VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPJA - SIMBIOZË E KULTURËS SHQIPTARE NË ZVICËR
Nga JONUZ FETAHU

E Martë, 04.14.2015, 06:45am (GMT1)

Shqipja, simbiozë e kulturës shqiptare në Zvicër


Të shumtë janë të rinjtë dhe të rejat që edhe në Diasporë shquhen me talentin e tyre në fusha të ndryshme. Ata, madje, shpeshherë ua kalojnë edhe ‘vendorëve’ me shkathtësinë dhe gjeturinë e tyre. Disa prej tyre madje arrijnë rezultate aq të lakmueshme, sa ua kanë zili bashkëkohanikët nga e mbarë bota.


E tillë është edhe Shqipe Neziri, vajza me origjinë nga fshati Starabajë e Medvegjës. Vetë emri i saj, si për koinçidencë, flet shumë: e tëra është dhënë pas kulturës dhe traditës shqipe. Sigurisht në këtë ka ndikuar edhe origjina e prindërve, meqë në atë cep të trojeve shqiptare këta margaritarë të popullit tonë kanë qenë të cunguar më shumë se kudo tjetër.

E heshtur, e ndrojtur, e kujdesshme… Këto fjalë e pasqyrojnë portretin e saj, që duket sikur ka kujdes edhe tokën mbi të cilën shkel. Nuk flet shumë, por heshtja e saj thotë tepër. E preokupuar vetëm për suksese.

E zgjuar, e përpiktë, e shkathtë… këto fjalë i shprehin virtytet e saj që ia lakmon çdo bashkëmoshatarë. Sepse, në këtë mënyrë ajo është bërë e dalluar nga të tjerët.

SHKA «Medvegja», dritare me plot dritë

“Në këtë shoqëri jam inkuadruar prej vitit 2007, gati prej themelimit të saj. Më ka mbetur peng që nuk kam marrë pjesë vetëm në shfaqjen e parë. E dua aktivitetin në të dhe nuk e paramendoj dot jetën pa të”, shprehet Shqipja, ndërsa teksa flet duket se edhe fjalët i thotë me ritëm të caktuar, mbi të gjitha njerëzor.

Më kot përpiqemi të bashkëbisedojmë dhe të marrim nga ajo sa më shumë informacion. Ajo sikur nuk do t’i zbulojë të gjitha, apo nga modestia e tepërt përgjigjet tepër shkurt.

“Po, jam valltare, ndërkaq tani e dy vjet jam edhe koreografe e grupit e fëmijëve”, e përfundon përgjigjen në pyetjen tonë rreth angazhimit të saj, rreth aktivitetit të tanishëm, rreth rezultateve dhe synimeve të saj.

Fortesë e traditës dhe kulturës sonë

11021123_629448453821508_5082123939445404864_n

Ajo dhe të rinjtë si ajo e kanë një mision sa të bukur, aq edhe fisnik. Sa ndiejnë kënaqësi, aq ndiejnë mburrje dhe krenari. “Jemi ambasadorë të Atdheut tonë, jemi rojat më të mira të traditës dhe kulturës sonë”, thonë Shqipja dhe anëtarët tjerë të SHKA “Medvegja”, me seli në Fyllu të Zvicrës. E ne, çfarë të themi tjetër, pos: Shqipja, fortesë e traditës dhe kulturës sonë.

Ndërkaq, jemi të bindur se fortesa është e pamposhtur mu si një kala. Mision dhe qëllim është të qëndrohet edhe kur është vështirë për këtë, edhe kur ka dhimbje e mall.

SHKA «Medvegja», bijë e Shoqatës Humanitare «Medvegja»

Dihet botërisht se SHKA «Medvegja» vepron dhe funksionon në kuadër të Shoqatës Humanitare «Medvegja». Ajo lindi më 2007 si një bijë lozonjare dhe u rrit nën ombrellën dhe me financimin e pakursyer të njerëzve vullnetmirë. Ajo u formua si orientim programor i shoqatës për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave dhe të traditës shqiptare të Medvegjës dardane.

11037321_603080379829613_7865366944984402645_n

Burrat medvegjas e kuptuan me kohë këtë dhe iu përveshën punës: mblodhën ndihma për të gjitha trevat shqiptare në nevojë, ndihmuan institucione e individë, kontribuuan në unifikim, por edhe u kujdesën për anën shpirtërore të pasardhësve të tyre. Prandaj, e themeluan Shoqërinë Kulturo-Artistike «Medvegja» Dhe pararojë e gjithë kësaj sot e kësaj dite ishte dhe mbeti: Shoqata Humanitare «Medvegja».

 E më pastaj?

Shqipja është e vendosur: «Do të vallëzoj mu si një shqipe mali, sepse e kam origjinën nga atje ku ato e kanë folenë. Do të ushtroj edhe fëmijët e vegjël për këtë. Nuk do kursej mundin as kohën» Teksa flet, duket sikur ajo është në prova. Në sytë e saj, në buzëqeshjen e kujdesshme duket vendosmëria. Njeri i bindur flet bindshëm. Dhe nga të folurit bindshëm priten rezultate.

«Nuk do t’i harrojmë kurrë vallet tona të bukura shqipe. E kam mësuar nga prindërit se kjo është porosia e përcjellë nga stërgjyshërit. Dhe, kur jam e bindur në diçka, më duket sikur është kryer gjysma e punës», e përforcon bindjen tonë Shqipja, teksa shprehet e kënaqur me të gjitha që ia ka ofruar SHKA «Medvegja», natyrisht me përkrahjen e pakursyer të prindërve të saj.

Krahas aktiviteteve, shkollimi

Krah për krah me këtë angazhim, Shqipja e ka pasur edhe një detyrë tjetër jo fort të lehtë dhe pa rëndësi: shkollimin profesional.

«Prej shtatorit 2010 deri në shkurt 2015 e kam vijuar HES-So Valais, shkollë për infermieri në Sion (VS). Tani titulli im është infermiere bachelor. E dua këtë profesion dhe jam e përkushtuar. Më duket sikur gërshetohen të dyja aktivitetet, sepse njëra ta fisnikëron mendjen, e tjetra trupin», është mendimi dhe rrëfimi më i gjatë që e morëm nga Shqipja, ngase si duket – fjalët e tepërta për të janë të tepërta.

E si ta përfundojmë këtë skicë për këtë vajzë ëndërrimtare? A do të mund të përshkruhej si bastion i ruajtjes së identitetit tonë? Shpresojmë se po dhe me plot të drejtë. Ashtu qoftë!/dp

JONUZ FETAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.