E Premte, 03.29.2024, 04:10pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ZVICRA
 
(UPDATED) PRESIDENTJA E ZVICRËS SIMONETTA SOMMARUGA DHE PRESIDENTJA E KOSOVËS ATIFETE JAHJAGA BISEDUAN PËR SHTIMIN E INVESTIMEVE ZVICERANE DHE PËR GJENDJEN NË KOSOVË

E Hënë, 03.16.2015, 06:44pm (GMT+1)


Voal - BERNË - Sot Presidentja e Konfederatës së Zvicrës Simonetta Sommaruga priti, në kuadrin e një vizite zyrtare, presidenten e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Zonja Jahjaga arriti në vilën qeveritare Watteville rreth orës 11:30. Pas një fotoje të përbashkët zyrtare dy presidentet zhvilluan një bisedë kokë më kokë.

Në njoftimin për shtyp të zyrës së Presidentes Jahjaga thuhet se në Bernë u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të posaçëm në shtimin e investimeve të afaristëve nga Zvicra në Kosovë, që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të reja të punës. U bisedua edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, emigrimin ilegal dhe sundimin e ligjit, si dhe perspektivën integruese të vendit.

Presidentja Jahjaga i tha Presidentes Sommaruga se Kosova po punon në krijimin e një klime të sigurt të biznesit dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të vendosur sundimin e ligjit dhe një shtet të së drejtës që mundëson edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Zvicrës është e rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh edhe një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që janë shtetas të Zvicrës dhe që po e ndihmojnë vendin e tyre.

Presidentja Somaruga ndërkaq, sipas njoftimit nga zyra e Presidentes Jahjaga, e vlerësoi të domosdoshme shkëmbimin e vizitave që shënon vazhdimësi të bashkëpunimit. Zonja Sommaruga vlerësoi se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie shumë të mirë ndërmjet tyre dhe këtë duhet shfrytëzuar për të ndihmuar edhe shtrirjen e bashkëpunimit në çdo fushë e në veçanti në fushën ekonomike.

Të dyja presidentet diskutuan edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët ndërmjet dy vendeve që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfundon njoftimi nga zyra e zonjës Jahjaga.

Rreth orës 13:40 të dyja presidentet mbajtën një konferencë me gazetarë. Në fillim mikpritësja zvicerane bëri humor duke thënë se të dyja kanë zgjedhur të njëjtën ngjyrë për veshjet. Më pas, të dyja presidentet shprehën qendrimet e tyre. Zonja Sommaruga e vlerësoi shumë vizitën e homologes nga Kosova. "Stabiliteti i brendshëm dhe rajonal, rimëkëmbja ekonomike dhe forcimi i sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht funksionimi i shtetit juridik në Republikën e Kosovës, janë prioritetet e politikës së jashtme zvicerane në rajon" tha fillimisht znj.Sommarruga. "Zvicra është shtëpia e diasporës më të madhe të Kosovës. Këtu jetojnë rreth 170.000 shqiptarë me origjinë nga Kosova". Edhe Presidentja e Kosovës zonja Jahjaga shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për mbështetjen zvicerane. Presidentja e Kosovës i tha gazetarëve se i ka bërë ftesë homologes së saj për të vizituar Kosovën dhe po ashtu i ka propozuar që të luhet një ndeshje miqësore futbolli në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Në konferencën për shtyp përveç gazetarëve zviceranë, ishim të pranishëm 6 gazetarë shqiptarë, nga mediat shqipe në Zvicër. Zonja Jahjaga iu përgjigj dy pyetjeve të gazetarëve zviceranë. Këtu konferenca për shtyp përfundoi.

Presidentja e Republikës së Kosovës u largua pa takuar dhe pa përshëndetur asnjë nga gazetarët e pranishëm. Ndërsa Presidentja e Konfederatës Zvicerane zonja Simonetta Sommaruga u takua me ne të gjithë, duke shkëmbyer biseda dhe përshëndetje.

