midis bankës dhe klientëve të saj. Në Monte Carlo, Hervé e ka kryer këtë detyrë me mjeshtëri. Puna ishte e thjeshtë dhe përsëritëse: të transferonte të dhënat nga sistemi i vjetër informatik SIIC, në të cilin ruhen dokumentet lidhur me titullarët e llogarive korrente, në CRM.

Në 2006 HSBC-ja kërkonte që ta bënte sistemin më efikas. Sot të gjithë punonjësit e bankës të pyetur nga hetuesit janë të bindur se Falciani ka gjetur një të çarë në sistemin informatik midis viteve 2006 e 2008, kur për shkak të një ngecjeje të dhënat nuk qenë kriptuar. Jean-Claude Brodard, Drejtor i Logjistikës së bankës, kujton se "të gjitha transferimet bëheshin në fund të javës. Pjesa e parë është kompletuar në 2006". Florent Donini, një tjetër punonjës i sektorit informatik, bie dakord me kolegët: "Hervé ishte përgjegjësi i vetëm i ndërtimit të CRM-ve. Ka pasur akses në të dhëna jo të kriptuara. Transferimi zgjat 4 apo 5 orë, gjatë të cilave shikojmë të paraqiten të dhënat dhe mund të ruajmë atë që shfaqet në ekran". Është në këto momente të çmuara që programuesit si puna e Falciani kanë pasur akses në informacione? Ka mundësi. Jérôme Charlot, përgjegjës i sektorit informatik pranë HSBC Pb, kujton se "Hervé do të duhej t'i asgjësonte të dhënat pas kompletimit të transferimit", por duket pikërisht se nuk e ka respektuar këtë detyrim. Roland Vezza, drejtues i HCBC Pb, shpjegon se "Falciani është mjaft i zoti nga pikëpamja teknike, por nga pikëpamja njerëzore është një manipulator, një mitoman".

Personi ideal për të shkrepur një mekanizëm shkatërrues, sidomos sepse karriera nuk po i dhuronte kënaqësitë që shpresonte. Në fakt, banka kishte zgjedhur një model CRM-je të ndryshëm nga ai propozuar prej Falcianit dhe i kishte refuzuar edhe një post në sektorin e sigurisë. Ka qenë ky njeri i paqëndrueshëm, i frustruar në planin profesional, gënjeshtar në atë sentimental, që ka siguruar dhe ruajtur të dhënat sekrete e HSBC PB-së. I intervistuar nga "Le Monde" me 15 dhjetor të 2014, Falciani ka dhënë një version shumë të ndryshëm të ndodhisë: "Është e vërtetë, kam vjedhur të dhënat", ka pranuar ai, ama ka siguruar se është ndihmuar nga bashkëpunëtorë të brendshëm në bankë dhe se ka vepruar i shtyrë nga motivacione etike. "Nuk kisha autoritetin për të pasur akses në të dhëna operative, por punoja në të gjithë projektet e rezervuara, në kontakt më nivelet drejtuese të bankës. Më thoshin "Gjërat janë kështu". Është në këtë mënyrë që kam pasur akses tek të dhënat, nëpërmjet ndërmjetësve. Pjesa më e madhe e atyre që më kanë ndihmuar ia kanë hedhur pa u lagur. Ata i vinin të dhënat në një server dhe unë sigurohesha që informacionet qenë koherente".

Pushime libaneze

Ky rindërtim i ngjarjeve nuk i bind hetuesit zviceranë, që do donin ta çonin Falciani përpara një gjykate federale. Drejtësia helvetike disponon elementë të qëndrueshëm, në radhë të parë kontradiktat e programuesit. I dëgjuar nga policia franceze në janarin e 2009, Falciani ka deklaruar se të dhënat qenë siguruar nëpërmjet "data mining dhe backup-eve të ndryshme" që kishte bërë në kuadër të aktivitetit normal profesional të tij. Në atë kohë nuk kishte folur as për bashkëpunëtorë, as për motive etike.

Gjithsesi, në fillim të 2008 Falciani dispononte mijëra të dhëna të rezervuara. Për saktësi, informacione për llogaritë e 107181 personave, ka shumë të ngjarë evazorë fiskalë. Lista vlente flori. Çfarë të bëhej me të? Falciani betohet se ka vepruar gjithmonë i shtyrë nga idealizmi dhe për të demaskuar metodat e paligjshme, duke u sjellë si informator, rol me të cilin mbrohet nga shumë akuza. Ndoshta është e vërtetë, por nga analiza e fakteve del një e vërtetë pak e këndshme.

