VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LOZANË - ARRIHET MARRËVESHJA KORNIZË PËR PROCESIN BËRTHAMOR TË IRANIT

E Premte, 04.03.2015, 08:47am (GMT1)



Shtetet e Bashkuara, Irani dhe pesë fuqitë e tjera botërore bënë të ditur një mirëkuptim, në të cilin përshkruhen një numër kufizimesh ndaj programit bërthamor të Iranit, që ai të mos mund të prodhojë një armë atomike. Mirëkuptimi u kërkon negociatorëve të arrijnë një marrëveshje të plotë brenda tre muajve.

Duke lexuar nga një deklaratë e përbashkët, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se ishte arritur një hap vendimtar pas më shumë se një dekadë negociatash.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif lexoi të njëjtën deklaratë në gjuhën perse. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe diplomatët e lartë të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë bënë gjithashtu komente të shkurtra.

Presidenti Barack Obama e quajti marrëveshjen "historike'' dhe paralajmëroi Kongresin që të mos ndërmarrë veprime të cilat mund ta dëmtojnë punën  drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
 
"Çështjet në fjalë këtu janë më të mëdha se sa politika," tha zoti Obama në komentet e bëra në Shtëpinë e Bardhë. "Këto janë çështje të luftës dhe paqes, dhe ato duhet të vlerësohen në bazë të fakteve," tha ai.
 
Presidenti e quajti "marrëveshjen" një marrëveshje të mirë, që plotëson objektivat tona kryesore.'' Ai tha se mekanizmat e verifikimit janë të tilla që, nëse Irani mashtron, bota do ta kuptojë.

Nga ana e tij zoti Kerry tha se "ishte arritur një marrëveshje për të zgjidhur çështje të mëdha lidhur me programin bërthamor. Do t'i rikthehemi punës së shpejti për një marrëveshje përfundimtare," shkruante ai.

Zonja Mogherini tha se shtatë vende do të fillojnë tani të hartojnë tekstin e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo përmendi disa pika për të cilat ishte rënë dakord lidhur me kufizimet në pasurimin e materialit që mund të përdoret ose për prodhimin e energjisë ose për mbushje bërthamore. Ajo tha se Irani nuk do të prodhojë plutonium që mund të përdoret për armë bërthamore.

Ajo që është më e rëndësishmja për iranianët, sanksionet ekonomike të cilat lidhen me programet e tij bërthamore, do të hiqen pasi agjencia bërthamore e OKB-së të konfirmojë se Teherani i është përmbajtur marrëveshjes.

Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilat janë imponuar sanksione kundër Iranit, do të përfundojnë me arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse. za, rel

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.