Këtu po e sjellim në vijim deklaratën e Presidentes Jahjaga:

"Jam e nderuar që sot jam mirëpritur këtu në Bernë nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, zonja Simonetta Sommaruga. Dy vendet tona kanë një histori të gjatë të miqësisë dhe të bashkëpunimit dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë të pashkëputshme, meqë një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë janë ndihmuar e strehuar në Zvicër në periudhën më të rëndë të historisë së Kosovës dhe ata sot janë qytetarë të integruar në shoqërinë e Zvicrës, jetojnë e punojnë me dinjitet, si dhe janë një urë e fuqishme e lidhjes mes dy vendeve tona.

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreha Presidentes Sommaruga falënderimin e thellë për gjithë ata burra dhe gra nga Zvicra që për vite tëra kanë kontribuuar në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-i për paqe dhe stabilitet në Kosovë.

Gjithashtu i shpreha mirënjohjen e thellë për ndihmën që Zvicra vazhdon t'i japë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit dhe të avancimit të proceseve demokratike, me synimin për t'u bërë pjesë e barabartë e komunitetit ndërkombëtar.

Biseduam sot për çështje të ndryshme të interesit tonë të përbashkët dhe mbi të gjitha për hapjen e mundësive për investime të drejtpërdrejta në Kosovë, që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe gjithashtu do të hapin perspektivën për qytetarët tanë.

Zvicra është një ndër katër vendet evropiane që ka investuar më së shumti në Kosovë dhe marrë parasysh edhe numrin e madh të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë sot në këtë vend, thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë do të ishte e një rëndësie të veçantë për të dyja vendet.

Kemi hapur çështje të ndryshme për diskutim në mesin e të cilave edhe atë të migrimit ilegal të qytetarëve nga Kosova. Zvicra është ndër pak vende që ka pasur më së paku kërkesa për azil nga qytetarët e Kosovës gjatë tre muajve të fundit. U pajtuam për një bashkëpunim të ngushtë në procesin e riatdhesimit të të gjithë atyre azilkërkuesve nga Kosova, të cilët fatkeqësisht kanë rënë pre e grupeve kriminale, të cilat kanë përfituar nga fatkeqësia e tyre. Institucionet e Kosovës po punojnë në ringjalljen e ekonomisë, në krijimin e një klime të mirë të biznesit që do të tërheqë investimet e huaja, duke mundësuar hapjen e vendeve të punës dhe gjithashtu do të rikthejë edhe perspektivën e tyre në vend.

Kosova sot ka nevojë për një mbështetje nga vendet mike dhe gjithashtu për një përkrahje të fuqishme në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Kosova është sot një vend i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe i fqinjësisë së mirë, kontribuese e fuqishme e sigurisë jo vetëm brenda vendit, por edhe asaj rajonale dhe më gjerë." Me shtrëngim duarsh përfundoi takimi mes dy presidenteve.

Për ditën e nesërme Presidentja Jahjaga ka lajmëruar përmes facebook e Twitter se do të ketë një takim me diasporën e Kosovës në qytetin e Winterthur-it.





Më poshtë Voal po i sjell lexuesit edhe njoftimin për media nga zyra e Presidentes së Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga.

PRESIDENTJA SOMMARUGA - ZVICRA ËSHTË SHUMË E PËRKUSHTUAR PËR STABILITETIN, SHTETIN E SË DREJTËS, EKONOMINË E TREGUT NË KOSOVË




Voal - BERNË - Zyra e shtypit e Presidentes zvicerane, në një njoftim të saj, bën të ditur se sot, Presidentja e Konfederatës Simonetta Sommaruga priti presidenten e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga në kuadrin e një vizite zyrtare pune:

"Të dyja Presidentet diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe për bashkëpunimin dypalësh, duke trajtuar mes të tjerash çështje të lidhura me emigracionin ilegal dhe bashkëpunimin në fushën e policisë. Stabiliteti i brendshëm e rajonal, ringjallja ekonomike dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të veçantë në Republikën e Kosovës, janë përparësi për politikën e jashtme zvicerane.