Me 22 dhjetor 2008 Mikhael ia ka denoncuar të dashurin e saj autoriteteve zvicerane: "Pak kohë pas nisjes së marrëdhënies tonë, Hervé Falciani më ka treguar se ishte në zotërim të një databaze që donte ta shiste për të siguruar paratë që i detyrohej bashkëshortes për shkak të divorcit. Më ka kërcënuar se do të më dëmtonte mua dhe familjen time në rast se do t'ia tregojë ndonjërit historinë e të dhënave". Të dashurit kanë përfunduar duke u ndarë, por fillimisht synimet e tyre dukej se përkonin, siç konfirmojnë bisedat në Skype të shqyrtuara në kuadër të hetimeve: "Ke peshkuar?", e pyet vajza në 2007. "Tri muaj azhurnim për çdo adresë dhe person", përgjigjet Falciani. "Nuk të kanë kapur?", e pyet ajo. "Për momentin mungojnë shifrat", i përgjigjet ai. "Duhet të kesh kujdes, zemër", përfundon Mikhael.

Sipas Mikhael, ajo dhe Falciani mendonin që të fitonin jashtëzakonisht shumë. Nga 2 deri më 9 shkurt, gjurmët e tyre shfaqen në Liban, ku sipas Mikhael donin t'ua shisni listat bankave vendore. "Nga Libani do të mund të zbuloja informacionet", justifikohet sot Falciani: donte të lëshonte alarmin, të zbulonte sistemin që kish kontribuar të përsosej. Por pse thjesht nuk ia ka denoncuar HSBC-në autoriteteve zvicerane? "Zvicra nuk heton lidhur me bankat. Mos u tregoni naivë, pushteti i parasë nuk funksionon kështu", shpjegon ai.

Le të kthehemi tek çifti me pushime në Liban. Është aty që shfaqet për herë të parë emri fals Ruben al Chidiack. Identitet fals, dokumenta false, një shoqëri fasadë, Palorva, e krijuar në Hong Kong për këtë rast. Falciani shtiret si përgjegjës tregtar i kompanisë pranë 4 bankave të Bejrutit. Në aferë futet edhe vëllai i tij Philippe, të cilit Hervé i shet idenë e turbullt e "projektit të të dhënave". Philippe do t'u zbulojë më pas hetuesve se i vëllai "donte të bënte para" falë edhe të dhënave të ardhura nga kërkimet lidhur me dark web. "Bankat do të duhej të paguanin një shifër të caktuar, që personalisht e injoroj, për të blerë databazën", konfirmon Mikhael në dhjetorin e 2008. Sipas saj, ka mundësi që çmimi të vërtitej rreth 1000 dollarëve për emër. Për të shpjeguar origjinën e fajlave, Hervé fliste për "interceptime faksi". E pyetur për herë të dytë në 2010, Mikhael nuk ka ndryshuar version: "Falciani u tregonte bankave një listë të madhe klientësh me emra të koduar".

Këto deklarime janë konfirmuar nga bankierët libanezë të gjetur në Bejrut. Jacques Aouad, i BNP Paribas Bejrut, kujton se "dy persona më kishin caktuar një takim duke më kërkuar nëse banka ime ishte e interesuar për të blerë informacione". Me 4 shkurt 2008 çifti takon Samira Harb e bankës Audi. Gruaja kujton fantazmagorikun Al Chidiack: "Thoshte se kishte lista që pëmrbanin adresa, emra, numra llogarishë bankare dhe se i kishte siguruar këto emra duke interceptuar fakse". Në dokumentat që Falciani u tregon blerësve potencialë logoja e HSBC-së dukej goxha mirë. Edhe George Tabet i bankës Blominves ka marrë një kopje. Të gjithë kanë dëshmuar para drejtësisë zvicerane, duke u betuar se nuk i kanë pranuar ofertat e Falciani dhe Mikhael.

Në këtë pikë është shumë e vështirë t'i besohet versionit të Falciani, mbi të gjitha sepse ka ofruar shpjegime të ndryshme gjatë seancave të ndryshme të marrjes në pyetje. Falciani ndryshon shpesh version, duke kaluar nga njëri tek tjetri sipas interesave të momentit. Për shembull, me 20 janar 2009 u ka deklaruar autoriteteve franceze se donte të "realizonte një software për data mining. Për ta bërë kishte nevojë për një financim". Ja e shpjeguar, teorikisht, udhëtimi në Liban. Por në korrikun e 2013, përpara gjykatësit nga Parisi, Renaud Van Ruymbeke, toni ndryshon rrënjësisht: "Objektivi im i vetëm ishte që të nisej denoncimi nga ana e filiales libaneze të një banke zvicerane, për t'u dhënë fund aktiviteteve të paligjshme të HSBC-së".

