VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË WINTERTHUR TË ZVICRËS JAHJAGA TAKOI BIZNESMENËT SHQIPTARË - IU FOLI PËR FUTBOLLISTËT
Jahjaga i ftoi shqiptarët e Zvicrës që të investojnë në Kosovë

E Mërkurë, 03.18.2015, 07:23am (GMT1)




Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori dje pjesë në Konferencën për përkrahje institucionale për ndërmarrësit e diasporës, që i zhvilloi punimet në Winterthur të Zvicrës.

Në konferencë morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Diasporës, Valon Murati. Konferenca e organizuar me mbështetje të qeverisë zvicerane dhe austriake, mblodhi një numër të madh të ndërmarrësve nga diaspora.

Jahjaga në fjalën e saj para bashkatdhetarëve i ka quajtur ata si shtyllë të fortë të e proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi.

"Në momentet më të vështira për vendin, kur na kanosej gjenocidi dhe zhbërja totale, ju jo vetëm që financuat luftën tonë çlirimtare, por nuk hezituat t'i bashkëngjitni Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftoni për lirinë që gëzojmë sot", ka thënë Jahjaga në Winterttur.

Ajo u ka thënë atyre se krenohet kur takohet me ta ndërkaq siq ka thënë Jahjaga shqiptarët e Zvicrës janë shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të suksesshëm.

"Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, Blerim Xhemajlin, Pajtim Kasamin e Admir Mehmedin. Sot, universitetet e Zvicrës janë përplot me studentë tanë, të cilët shkëlqejnë me punën dhe angazhimin e tyre. Ju afaristë jeni pjesë e vlefshme e ekonomisë zvicerane dhe puna juaj vlerësohet shumë lartë. Mjekë, bankierë, juristë, ekonomistë, menaxherë, ndërtues, prodhues, hotelierë, pronarë restorantesh e biznesesh të ndryshme të diasporës kontribuojnë çdo ditë në zinxhirin e vlerës së ekonomisë së Zvicrës dhe më gjerë", ka thënë Jahjaga.

Ajo ka ftuar bashkatdhetarët që të investojnë në Kosovë duke i siguruar se institucionet e Kosovës janë thellësisht të përkushtuara që të ofrojnë kushte më të mira për afarizëm,

Sipas saj qeveria e re ka bërë ekonominë prioritetin kryesor të saj, reforma konkrete si në rrafshin fiskal ashtu edhe në atë të përgjithshëm ekonomik e të sundimit të ligji.

"Vendi ynë ka sot nevojë për ju, jo për t'i dalë më zot me armë në dorë siç bëtë kur ishte koha, jo për të sakrifikuar jetën tuaj, por për të sjellë përvojat dhe kapitalin tuaj e për të realizuar projekte investuese që janë në dobi të vendit, të familjeve tuaja atje, por edhe në dobi tuajën personale".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.