Presidentet biseduan për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë. Simonetta Sommaruga u shpreh e preokupuar për shtimin e sërishëm të kërkesave për azil nga qytetarët kosovarë në vende të ndryshme evropiane. Edhe pse e prek Zvicrën vetëm pjesërisht,  kjo dukuri është veçanërisht e dëmshme, sepse Kosova ka nevojë për qytetarët e saj në moshë të re dhe të kualifikuar për të promovuar reformat dhe rritjen ekonomike të vendit. Kontrolli i emigracionit të parregullt me prejardhje nga Kosova rimerr ndërkaq një rëndësi themelore për afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Zvicra do të vazhdojë t'i përkushtohet partneritetit në rrafshin e emigracionit me Kosovën. Sipas Sommarugës, ky shkëmbim i rregullt ka mundësuar realizimin e projekteve me vlerë në aspektin e azilit dhe të emigracionit, si për shembull në fushën e integrimit të pakicave. Ndërkohë bashkëpunimin për riatdhesimin mund të jetë më i fortë.

Forcimi i bashkëpunimit mes policive


Presidentja e Konfederatës Simonetta Sommaruga ka vënë në pah rëndësinë e një bashkëpunimi përherë e më intensive mes forcave të policisë të të dy vendeve dhe e ka informuar presidenten Atifete Jahjaga për miratimin kohët e fundit ngal Parlamenti Zviceran të një marrëveshjeje dypalëshe për bashkëpunimin e policive. Ky instrument duhet të mundësojë që të luftohet më frytshëm kundër kriminalitetit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kundër trafikimit të emigrantëve e kundër terrorizmit, për shembull nëpërmjet hetimeve të përbashkëta  dhe shkëmbimit të informacionit dhe personelit. Të dyja presidentet ndërkohë janë ndalur edhe në temën e luftës kundër udhëtimeve me synime xhihadiste.

Zvicra mikpret një prej diasporave më të mëdha me prejardhje nga kosova. Rreth 170 000 veta me prejardhje kosovare jetojnë në fakt në vendin tonë. Tre presidentë të Konfederatës kanë shkuar në Kosovë: Ueli Maurer më 2013, Didier Burkhalter e Simonetta Sommaruga më 2014, çka dëshmon marrëdhëniet e thella mes dy vendeve.

Zvicra është shumë e përkushtuar në Kosovë, theksoi zonja Sommaruga. Ajo e mbështet atë në kuadrin e tranzicionit drejt demokracisë dhe ekonomisë sociale të tregut. Në këtë drejtim kanë rëndësi edhe fuqizimi i administratave lokale, përmirësimi i shërbimeve mjekësore dhe përfshirjes së popullsisë fshatare në sistemin e instalimit të ujit të pijshëm. Nga viti 1999 Zvicra merr pjesë edhe me një kontigjent 200 ushtarakësh në Forcën Shumëkombëshe të Ruajtjes së Paqes në Kosovë (KFOR). Parlamenti e ka zgjatur këtë pjesëmarrje deri më 2017."

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BLERIM BUNJAKU IU BËN THIRRJE SHQIPTARËVE - VOTONI, VOTA JUAJ VLEN3700 qytetarë të komunitetit shqiptar në Winterthur kanë të drejtë vote (03.16.2015)
ZYRIHU DHE GJENEVA NDËR QYTETET MË TË SHTRENJTA NË BOTË (03.15.2015)
'DIE BACHELORETTE' I BËN OFERTË EDHE DORINA PODRIMJES (03.14.2015)
TURIZMI ZVICERAN KA PËRPARËSI VETËM CILËSINË (03.14.2015)
VIZITË ZYRTARE E PRESIDENTES SË KOSOVËS NË BERNË (03.13.2015)
KUSH JETON NË WINTERTHUR TË VOTOJË PËR BLERIM BUNJAKUN, KANDIDAT NË PARLAMENTIN E KANTONIT TË ZYRIHUT (03.11.2015)
ABONEMENTET AKTUALE NUK DO TË PËRDOREN MË - DO TË ZËVENDËSOHEN ME 'SWISS PASS' (03.10.2015)
74,5% E VOTUESVE KUNDËR INICIATIVËS FAMILJARE TË CVP-së (03.10.2015)
ZYRIH - JETON GJINAJ DHE NJË RUS ARRESTOHEN PËR VRASJEN E BOKSIERIT MALAZEZ NË ZVICËR (03.09.2015)
12 MIJË NË BERNË PËR BARAZI GJINORE TË PAGAVE - NË MANIFESTIM U PËRFSHI EDHE SSM - SINDIKATA ZVICERANE E MEDIAVE (03.09.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]