Kataklizëm financiare

Por cili është Falciani i vërtetë? Programuesi në kërkim të parasë së lehtë apo kalorësi vetmitar në mision hyjnor? Hervé i ka mbajtur të dyja maskat, përsosshmërisht në linjë me oportunizmin e tij. praktikisht, pas udhëtimit të tij në Liban, nuk ka kërkua më që t'i shesë të dhënat. Përkundrazi, u ka dërguar mesazhe shërbimeve sekrete britanike dhe gjermane duke u premtuar mrekullia. Ja emaili i drejtuar me 18 mars 2008 një agjencie qeveritare britanike: "Kam listën e plotë e klientëve të një prej 5 bankave më të mëdha private. Kjo bankë ka seli në Zvicër. Garantoj edhe eksesin në sistemin informatik". Në pranverën e 2008, në Liechtenstein, një punonjës i bankës LGT i ka shitur tatimeve franceze një listë pafundësisht më pak të plotë se ajo e Falciani, duke futur ne xhep 5 milion euro. Çifti Falciani Mikhael kishte gjetur ndonjë mënyrë tjetër për të bërë para? Sot ai thekson se ka pasur një objektiv të vetëm: të demaskojë sistemin bankar zviceran.

Në prill të 2008 vihet në kontakt me tatimet franceze. Falciani nuk kërkon para, por vetëm ndihmë. Premton edhe një kataklizëm financiare. Në çdi rast, një prej objektivave të tij, ai i alarmimit të drejtësisë zvicerane, arrihet: me 20 mars të 2008 Shoqata e Bankierëve Zviceranë zbulon aktivitetin e çiftit në Liban dhe me 29 maj hapet një hetim. Edhe pse në Zvicër nuk bëhet shaka me vjedhjen e të dhënave bankare, hetimi është fillimisht diskret. Telefoni i Mikhael vihet nën mbikëqyrje dhe agjentët zbulojnë se frekuenton në mënyrë të dendur Falciani. Më pas, me 17 dhjetor të 2008, hetuesit zbulojnë se Mikhael po përgatitet për ta lënë Zvicrën. Arrestohet me 22 dhjetor dhe denoncon menjëherë bashkëpunëtorin. Agjentët kontrollojnë zyrat e të dyve dhe Falciani thirret për të nesërmen, 23 dhjetor, në orën 9 e 30 minuta. Është një gabim i rëndë, pasi autoritetet zvicerane nuk do ta shikojnë më kurrë. I bindur se autoritetet franceze do ta ndihmojnë, Falciani vendos që të arratiset në jug të Francës. Merr me qira një makinë në Gjenevë dhe e dorëzon në aeroportin e Nice. Nga aty niset për Castellar, ku ka një shtëpi në fshat. Me 24 dhjetor, pasdite, kontakton referuesit e tij në tatimet franceze dhe kërkon që t'i takojë 2 ditë më vonë. Me 26 dhjetor, në aeroportin e Nice, i filmuar nga telekamerat e survejimit, i dorëzon tatimeve franceze 5 DVD që kanë të dhënat e tij. në këtë mënyrë ka garancinë se do të përdoren.

Të vetëdijshëm për gabimin e tyre, zviceranët kërkojnë menjëherë ekstradimin. Me 20 janar 2009 Falciani gjendet përpara një skuadre xhandarësh francezë të shoqëruar nga një prokuror zviceran. Pranon që të bashkëpunojë me drejtësinë franceze. Konfederata Helvetike, që shpreson të rikuperojë të dhënat origjinale, mbetet duarthatë sepse Prokurori i Nice, Eric de Montgolier, nuk do që t'i ikë rasti nga dora, aq më shumë që ka mbështetjen e tatimeve. Ndodhia Falciani bëhet ndodhia e HSBC PB. Falciani bashkëpunon. Nga listat dalin qindra emra. Tatimet dhe drejtësia kryejnë hetime paralele. Programuesi i shpëton ekstradimit në Zvicër dhe punësohet nga një ent parashtetëror francez. Në mars të 2009 përfundon bashkëpunimi i tij me tatimet. Nxjerrja e të dhënave pothuajse ka përfunduar. Shpejt ndodhia tërheq vëmendjen e institucioneve të huaja. Gjykata e Torinos kontakton Francën, e ndjekur nga drejtësia amerikane. Në korrik të 2012 Falciani është në Spanjë, ku arrestohet dhe lirohet pesë muaj më vonë në shkëmbim të premtimit për të ndihmuar drejtësinë spanjolle. Së fundi, në 2012, autoritetet britanike sigurojnë të dhënat e tij, që kanë të bëjnë sidomos me klientë të ishujve anglo normane.

Kënaqësia e ndershmërisë

Sot Falciani bashkëpunon me qeveritë e Argjentinës dhe Indisë për të luftuar evazionin fiskal. Lëviz me maturi, i vetëdijshëm se survejohet. Jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht. Është nën mbrojtje. Ka shumë interesa në lojë. Karriera e tij si informator është në rrugë të mbarë. Por e ka akoma një jetë? Jeton me kontrata me kohë të përcaktuar dhe në këtë moment deklaron se është i papunë. "Kisha gjetur punë, por jam skartuar sapo kanë lexuar emrin tim. Kjo është jeta ime. Do të mbijetoj deri kur do të jem i dobishëm. Mirënjohja e vetme zyrtare që do të kem do të jetë dënimi nga drejtësia zvicerane. Do të më kishte pëlqyer të bëhesha konsulent, do të kishte qenë si një medalje, një shenjë respekti për rreziqet që kaloj".

E ardhmja? Me siguri Falciani nuk do të shkelë më në Zvicër. "Çfarë më intereson procesi në Zvicër? Nuk kam çfarë të bëj asgjë atje. Dua të ndërroj faqe, të ndryshoj emër, të zhdukem dhe të kem një jetë normale". Do t'i mbesin kujtimi i një aventure të jashtëzakonshme dhe sekretet që mban me vete. Më së fundi, tmerrësisht human. Nganjëherë në koracën e tij hapet ndonjë e çarë: "Do të duhej një ligj për të ndihmuar informatorët. Nuk jam një kalorës vetmitar, por ka diçka të bukur dhe shpërblyese në zbulimin e së vërtetës. Kur gjërat ecin keq, kjo vetëdije të ndihmon, të kujton se e ke lënë një gjurmë". Falciani do të kish mundur të fitonte shumë para dhe ka mundësi që ka provuar. I mbetet vetëdija se ka qenë i dobishëm. Jo keq për një ish krupier, programues, tërheqës, hajdut. Dhe informator.

Biografia

â—† 1972 Lind në Monte Carlo.

â—† 2006 Punon në Zvicër në databazën e HSBC Private Bank dhe vihet në zotërimin e të dhënave të 100000 llogarive, bartësit e të cilëve evazorë fiskalë të supozuar.

â—† 2009 Bashkëpunon me autoritetet franceze.

â—† Shkurt 2015 Një konsorcium gazetash, midis të cilave "Le Monde", boton rezultatet e hetimit lidhur me llogaritë e HSBC-së.


(nga Le Monde)
Përgatiti: ARMIN TIRANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AVIONI ME ENERGJI DIELLORE 'SOLAR IMPULSE' NIS UDHËTIMIN RROTULL BOTËS (03.09.2015)
JASHTË RREZIKUT DY USHTARËT ZVICERANË TË PLAGOSUR NË MALI (03.08.2015)
PALEXPO GJENEVË - CILAT JANË RISITË E SALLONIT TË 85-të NDËRKOMBËTAR TË AUTOMOBILËVE (03.05.2015)
PALEXPO GJENEVË - HAPET SALLONI I 85-të NDËRKOMBËTAR I AUTOMOBILËVE (03.05.2015)
NË GJENEVË TAKOHEN KERRY DHE LAVROVKerry pas takimit shprehu besimin se biseda e zhvilluar mes tyre mund të ndikojë në përmirësimin e situatës së armëpushimit në Ukrainë (03.02.2015)
DUBAI - FEDERER E MUND GJOKOVIQIN (02.28.2015)
GJERGJAJ FITON - I AFROHET EDHE MË SHUMË DUELIT ME KLITSCHKON (02.28.2015)
NË ZVICËR QIRATË E BANESAVE SHKOJNË DREJT RËNIESUlja e taksës së hipotekave ndikon në rënien e qirave duke filluar nga stina e verës (02.27.2015)
PARTNERITET PËR TË NDIHMUAR INTEGRIMIN E TË RINJVE ZVICERANË NË TREGUN E PUNËS (02.25.2015)
ARNOLD GJERGJAJ NË RRUGËN E WLADIMIR KLITSCHKOS - IA SOLLI ZVICRËS TITULLIN KAMPION PAS 100 VITESH (02.25.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]